Kurt Erich Suckert, i njohur me pseudonimin letrar Curzio Malaparte (9 qershor 1898, Prato, Toskanë, Itali—19 korrik 1957, Romë), ka qenë një shkrimtar, publicist e korrespondent lufte, diplomat, kineast dhe aventurier italian. Njëri prej autorëve më kontradiktorë por edhe më origjinalë të mesit të shekullit XX, ai njihet prej dy veprave të tij Kaputt dhe La pelle, përzjerje të reportazhit me trillimin si mjet për të dhënë poetikën e efektit katastrofal të Luftës së Dytë Botërore.[1][2]

Curzio Malaparte

Lindur në Toskanë, i treti nga shtatë fëmijë të Erwin Suckert-it, një inxhinieri tekstilesh protestant që pati emigruar në kryeqendrën italiane të industrisë së ngjyrave Prato nga qyteza Zittau e Saksonisë në Gjermani, dhe milanezes katolike Edda Perelli.[3][4] Që prej vitit 1925[5] ai nisi të botonte me pseudo-mbiemrin Malaparte (Ana e keqe apo Fati i keq), një lojë fjalësh me mbiemrin Buonaparte të Napoleonit. Curzio (që në shqip lexohet Kurcio) është italianizim i emrit të tij.

Familja nuk i dha arsimim katolik. Ndoqi shkollën e mesme në liceun klasik Cicognini në Prato, shkolla që ndoqi edhe pararendësi dhe pjesërisht heroi i tij, poeti Gabriele d'Annunzio. Studimet e larta i kreu në Romë në Universitetin Sapienza.[4]

Malaparte mori pjesë në frontin e Francës si ushtar gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe u bë përkrahës dhe anëtar i Partisë Fashiste Italiane që herët--ai mori pjesë në marshimin e Romës në vitin 1922.[5] Ajo afërsi me fashizmin, si dhe aftësitë e tij sociale dhe letrare, si dhe vaniteti i tij i dhanë mundësinë të kthehej ndër publicistët më të njohur italianë, (Piero Gobetti, një veprimtar antifashist italian, dhe në jetë private mik i Malapartes, e pati cilësuar atë në vitin 1925 si "penën më të fortë e fashizmit"[6][7][8][9]) duke krijuar para Luftës së Dytë dy revista letrare dhe aktualiteti, duke drejtuar dy të tjera, dhe duke qenë kryeredaktor në vitet 1929-31 i së përditshmes së rëndësishme të Torinos La Stampa.[1]

Por si person i paparashikueshëm, në vitin 1933 ai u ftoh me Musolinin dhe fillimisht u burgos në Romë dhe më pas u internua për tridhjetë muaj në ishullin Lipari në veri të Siçilisë.[4] Shkak, me sa duket, nuk ishte ndonjë kritikë personale ndaj Il Duce-s, siç do të pretendonte më vonë Malapartja, por një tallje që i bëri një hierarku tjetër fashist, Italo Balbos, për grykësinë e vet.[10][11] Më vonë, ai u izolua dhe herë të tjera pas përplasjesh me politikën zyrtare fashiste, por ato periudha i kaloi nëpër vila dhe me makina dhe shofer privat, i ndihmuar në ato "internime" apo "arreste shtëpiake" nga miqësia e ngushtë me Kontin Galeazzo Ciano, dhëndër dhe njeriu më i besuar i Mussolinit. Miqësia me Kontin Ciano e ndihmoi edhe të punonte si korrespondent i jashtëm për të përditshmen milaneze Corriere della Sera pavarësisht fërkimeve me fashizmin.

Eksperienca si korrespondent i gazetës në frontin gjermano-sovjetik në vitin 1941 dhe më pas përshtypjet nga vende të tjera të frontit, përbënë bazën e Kaputt (1944), ku përshkruan rrënimin që solli Lufta e Dytë. Por nëse pjesën më të madhe të Kaputt-it Malaparte e shkroi, sipas shoqëruesit të tij Lino Pellegrini, me ndjesinë se lufta do të fitohej nga Fuqitë e Boshtit, kryeveprën tjetër të tijën, La Pelle (Lëkura, 1949), një përshkrim i mjerimit dhe poshtërimit që solli pas-lufta në zonën e Napolit, ai e shkroi kur kaloi në krahun e Aleatëve.[5]

 
Casa Malaparte, shtëpia që ndërtoi shkrimtari në ishullin e Capri-t dhe që u përdor për xhirimin e filmit Le Mépris.

