Banja e Pejës
Banja e Pejës është një burim karstik me vetëderdhje (artezian) i ujit termomineral, me veti balnoterapeutike, banjë e njohur qysh nga periudha iliro-romake, që gjendet në fshatin Banjë e Pejës, në Rrafshin e Dukagjinit, në verilindje të Pejës, në një distancë prej rreth 12 km, me lartësi mbidetare 550 m. [1]
Përmbledhje
RedaktoUjërat termominerale burojnë përgjatë çarjeve tektonike, të lidhura në thellësi me shkëmbinj karbonatikë të mesozoikut, nga të cilat në sipërfaqe janë depozituar masa të mëdha të travertinës-oniksit, ndërsa në burimin kryesor të ujit masa të bigrit. Prurja ujore e burimeve është 17.5 lit/sek, ndërsa temperatura 46 48°C. Për nga përbërja kimike, uji i përket tipit hidrokarbonat të Na-Ca-Mg, me prani të dioksid të karbonit dhe komponenteve specifike të Ra, Sr, Ba, Li, SiO2 dhe mineralizim 2,040 g/l. Burimi i ujit termomineral është i kaptuar me punime ujëmarrëse dhe shërben për nevojat e banjës, e cila ka qendrën mjekësore stacionare për mjekësi fizikale dhe për rehabilitim me tri hotele të tjera. Uji termomineral i banjës shfrytëzohet për shërimin e sëmundjeve neurologjike, traumatologjike, kardiovaskulare, dermatologjike dhe gjinekologjike. Banja e Pejës disponon edhe hapësira te gjelbëruara dhe parkun, që shfrytëzohen për pushim dhe rekreacion. Kompleksi i Banjës së Pejës (qendra mjekësore, kapacitetet hoteliere dhe hapësirat e gjelbëruara), pronë e dikurshme shoqërore, është privatizuar dhe vazhdon me ofrimin e shërbimeve balneologjike si kompani private.[1]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 117. ISBN 9789951615846. OCLC 1083870022.
Lidhje të jashtme
Redakto- Onix Spa (faqe zyrtare) Arkivuar 5 korrik 2022 tek Wayback Machine