Ekonomia dhe shoqëria ilire në lashtësi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.s. kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire.
Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.
Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e shek. V-të p.e.sonë.
Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave urbane.
Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.
Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.
Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.
Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.