Adea Pirdeni
Adea Pirdeni është politikane dhe akademike shqiptare e cila prej janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Adea Pirdeni | |
---|---|
Ministre Shteti për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin | |
Në detyrë janar 2024 – i tanishëm | |
Zëvendësministre e Drejtësisë | |
Në detyrë shtator 2020 – janar 2024 | |
Paraprirë nga | Fjoralba Caka |
Pasuar nga | Tedi Dobi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1 tetor 1983 Tiranë |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Punësimi | Juriste, Pedagoge |
Para kësaj, nga shtatori 2020, ajo ka mbajtur postin e Zëvëndësministes së Drejtësisë, dhe Negociatore për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, si pjesë e Ekipit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në cilësinë e zëvendësministres, portofoli i saj përfshinte kuadrin strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.
Edukimi
RedaktoDr. Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe është diplomuar master në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ajo gjithashtu fitoi titullin Magister Juris (MJur) duke u fokusuar në të drejtën e BE-së dhe të drejtën publike nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Oksfordit. Që nga viti 2016, ajo mban titullin Ph.D. në të Drejtën Publike. Ajo zotëron gjuhën angleze, gjermane, frënge dhe italiane. [1]
Karriera
RedaktoQë nga viti 2008, znj. Pirdeni është pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, duke dhënë mësim në disiplinat akademike të së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës së BE-së dhe të Drejtës Administrative. Fushat e saj kryesore kërkimore përfshijnë aspektet kushtetuese të qeverisjes së mirë, integrimin evropian, si dhe Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Znj. Pirdeni ka një përvojë të gjatë dhe të gjerë si trajnere e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe Shkollën e Avokatisë. Ajo ka shërbyer gjithashtu si eksperte ligjore në projekte të shumta të zbatuara nga partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, për asistimin në përmirësimin e performancës institucionale të administratës publike, luftën kundër korrupsionit, përafrimin e legjislacionit shqiptar me Acquis të BE-së. [2]