Yll Morina lindi në Gjakovë më 11 gusht të vitit 1972, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998 -1999. Pas plagosjes së gushtit të vitit 1998 ai u tërhoq për tu shëruar dhe vdiq në spitalin e Novi Sadit15 mars të vitit 1999.

Yll Morina u lind në Gjakovë më 11.08.1972. Ai i përket një familjeje të vjetër gjakovare. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Më pas, vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘’Bajram Curri’’ në Gjakovë, ku për pak mbeti pa u diplomuar për shkak të përndjekjeve nga policia serbe.

Përndryshe, Yll Morina ishte një ndër trimat e parë që iu bashkëngjit njësive të UÇK-ës nga fundi i prillit të vitit 1998. Ai jo vetëm që ishte një ndër ushtarët më të zellshëm, por edhe shkëlqente me manovrimet e tij kundër makinerisë millosheviçiane. Kështu që, duke fituar merita të mëdha në luftë, ai u emërua epror i lartë i njësisë speciale te UÇK-së.

Pas luftimeve maratonike me ushtrinë e policinë serbe, ai u plagos rëndë në Gramaçel, më 10.08.1998. Pas plagosjes ai tërhiqet në fshatin Krushevc, nga një bashkëluftëtar i tij. Pastaj, për shkak të rrezikimit të këtij fshati, ai dërgohet në Breshanc (fshat afër Malishevës). Nuk zgjat shumë kohë dhe Ylli transferohet në Irzniq, ku në xhaminë e po këtij fshati dr.Avdyl Krasniqi ndërmerr një intervenim të suksesshëm kirurgjikal në plagët e rënda të Yllit. Fatkeqësisht, pas nja tri jave, ai së bashku me të plagosurit tjerë, respektivisht me shokët e tij të luftës, bie në duart e xhelatëve serbë, si pasojë e tradhtisë që iu bë atyre nga disa njerëz që flisnin shqip, e mendonin sllavisht.

Mirëpo, për koincidencë, aty arrin Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ku me këmbëngulësinë e tyre arrijnë që Yllin ta transferojnë në spitalin e Prishtinës,më 11.09.1998, që fatkeqësisht, tash e tutje, do të ishte nën “përkujdesin” e policëve e doktorëve serbë.

Ylli, duke mos dashur kurrsesi të binte në duart e tyre dhe me gjithë urrejtjen gjigante që kishte ndaj tyre,ai gjithmonë i kundërshtonte “rojet” që i rrinin pranë shtratit duke i ofenduar me plot pezëm e vrer. Kështu që, maltretimet ndaj Yllit shtoheshin dita ditës. Ndër autorët e këtij krimi ishte edhe Dr. A.T. (drejtor i repartit të kirurgjisë pranë klinikës universitare të Prishtinës). A.T. famëkeq, jo vetëm që e maltretonte Yllin në mënyrën më barbare, por edhe i kishte kryer 6 operacione kirurgjikale në Yllin, (gjoja se ka për qëllim shërimin e pacientit) duke e shndërruar trupin e tij në një “poligon” kirurgjikal.

Nga dëshira që Ylli të “shërohej”, Tomanoviqët u “kujdesën”që ta plotësojnë dëshirën e familjes; më 13 Mars 1999 ia lejuan “shërimin” e mëtutjeshëm në Klinikën e Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad. Pas përballimit të dobët të udhëtimit për në Novi Sad, mjekët arrijnë që Yllit t’ia përmirësojnë gjendjen shëndetësore, por dora e të “kujdesshmëve” u zgjat edhe atje, dhe më 15 Mars 1999, Yllit i pushuan të gjitha dhembjet.

Yll Morina ishte, mbeti dhe do të mbetet figurë e ndritshme e faqeve të historisë së luftës e qëndresës,e urtësisë djaloshare, djalë, vëlla, baba, burrë, nip e shok i mrekullueshëm, e mbi të gjitha luftëtar i paepur e i pastër në luftë për liri.

Më 17 Mars 1999 Yll Morinës iu bënë nderimet më të mëdha që meriton një luftëtar. Gjakova e Kosova humbi Yllin, por fitoi shumë yje të tjera, fitoi të bardhën liri, fitoi themelet e një shteti të pritur kaherë. Ylli me shokë nuk vdiq, ai dhe ata janë kudo, sepse pavdekshmëria u takon atyre që ia falin jetën atdheut.