Nënë Tereza

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu (26 gusht 1910 – 5 shtator 1997) e njohur si Nënë Tereza e Kalkutës (e nderuar në kishën katolike si Shën Tereza e Kalkutës), ishte një murgeshë dhe misionare katolike indiane me prejardhje shqiptare. Ajo lindi në Shkup (kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut), dikur pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi jetoi në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetaro-katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë të sëmurë rëndë nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët e familjet, jetimore dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të "dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes", si dhe një kusht të katërt, për të dhënë "shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve".

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt "Tereza e Bekuar e Kalkutës". Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.







Parapamje në vitrinë

Redakto