Zake Prelvukaj
Zake Prelvukaj u lind në Martinaj të Plavë Gucisë. I përket një familjeje të shquar artistësh, të cilët me veprat e tyre artistike kanë lënë gjurmë të pa shlyra për artin dhe kulturën është piktore shqiptare dhe ligjëruese e lëndës së pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe Kolegjin AAB.
Zake Prelvukaj diplomoi për pikturë në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Në vitin 1993 filloi punën si docente në lëndën Pikturë Monumentale. Në vitin 1997 magjistroi në lëndën e pikturës, në klasën e Prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 mori klasën e pikturës, si Profesor i Asociuar.
Pasi fitoi titullin profesor i rregullt për pikturë Zakja ligjëroi në fakultete dhe institucione të ndryshme të kulturës në vende të ndryshme. Ajo ligjëroi në Muzeun e Paqës që është muzeu më i madh në Evropë ku pati rastin të ligjëronte para deputetëve dhe senatorëve evropian me temën Politika dhe Arti. Me ndërmarrjen artistike Ballkani i Ri realizoi projekte të shumta brenda dhe jashtë Kosovës, duke përfshirë këtu murale, mozaik, ekspozita, debate etj.
Krijimtaria
RedaktoKrijimtaria e Zakes gjatë viteve '90, si dhe më vonë, në drejtimin e pikturës dhe grafikës bazohet kryesisht në frymën e artit kosovar. Një ndikim në veprat e saj janë ciklet "Kokat", "Ditari i Romës" nga Gjelosh Gjokaj. Bëhet fjalë për një gërshetim mes stilit të saj personal prej disa elementeve formative nga vepra e doajenit të grafikës kosovare dhe elementeve nga veprat e artistëve të tjerë që kanë si preokupim krijimin e imazheve ikonike dhe emblematike të tabanit kombëtar (p.sh. piktura e Engjëll Berishës).
Veprat e Zake Prelvukajt shprehen me revoltë për qëllim të mbrojtjes, mbijetesës dhe afirmimit të kulturës shqiptare, ku artistja i paraqet me një formulë të traditës së imazherisë identitare shqiptare.
Figuracioni abstrakt është karakteristikë që e hasim në veprat e saj. Mirëpo, duke marrë parasysh se piktura dhe grafika përçojnë ide, porosi e emocione të caktuara, të cilat janë të fokusuara në shpërthimin refuzues ndaj realitetit të hidhur të jetës, artistja nuk mjaftohet vetëm me abstrakten si sfond, por shton edhe elemente duke krijuar lojë me forma e ngjyra që plotësojnë kompozicionin. Elemente si, silueta portretesh ose vegime skicuoze të qyteteve, shtëpive, kullave, e forma të sheshta që duken si mure ku shfaqen si detale në një ambient të zymtë e të trazuar.
World Ghetto
RedaktoCikli i veprave të hershme World Ghetto është punuar me një gamë të ngjyrave të errëta (vaj,bitumen...), ku artistja vendos portrete të vogla, të paqarta e pa gjini të përcaktuar duke krijuar një kontrast të stileve. Këto detaje të portreteve shfaqen si copëza të shkëputura realizmi skicuoz në laramaninë abstrakte. Kokat të japin përshtypjen se shikojnë të zhgënjyer nga dritarja në katrahurën e jetës në Geto.
Prelvukaj i qon një hap më tej pikturat duke i shtuar elemente të "jashtme" që i bënë këto vepra të "flasin". 'Unë jam kurban i Ballkanit', 'Unë jam ajo e 36 shkronjave', 'Exit World'...etj., janë shprehje që artistja përdori në veprat e saj, ku pastaj në disa punë reduktohen në shkronja të vetmuara. Në të dyja rastet, shkronjat dhe teksti shërben si paraqitje vizuale e mllefit dhe vullnetit për qëndresë.
