Bedrije Pipa e njohur më shumë si Bedi Pipa (Shkodër, 1923 - Tiranë, 12 janar 1948) ka qenë arsimtare dhe autore e një ditari, i botuar me titullin Ditari Intim,[1][2] ndër rastet më përfaqësuese të zhanrit të ditarit në shqip.[3] Është njëra prej motrave të Myzafer dhe Arshi Pipës.

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër, e bija e Mustafa Nuri Pipës dhe Hatixhes.[4] Vëllezërit Mustafa Nuri dhe Sait Pipa, i pari jurist dhe tjetri farmacist, ishin me prejardhje nga Libohova, u vendosën në Shkodër dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX dhe u martuan me dy bija të familjes shkodrane Shpuza.[5][6] Mustafa Nuriu, i shkolluar në Stamboll gjatë Luftës së Parë Botërore, në kohën e pushtim-administrimit të Shkodrës nga forcat austro-hungareze u punësua jurist në Drejtorinë e Drejtësisë. Në vitet 1923-26 u emërua anëtar i Gjyqit të Diktimit.

Bedrija ishte tre vite më vogël se Arshiu, por më e madhja nga motrat: motrat e tjera ishin Fehimja, Bukurusha dhe Nedreti. U rrit me të vëllain, Arshiun, deri kur ai shkoi në universitet ndërsa ajo në normalen e Tiranës.

Pasi mbaroi shkollën e mesme u kthye tek familja në Shkodër, dëshira e saj për të vazhduar shkollën e lartë jashtë shteti u pengua nga mundësitë familjare. Gja kjo që e mërziti dhe nisi të lexonte bindshëm romane, vepra shkencore, kritikë letrare, histori, autorë filozofie si dhe ndonjë studim mbi ta. Dinte mjaft mirë italishten dhe njihte frëngjishten mbi bazat. Nga fundi i vitit 1943 familja Pipa u zhvendos ne Tiranë, ku u stabilizuan edhe me punë. U emërua mësuese, detyrë në të cilën e gjeti çlirimi.

Befas u sëmur me laringit, por udhëheqja nuk ia dha lejen familjes që ta shtronin në ndonjë senatorium në Itali, kështu që nisi kurat në vend. Pasi kurat në Tiranë nuk dhanë shenja përmirësimi, mjekët e porositën të shkonte në Korçë; por klima e atjeshme nuk e ndihmoi ndopak. Nga fundi i 1947 u kthye në Tiranë,[2] ku ndërroi jetë në një dhomë të spitalit pa asnjë anëtar të familjes pranë ngaqë ishin të shtrënguar nga përndjekja e regjimit të ndërronin vazhdimisht shtëpi në Durrës me të atin invalid.[7]

Ditari intim

Redakto

Dorëshkrimin e ditarit e kishin familja e saj në Amerikë, por u botua së pari nga Ardian Klosi në revistën Quo vadis, Shqipëri? më 1993 me esenë "Era e trupit tem". Botimi integral u krye në dhjetor të 2007, në pragun e 60 vjetorit të vdekjes së Bedit në gjerdanin Ad memorandum të botimeve Fjala, botim i cili përmban nënpjesët “Fletë të Shkëputuna, 1941-1942, Tiranë-Shkodër”, “Rreth vetvetes, vjeshtë 1943”, “Ditar Intim, 1943-1944:” dhe “Letra, 1944-1945”.[2] Kështu botimi i këtij vëllimi përmban në vetvete si memuaristikë ashtu edhe letërkëmbim.[3]

Shkrimet i mblodhi Arshiu pas daljes nga burgu, që i radhiti sipas rendit kronologjik të pasqyruar tek botimi. Siç pohon vetë, Bedi nuk kishte preteza letrare, por vlera e shënimeve të saj kanë një rëndësi të posaçme për lexuesin e shqipes. Shqipja e përdorur është standardi i kohës, por si gjurmë personale është e dukshme shenja e të folmes së Shkodrës me kohën e ardhme idiomatike "ta(sh) po baj" (do të bëj), me një stil që pa nevojën e stolisjeve të tepërta përcjell ndjeshmërinë e një të reje shqiptare që nuk shihte përkatësi me mjedisin që e rrethonte. Shkrimet e saj janë zakonisht regjistrime, shënime të shpejta sipas fillit të vërejtjes dhe mendimit. Asaj nuk ia kishte ënda të botoheshin ngase të fshehtat e shpirtit të vet i bashkëndante vetëm me ndokënd të rrallë, që mund të pajtohej shpirtërisht.[1]

Referime

Redakto
  1. ^ a b Pipa A., Paraqitje Lexuesit, Tiranë: Botime "Fjala", 2008.
  2. ^ a b c Demo, Elsa (15 dhjetor 2007). "Ditari intim i Bedi Pipës". Shekulli (2140): 22–23.
  3. ^ a b Shatro, Bavjola (19 tetor 2009). "Bedi Pipa, rasti i çuditshëm në "Ditarin intim"". Shekulli (2765): 18–19.
  4. ^ Kalakulla, Uran (1999). Arshi Pipa – njeriu dhe vepra. Tiranë: Toena. ISBN 9992711698.
  5. ^ Bushati, Ahmet (2001). Në gjurmët e një ditari. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 141. ISBN 9992741112.
  6. ^ Nipi i kësaj familjeje, z. Parid Turdiu ka shkruar se motrat që u martuan me dy libohovitët e kishin mbiemrin e vajzërisë Suma.
  7. ^ Pipa, Fehime (1991). Përkthyer nga Ilir Hashorva. "Udhëtimi i gjatë dhe i pashpresë për një strehë". Albanica.