Anemia normocitike
Anemia normocitike është anemi në të cilën rruazat e kuqe (Eritrociti|eritrocitet)kanë madhësi normale (midis 80 - 100 fL).
- Diagnoza diferenciale:
- a. Anemia hipoproliferative.
- b. Anemia hemolitike.
- c. Hemoragjia akute.
Anemitë hipoproliferative
Redakto- Janë pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm të qelizave që janë normale.
- Shkaktohet nga:
- a. Pamjaftueshmëria e veshkave.
- b. Inflamacioni kronik.
- c. Pamjaftueshmëria e palcës së eshtrave (anemia aplastike).
- Anemia nga pamjaftueshmëria e veshkave:
- a. Shkaktohet nga prodhimi i pamjaftueshëm i eritropoetinës nga veshkat.
- b. Trajtohet me eritropoetinë intramuskulare 3 herë në javë.
- Anemia e sëmundjeve kronike.
- a. Shkaktohet nga inflamacioni kronik, p.sh., kanceri, tuberkulozi, sëmundjet e indit lidhor, etj.
- b. Diagnoza: niveli i hekurit është i ulur, niveli i transferrinës është i ulur (në ndryshim nga anemia nga mungesa e hekurit), dhe niveli i ferritinës është normal ose i rritur. MCV zakonisht është normal, por mund të jetë i ulur.
- c. Trajtimi: Duhet trajtuar sëmundja parësore që ka shkaktuar inflamacionin kronik.
- Anemia aplastike.
- a. Shkaktohet nga pamjaftueshmëria e palcës së eshtrave, pamjaftueshmëria a palcës së eshtrave mund të shkaktohet nga parvovirusi B19, viruset e hepatitit, rrezatimi jonizues, barnat antikanceroze, kloramfenikoli, etj.
- b. Diagnoza vendoset me biopsi të palcës së eshtrave. Në biopsi shihet që elementët qelizorë janë zëvendësuar me dhjamë.
- c. Trajtimi: (1) Transplant i palcës së eshtrave. (2) Trajtim imunosupresiv me ciklosporinë ose me globulinë antitimocite.
Anemitë hemolitike
Redakto- Janë pasojë e shkatërrimit të përshpejtuar të rruazave të kuqe të gjakut(Eritrociti|eritrociteve).
- Shoqërohen me rritje të bilirubinës indirekte (të pakonjuguar).
- Shkaqet e hemolizës janë:
- a. Brendaeritrocitare, pasojë e mangësive të rruazave të kuqe.
- b. Jashtëeritrocitare, pasojë e shkatërrimit të rruazave të kuqe nga sistemi imun, nga valvulat artificiale, koagulimi i diseminuar, etj.
- Sferocitoza
- a. Shkaktohet nga prodhimi i pamjaftueshëm i ankirinës, spektrinës, ose proteinave të tjera që ankorojnë citoskeletin me membranën e rruazës të kuqe. Mungesa e këtyre proteinave bën që membrana eritrocitare të griset lehtë. Rruazat e kuqe humbasin pjesë të membranës qelizore, dhe pastaj detyrohen të marrin formë sferike (sepse forma sferike bën të mundur mbështjelljen e hemoglobinës me një sipërfaqe të zvogëluar të membranës eritrocitare). Sferocitet lëvizin me vështirësi në kapilarë, dhe ngecin kollaj në shiritat e Billrothit të shpretkës.
- b. Si shumica e defekteve gjenetike të proteinave strukturore, trashëgimia është autozomale dominante.
- c. Shenjat dhe simptomat: verdhëz, gurë tëmthi prej bilirubine.
- d. Analizat laboratorike: Coombs negativ. Rritje e bilirubinës indirekte. Në mikroskop shihen sferocite.
- e. Trajtimi: acid folik, splenektomi.
- Mangësia e glukozë-6-fosfat-dehidrogjenazës
- a. Sëmundja është gjenetike. Gjeni ndodhet në kromozomin X dhe trashëgimia është recesive.