X-at flasin
RedaktoNjë cikël tjetër i quajtur IKS-at flasin ka për qëllim të vizualizoj zërin e pa dëgjuar e të shtypur, duke i dhënë shkronjës X kuptim të dyfisht. Në matematikë dhe në gjuhën simbolike kjo shkronjë paraqet të panjohurën, kurse në pikturat e Zake Prelvukaj, ka edhe një dykuptimësi tjetër. Përpos që shënon të panjohurën, kryqi nënkupton diçka që fshihet, anulohet asgjësohet apo spastrohet duke paraqitur tmerret e spastrimeve etnike të kohës!
Zake Prelvukaj shprehet kështu për X-at: "Këtë cikël e karakterizojnë teknikat e ndryshme të realizmit. Pikturat janë punuar me hekur të grimcuar, vaj në pëlhurë etj.. Iks-at, për të cilët mendojmë se janë të panjohur, na dalin të kundërt: bëhen subjekt i njohjes. "X-at që flasin" njëfarë dore kanë qenë paralajmërim simbolik i ngjarjeve të vitit 1999, janë shenja sfiduese por edhe pozitive në krijimtarinë time".
X-at janë thirrje për të njohur të panjohurën (pavarësinë e Kosovës) si dhe dënimin e fushatës së etnocidit me të cilin kërcënoheshin shqiptarët. Prelvukaj e sheh shndërrimin e objektit në subjekt: "X-at" kanë forma të ndryshme si objekte e që pastaj kthehen edhe në subjekte në performansa të drejtpërdrejta.
Puna e mëtutjeshme
RedaktoPrelvukaj fillon të eksplorojë mënyra të tjera të shprehjes në artin bashkëkohor dhe konceptual në këtë moment konvertimi, duke kapërcyer kufizimet e konceptit të pikturës dhe imazhit si një dritare apo pasqyrë reprezentative e një bote tjetër (performancë, video, fotografi, instalacion...).
Në kohën e pasluftës, Zake Prelvukaj vazhdoi të krijojë piktura dhe grafikë në stil të viteve 1990, por me një gamë ngjyrash më të shndritshme, jo të zymta dhe angazhohet më shumë në eksplorime, ekskursione dhe kërkime për teknika dhe forma të tjera të shprehjes. Ajo bëri një seri pikturash me titull Trupi im, një furçë, duke stampuar menjëherë ngjyrën në telajo me trupin e saj, të cilën ajo e përshkruan si frymëzim për një moment: "Një mëngjes nuk e doja brushën dhe vendosa që brushë të bëhet trupi im. Dhe kështu, me shumë ngjyra, vendosa që çdo vjet deri sa të jetoj, trupi im të jetë brushë e njollat e trupit tim në pëlhurë të dëshmojnë se si po plakem".
Prelvukaj kapërcen kufijtë e konceptit konvencional të pikturës dhe imazhit si një dritare apo pasqyrë reprezentative e një bote tjetër në këtë moment konvertimi, duke filluar të eksplorojë forma të tjera të shprehjes aktuale dhe bashkëpunuese. Edhe pse ishte vetëm një mendim kalimtar, ai u krijua më vonë si një projekt konceptual afatgjatë që ekspozon çështjet gjinore në art. Ajo zhvilloi një seri veprash që vënë në dyshim dhe pohojnë të drejtën e një gruaje për të bërë gjithçka që dëshiron me trupin e saj, i cili shpesh shihet si një objekt i fetishizuar i seksualitetit. Prelvukaj sulmon paragjykimet e shoqërisë sonë patriarkale dhe më gjerë me punën e saj “erotike” duke njollosur me trupin e saj furçë.
Prelvukaj është përfshirë edhe në një projekt tjetër në të cilin angazhohet me trupin e saj me video punimin Larja e mëkateve ku tregon shkuljen e ngjyrës së zezë që e kishte ngjitur për trupine saj, e që tërë kohën përcillet edhe me britmat sepse kjo shkulje shkakton dhimbje.
Projekti i madh kolektiv Sexpozitë (Sexhibition) është organizuar nga vatë ajo në Muzeun e Kosovës (2004) që u cilësua si provokim social i rradhës. "Mendoj se Sexhibition është njëhap më tutje në zhvillimin tematik të arteve. Provokimin e bëra pikërisht në Kosovë shkaku i paragjykimeve të rrejshme për gruan tonë në botë".[1]