Zija Prishtina (shek. XIX) më rrallë i njohur si Zija Gjinolli ose Zija bej Gjinolli ka qenë patriot i dalluar i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, anëtar i Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare në Stamboll dhe veprimtar i Lidhjes së Prizrenit. [1]

Biografia

Redakto

Zija Prishtina i njohur në disa burime edhe si Zija bej Gjinolli,[2] rrjedh nga familja fisnike shqiptare e gjinollajve, duke qenë nip i Jashar Pashë Gjinollit përkatësisht djali i Abdurrahman Pashë Gjinollit.[3] Zija Prishtina në moshën e rritur ishte përfaqësues i Sanxhakut të Prishtinës në Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare në të cilin ishte i angazhuar edhe i vëllai, Ali Danishi, si përfaqësues nga Kosova. Pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, Zija Prishtina zhvilloi një veprimtari të madhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e vilajetit të bashkuar shqiptar. Qysh në kohën e themelimit të Lidhjes së Prizrenit ishte njëri ndër udhëheqësit e saj. Prishtina u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, anëtar i Komisiomlt financiar që u kryesua nga Sulejman Vokshi. Me iniciativën e tij u themelua edhe dega e Lidhjes së Prizrenit në Prishtinë. Kjo degë kundërshtoi fuqishëm dorëzimin e Plavës dhe Gucisë shtetit të Malit të Zi. Në Prishtinë në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës u zhvillua një mbledhje e Lidhjes së Prizrenit nën drejtimin e Ymer Prizrenit dhe Zija Prishtinës. Në këtë mbledhje morrën pjesë mbi 800 pjesëmarrës të ardhur nga viset e ndryshme të Vilajetit të Kosovës e posaqërisht nga Sanxhaku i Prishtinës u miratuan kërkesat që të mos bëhej asnjë lëshim në drejtim të copëtimit të trojeve shqiptare. Më datën 7 maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës së Lartë në Stamboll peticionin me kërkesat e popullsisë së Sanxhakut të Prishtinës dhe Vilajetit të Kosovës. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit u përndoq nga administrata osmane. [4]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1321. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://rajonipress.com/shtepia-e-madhe-dhe-shume-e-bukur-po-pa-nje-shtylle/
  3. ^ https://www.koha.net/en/kulture/16956/objekti-me-stil-neoklasik-i-djemve-te-pashait/
  4. ^ Lafe, Emil, red. (2009). "Fjalor enciklopedik shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2098. ISBN 9789995610326. OCLC 426069353.

Lidhje të jashtme

Redakto