- b. Glukozë-6-fosfat-dehidrogjenaza (angl: G6PD, glucose-6-phosphate dehydrogenase) është enzima kontrolluese e ciklit të pentozave. Si e tillë, ajo kontrollon prodhimin e NADPH-së. NADPH-ja luan rol kryesor në reduktimin e glutationit. Glutationi i reduktuar ruan rruazat e kuqe (Eritrociti|eritrocitet)nga lëndët e ndryshme oksiduese që gjenden në gjak. Kur G6PD mungon, rruazat e kuqe dëmtohen lehtësisht nga lëndët oksiduese.
- c. Oksidimi i grupeve sulfhidrile të globinës shkakton precipitime brendaqelizore të Hemoglobina|hemoglobinës të denatyruar që njihen si trupat Heinz (angl: Heinz bodies).
- d. Hemoliza është episodike dhe ndodh kur pacienti ekspozohet ndaj infeksioneve, nga përdorimi i ilaçeve (p.sh., sulfonamidet, antimalarialët), ose nga ngrënia e fasuleve fava (nga bima Vicia faba, angl: fava beans).
- e. Analiza laboratorike: Niveli i enzimës G6PD është i ulur. Në mikroskop shihen trupat Heinz (duhet përdorur ngjyrosësi kristal violet), dhe "eritrocite të kafshuara" (angl: bite cells). Indeksi i retikulociteve është i rritur. Bilirubina indirekte është e rritur.
- f. Trajtimi: Nuk ka nevojë për trajtim, por duhen shmangur barnat ose ushqimet që shkaktojnë hemolizë.
- Anemia imunohemolitike e shkaktuar nga antitrupat IgG
- a. Njihet edhe si 'tipi me antitrupa të ngrohtë'. Këta antitrupa janë të tipit IgG, nuk e fiksojnë komplementin, dhe janë aktivë në 37 gradë Celsius.
- b. Sëmundja zakonisht është idiopatike, por mund të jetë dytësore si pasojë e limfomës, leukemisë, barnave, ose sëmundjeve si lupusi eritematoz i diseminuar.
- c. Shenjat dhe simptomat: verdhëz.
- d. Analizat laboratorike: reaksioni Coombs i drejtpërdrejtë është pozitiv. Në mikroskop shihen sferocite. Bilirubina indirekte është e rritur, hemosiderina urinare është e rritur, haptaglobina është e ulur.
- e. Trajtimi: prednizon, splenektomi, ciklofosfamid.
- Anemia imunohemolitike e shkaktuar nga antitrupat IgM
- a. Njihet edhe si 'tipi me antitrupa të ftohtë'. Këta antitrupa janë të tipit IgM, e fiksojnë komplementin, dhe janë aktivë in vitro në 0 - 4 gradë Celsius.
- b. Sëmundja akute zakonisht shkaktohet nga infeksioni me Mycoplasma pneumoniae, viruset EBV, CMV. Sëmundja kronike është idiopatike ose shkaktohet nga limfoma, leukemia, etj.
- c. Shenjat dhe simptomat: anemi që pason ekspozimin ndaj të ftohtit ose infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
- d. Analizat laboratorike: reaksioni Coombs jo i drejtpërdrejtë është pozitiv. Gjithashtu, vihet re prania e aglutininave në temperaturë të ulët.
- e. Trajtimi: prednizon, ose pa trajtim kur sëmundja është e lehtë.
- Hemoliza e shkaktuar nga shkatërrimi mekanik i rruazave të kuqe
- a. Rruazat e kuqe mund të dëmtohen nga valvulat artificiale, koagulimi intravazal i diseminuar, sindromi hemolitik uremik, dhe purpura trombotike trombocitopenike.
- b. Analizat laboratorike: Në mikroskop shihen fragmentet e rruazave të kuqe të copëtuara (të ashtuquajturat schistocite).
- c. Trajtimi: duhet trajtuar shkaku i hemolizës.
Ky artikull ka të bëj me shëndetin dhe mjekësinë prandaj ju lutemi ti kushtoni vëmendje Udhëzimit rreth artikujve të mjekësisë! Mos aplikoni përmbajtjen e artikullit në ju ose në ndonjë person pa konsultimin e mjekut! |