Arbëria
Arbëria është emri mesjetar i Shqipërisë dhe një nga emërtimet më të hershme që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar. Mendohet se emërtimi "Albanon" (Άλβανών), që buron nga emri i fisit ilir Albanoi (Άλβανοι), i përmendur nga gjeografi i njohur aleksandrin Ptolemeu (shek. II), ka vazhduar të ekzistojë si emër vendi dhe etnik gjatë gjithë Mesjetës. Ky emër i lashtë ka mbijetuar nëpërmjet shekujve, duke u reflektuar në etnonime të tilla si arbër, arban dhe arbresh, të cilat pas pushtimit osman u përdorën kryesisht për shqiptarët e diasporës në Itali, Dalmaci dhe Greqi.[1]
Historia
RedaktoDikur mendohej se nga Ptolemeu deri në shekullin XI, kur "rishfaqet" emërvendi Arbanon ose Albanon, kishte një periudhë heshtjeje në burimet historike. Sot, megjithatë, janë zbuluar prova të rëndësishme në kronika dhe anale të ndryshme raguzane (si "Arbania" dhe "Albania") dhe bizantine (Άλβανία), që dëshmojnë përdorimin e pandërprerë të këtij emri nga shekulli II deri në shekullin XI. Emërtimet e hershme shqiptare si "Arbani" dhe forma të tjera si "Burukut Arbene" të përmendura nga Budi dëshmojnë për vijueshmërinë historike të emrit. Në sllavishten e vjetër ka ndodhur një metatezë e emrit, duke e transformuar në "Raban," proces që dokumentohet që nga fillimi i shekullit IX.[1]
Shumica e studiuesve të historiografisë ballkanike e kanë kufizuar hapësirën gjeografike të Arbërisë mesjetare në një zonë malore të vogël midis lumenjve Mat dhe Drin, ose në një katërkëndësh hipotetik që përfshinte Tivar-Prizren dhe Vlorë-Ohër. Në periudhën mes fundit të shekullit XI dhe fillimit të shekullit XII, u themelua Principata e Arbërit me seli në Krujë.[2] Ky ishte një ndër shtetet më të hershme shqiptare, që luajti rol të rëndësishëm në formësimin e identitetit politik të shqiptarëve. Në vitin 1272, mbreti Karli I Anzhuin themeloi Regnum Albaniae, ndërsa më vonë mbretër serbë si Milutini dhe Dushani e quanin veten mbretër të Arbërisë. Pas rënies së Perandorisë së Nemanjidëve, Arbëria u drejtua nga familjet bujare shqiptare si Arianitët, Balshajt, Dukagjinët, Kastriotët, Muzakajt, Shpatajt, Topiajt, Zenebishët dhe të tjerë.
Pas rënies së Durrësit (1501), Tivarit dhe Ulqinit (1571), Arbëria u pushtua plotësisht nga osmanët, duke sjellë një sërë ndryshimesh në strukturën administrative, emërtimet gjeografike dhe etnonimet. Në dokumentet e kohës, Arbëria përfshinte një hapësirë të gjerë gjeografike dhe politike, që shtrihej nga trevat e sotme të Kosovës, pjesë të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Dokumentet e hershme, si përmendja e Labit (Llapit) në mesjetën e hershme, tregojnë lidhjen e ngushtë të këtyre trevave me Arbërinë.[1]
Një dëshmi e rëndësishme për përfshirjen e Kosovës në Arbëri vjen nga kronisti francez i shekullit XIV, Filip de Meziere, i cili tregonte se Beteja e Kosovës (1389) ishte zhvilluar në Arbëri. Këto pohime mbështeten edhe nga udhëtarë dhe historianë si Brokieri, sipas të cilit pjesa më e madhe e Kosovës së sotme ishte pjesë e Arbërisë. Dokumentacioni austriak, osman dhe italian nga shekujt XV-XVIII gjithashtu përforcon këtë ide, duke përmendur Prishtinën, Pejën dhe Prizrenin si qytete të Arbërisë. Për shembull, perandori austriak Leopoldi shkruante për ushtritë e tij që luftonin "në Arbëri," ndërsa Prizreni përshkruhej si kryeqyteti i Arbërisë.
Në burimet mesjetare dhe osmane, Kosova ndonjëherë përfshihej edhe nën konceptin e Epirit. Dokumente të kohës flasin për Hasin si provincë në Epir, dhe për qytetet si Prishtina, Peja dhe Prizreni si pjesë e këtij rajoni historik. Përveç Arbërisë dhe Epirit, Kosova përmendet gjithashtu si pjesë e Dardanisë ose Mezisë së Epërme, duke pasqyruar ndryshimet e vazhdueshme në emërtimet dhe konceptet gjeografike në histori.[1]
Arbëria përfaqësonte jo vetëm një entitet gjeografik, por edhe një simbol të vazhdueshmërisë etnike dhe kulturore shqiptare, duke mbetur thelbësore në formimin e identitetit kombëtar shqiptar.[3] [4] [5]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b c d "FJALORI ENCIKLOPEDIK I KOSOVËS I, A-K – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. fq. 57–58. Marrë më 2024-12-17.
- ^ Zamputi, Injac (1984). "Rindërtimi i mbishkrimit të Arbërit dhe mundësitë e reja për leximin e tij / La reconstruction de l'inscription de l'Arbër et les nouvelles possibilités qui s'offrent pour sa lecture". Ilira (në frëngjisht dhe shqip). 14 (2).
- ^ ""Milosao"/ Ku shtrihej Arbëria dhe koncepti i Epirit". Gazeta Shqiptare Online. 2017-04-02. Marrë më 2024-12-17.
- ^ "Arberia Venedike". Bukinist. Marrë më 2024-12-17.
- ^ Admin (2015-05-01). "Arbëria dhe Shqipëria, përse ndodhi ndryshimi?*". Bashkimi i Shqiperise. Marrë më 2024-12-17.