Fjalori i Marko Boçarit apo Fjalorthi i Boçarenjëve titulli origjinal i të cilit është Leksikon i romaishtes dhe arbanishtes së thjeshtë (greqisht: Λεξικον τις Ρομαικης και Αρβανιτικης απλησ) është fjalori i parë greqisht-shqip i përpiluar nga prijësi suliot asokohe 19 vjeçar Marko BoçariKorfuz më 1809 me porosi e konsullit frëng në Janinë, François Pouqueville.[1]

Historia

Redakto

Që më 1803 shumë prej krerëve të Sulit qenë zhvendosur në Korfuzin asokohe të bashkëqeverisur nga rusët dhe osmanët. Pas 1807 me ndryshimet që ia behën prej luftërave napoleonike, ishullin e qeverisi administrata franceze dhe suliotët u bënë pjesë e njësisë së quajtur Régiment albanais. Fjalori u porosit nga konsulli frëng, dhe sipas shënimit të konsullit, Boçari e përpiloi prej vullnetit të të atit, xhaxhait dhe vjehrrit të vet.[2] Dorëshkrimi i fjalorit iu dhurua Bibliotekës Kombëtare në Paris nga vetë konsulli me shënimin "Ky fjalor është shkruar nga dora e Marko Boçarit në Korfuz më 1809 përpara meje. Poqueville" (frëngjisht: Ce lexique est écrit de la main de Marc Botzaris à Corfou en 1809 devant moi. Pouqueville).

Përmbajtja

Redakto

Dorëshkrimi i fjalorit nuk e ka fjalësin në rend alfabetik, përmban po ashtu një metodë greqisht-shqip pa mësues si dhe dialogje greqisht-shqip. Shqipja e shkruar është ajo e të folmes së Sulit. I shkruar me alfabet grek, disa prej gërmave të shkrimit duken të sajuara nga vetë Boçari. Ai vetë dinte disa gërma që i kishte nxënë prej murgut Samuil, ose sipas një të dhëne tjetër, te Manastiri i Profet Elias. Akademiku grek Titos Johalas që ka studjuar dorëshkrimin është i mendimit se fjalori ka qenë i porositur nga Pouqueville në mënyrë që t'i shërbente për hartimin e një fjalori frëngjisht-shqip. Këtë do ta arrinte duke përkthyer zërat greqisht të fjalorit si dhe duke transkriptuar pjesën shqipe në alfabet latin, që e botoi në vëllimin e tij Voyage dans la Grèce (shqip: Udhëtim nëpër Greqi), vëll. 2, f. 617-623, më 1820.[2]

Dorëshkrimi përbëhej prej 111 faqesh me 1494 fjalë shqipe, dhe 1701 fjalë greke.[3]

Botime

Redakto

Përpos shfrytëzimit të lëndës së fjalorit në udhëpërshkrimin e konsullit frëng, ekzistenca e fjalorit njoftohet vetëm më 1895 nga Lambros.[4] Si i tillë fjalori u botua për herë të parë më 1926 në Tiranë me titullin Fjalori i Marko Boçarit me një parathënie nga Lumo Skëndo.

Më 1980 akademiku grek Titos Johalas e transkriptoi dhe transliteroi fjalorin, duke e botuar me kritere shkencore bashkëkohore, botimi u çmua edhe nga kolegu shqiptar Jup Kastrati. Më 2007 fjalori i përgatitur në gjuhën shqipe, i përkthyer nga Sokol Çunga, u botua nën përkujdesjen e Niko Stillos.[3]

Referime

Redakto
  1. ^ Γιοχάλας, Τίτος Π. (1980). Το ελληνο-αλβανικόν λεξικόν του Μάρκου Μπότσαρη (φιλολογική έκδοσις εκ του αυτογράφου) (në greqisht). Αθήνα: Ακαδημία Αθηνών. fq. 29, 39–42.
  2. ^ a b Γιοχάλας 1980, fq. 40-41.
  3. ^ a b Hamzai, Dhurata (8 dhjetor 2007). "Fjalori i Marko Boçarit". Tema (2254): 20.
  4. ^ Hamp, Eric P. (1972). "Albanian". degruyter.com (në anglisht). fq. 1644.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)