Auron Zini Rrokaj, lindur më 06. tetor 1968 në qytetin e Vlorës. Përfundon shkëlqyeshëm shkollën e mesme të përgjithshme "Ali Demi" në Vlorë më 1986, ku merr çmime në disa Olimpiada në nivel lokal e kombëtar në fushën e gjuhës, historisë, gjeografisë, fizikës e matematikës.

Më 1990 përfundon fakultetin e filologjisë pranë universitetit të Tiranës, dega italisht. Përfundon specializimin ne Universitetin për të Huaj në Perugia (Itali) më 1994.

Nga viti 1990 deri më 1993 punon si mësues në Gjimnazin "Ali Demi" Vlorë e në shkollën e mesme "Tregtare" Vlorë. Më pas për një periudhë gati 15 vjeçare punon si përkthyes në një përfaqesi të huaj diplomatike e konsullore. Gjatë kësaj periudhe, zgjidhet anëtar i komisionit dypalësh për çeljen e Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë, mundëson hapjen dhe drejton për disa vite "Qendrën e Kulturës Italiane" e degës së Italianistikës në po atë universitit ku edhe jep leksione si Lektor i jashtëm nga viti 1996 deri më 2007.

I përkushtohet ndërkohë sporteve të ajrit dhe në vitin 2010 krijon aeroklubin e parë në Shqipëri "Eagles Aero Klub" i cili vepron në fushën e fluturimit të lirë, të motorizuar, sportiv e turistik, të turizmit, ekologjisë, aeronautikës, spektaklit ajror, fotografisë e filmimit ajror. Merr pjesë aktive në jetën politike, shoqërore, artistike, sportive dhe në mediat e shkruara e ato vizive. Zgjidhet nga shoqëria civile si Moderator i Forumit të Shoqërisë Civile për qytetin e Vlorës, ndërrmerr dhe realizon disa nisma e projekte prandaj vlerësohet nga Qyteti i Vlorës për kontributin e tij personal me çmimin "Protagonist i vitit 2010". Tërheqin vëmendje organizimi dhe realizimi i protestës qytetare "Bashkë kundër krimit" në kohën kur në Vlorë pati disa atentate me eksplozivë si dhe realizimi i nismës "Vlora hap dyert në 100-Vjetorin e Pavarësisë" për mikpritjen e mijëra shqiptarëve nga trevat jashtë Shqipërisë në shtëpitë e qytetarëve vlonjatë.

Në vitin 2014 nis punën si Drejtor i Arkivit të Shtetit Vlorë. Rezultatet dhe veprimtaria e spikatur drejtuese e tij kthehet në fokus për mediat lokale e kombëtare të cilat në raste të shumta i bëjnë jehonë problematikave, zgjidhjeve e rezultateve të institucionit prej tij të drejtuar.