Gjatë viteve 1938 - 1942, Malaparte ndërtoi një shtëpi të vetën në një shkëmb mbi det në pjesën perëndimore të ishullit të Caprit (Kapri) në gjirin e Napolit, njëra prej kryeveprave të arkitekturës moderniste. Në vitin 1963, Casa Malaparte u bë vendi i xhirimit të filmit madhor të Jean-Luc Godard-it Le Mépris (Përbuzja).[12]

Pas luftës, Malaparte ishte dhe regjizor i filmit Il Cristo proibito (Krishti i ndaluar, 1950), i cili arriti të marrë një çmim special në festivalin e parë kinematografik në Berlin, megjithëse me sukses të pakët publik. Edhe tre dramat e tij, njëra mbi jetën e shkrimtarit që duket se i pati ndikuar më shumë, Marcel Proustit (Du côté de chez Proust, 1948), një mbi atë të Karl Marksit (Das Kapital, 1949), dhe Anche le donne hanno perso la guerra (Luftën e humbën edhe gratë, 1954) nuk patën shumë sukses.[13][14]

Politikisht, ai u afrua fillimisht me udhëheqësin komunist italian Palmiro Togliatti, dhe më vonë me Mao Ce Dunin, të cilin edhe e takoi personalisht gjatë një vizite në Kinë një vit para vdekjes në Romë nga kanceri në mushkëri.[15] Pa e menduar se do mposhtej nga kanceri, Malaparte atë vit bëri plane për të udhëtuar me biçikletë përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Casa Malaparte-n në Capri ai ia la trashëgimi Republikës Popullore të Kinës që të përdorej si qendër shkëmbimesh kulturore mes Italiasë dhe Kinës Popullore, por qeveria italiane përfitoi nga fakti se Italia nuk e njihte Kinën komuniste për ta anulluar atë testament.[4] Ajo tani është muze në administrim të një fondacioni kulturor italian.[16]

Një prift jezuit i cili qëndroi me të në shtratin mortor tha pas vdekjes së Malapartes se shkrimtari, një ateist i deklaruar gjatë jetës së vet, u pagëzua katolik në momentet e fundit të saj.[17][18][19][20]

Vdiq herët, shkruan për të eseisti Marcello Veneziani, "por shekullit XX ja jetoi dhe ja përfaqësoi të gjitha ekzagjerimet."[21]

Përkthime në shqip

Redakto

Në shqip, Malapartes i është botuar fillimisht La pelle (Lëkura) nga shtëpia botuese Rilindja e Prishtinës në vitin 1978, më pas, e ripërkthyer dhe botuar në Tiranë nga shtëpia botuese OMSCA-1 në vitin 2002. Kaputt u botua në Tiranë në vitin 1998, po nga OMSCA-1. Dy analiza të gjata publicistike të tijat, Technique du coup d’état (Teknika e grushtit të shtetit, të shkruar në frengjisht) dhe Intelligenza di Lenin (Inteligjenca e Leninit), u botuan në Tiranë respektivisht në vitin 2006 dhe 2015.[22]

Referime

Redakto
  1. ^ a b "Zëri Curzio Malaparte në Enciklopedinë Treccani". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Rakow, Christian (8 nëntor 2014). "Fieberfantasie eines sterbenden Dichters". nachtkritik.de. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Zëri Curzio Malaparte në Enciklopedinë Universalis". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c d Guerrieri, Osvaldo (2013). Col diavolo in corpo. Vite maledette. Da Amedeo Modigliani a Carmelo Bene. Vicenza: Neri Pozza editore. fq. 320. ISBN 9788854507357. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b c Malaparte, Curzio (2005). Kaputt. New York: New York Review of Books. fq. 410. ISBN 9781590171479. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Candeloro, Giorgio (2002). Il fascismo e le sue guerre. Milano: Feltrinelly. fq. 194. ISBN 9788807808043. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Hope, William (2006). Curzio Malaparte: The Narrative Contract Strained. Leicester, Britani e Madhe: Troubadour Publishing. fq. x. ISBN 9781899293223. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ "Died. Curzio Malaparte (real name: Kurt Suckert), 59, Italian writer (Kaputt, The Skin)". Time Magazine (në anglisht). 29 korrik 1957.
  9. ^ "Allies Take Fascist from Villa in Capri". New York Times (në anglisht).
  10. ^ Fasanotti, Pier Mario (shkurt 2015). "Malaparte mattatore". Succede Oggi. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ White, Edmund (27 tetor 2011). "The Rogue Genius". New York Review of Books (në anglisht).
  12. ^ Bailey, John (20 prill 2014). "'A House Like Me': Curzio Malaparte and Jean Luc Godard". American Cinematographer. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 13 korrik 2018. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ "Berlinale Prize&Honours 1951". Arkivuar nga origjinali më 12 qershor 2018. Marrë më 13 korrik 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ "Zëri Curzio Malaparte në kirjasto.sci.fi, e ruajtur në GitHub" (në anglisht).
  15. ^ Beyer, Frank (25 maj 2018). "When Malaparte Met Mao". Los Angeles Review of Books China Channel. Arkivuar nga origjinali më 10 dhjetor 2018. Marrë më 13 korrik 2018. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ "Architecture Daily" (në anglisht).
  17. ^ Randall, Frederika (28 gusht 1998). "Curzio Malaparte --A Dandy in Hell". Wall Street Journal (në anglisht).
  18. ^ "Curzio Malaparte -- The Poetry Foundation" (në anglisht).
  19. ^ McAdams, C. Michael (1998). "CROATIA: MYTH AND REALITY". Studia Croatica (në anglisht).
  20. ^ Rossi, Gianni (16 korrik 2008). "Malaparte, Igor Man: «Fu vera conversione»". Toscana oggi. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  21. ^ Veneziani, Marcello (19 korrik 2017). "Malaparte, il Narciso degli estremi". Il Tempo. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  22. ^ Katalogu OPAC në Internet i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.