Gavril Dara i Riu

This is the stable version, checked on 10 shkurt 2021. 2 pending changes await review.

Gavril Dara i Riu lindi më 1826PallaciSicilisë në një familje të trashëguar bujarësh shqiptarë, që kishin kaluar përtej Adriatikut pas vdekjes së Skënderbeut. Po kështu Dara i Riu bëhet poeti trashëgimtar, pra brezi i tretë i një familjeje me kulturë kombëtare, ku kishin bërë emër gjyshi i tij Gavril Dara Plaku, dhe i ati Andrea, veçanërisht në mbledhjen e folklorit arbëresh. Kjo trashëgimi kulturore familjare ashtu dhe talenti i tij do të përbëjnë shtratin krijues që prodhoi poezinë e tij të madhe.

Fotoporteti
Emri Gavril Dara
Lindur më 1826
Lindur në Pallaci
Kombësia Shqiptare
Shtetësia Italiane
Profesioni Shkrimtar, jurist

Dara mbaroi seminarin shqiptar të Palermos dhe përfundoi studimet për drejtësi dhe punoi si avokat. Si njeri i zoti në fjalë e në veprime, mori pozita administrative në disa qytete. Botoi një fletore letrare me emër Paligenesi, që merrej me letërsi italiane. Në Romë, në vitet 1871-1874, drejtoi të përkohshmen La riforma. Fundin e jetës e kaloi në qytetin Xhirxhenti, në të cilin vdiq më 1885.

Dara u mor me drejtësi, gazetari e poezi, duke pasur interes të veçantë për filozofi e arkeologji. Ai u mor me jetën e me kulturën italiane. Po si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat i mbetën në dorëshkrim. Në dorëshkrim mbeti edhe kryevepra Kënga e sprasme e Balës, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro. Më parë Zef Skiroi kishte nisur botimin e poemës më 1887, mirëpo një botim në vazhdime u bë në La Nazione Albanese gjatë viteve 1900-1902. Dara kishte shkruar edhe Alcune Poesie (1848) dhe I nostri mali (1870).

Kënga e sprasme e Balës është pandan i MilosaosDe Radës : ka figurën poetike të freskët si ajo, por ka një strukturë artistike më të lidhur. Është një kryevepër e poezisë romantike shqipe.


Hyrje dhe biografia

Redakto

Zanafillën e vet lëvizja letrare arbëreshe e pati në ngulimet e Siçilisë, me studjues e letrarë të ndryshëm, si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta, Gavril Dara (plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara (i riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i gjyshi. Lindi në Pallacë (Palazzo Adriano) më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin shqiptar të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi. Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha që më tepër ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin "Disa poezi", shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të vëllimite dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi. Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, "Palingenesi" (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860.

Në të njëjtën kohë ai s'i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar "Ana Maria". Poema është shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parëdhe Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik të karakterit të tyre.

Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74 Darën e gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike "La Reforma"(Reforma), që shpreh ide përparimtare të së majtës.

Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën. Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul "Të zezat tona", ku jepet një tabllo rrëngjethese e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që rëndonte mbi popullin. Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën "Djalli dhe Muza". Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur. Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane.

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.

Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit. Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.

Dara qe një njeri i gjithanshëm. Ai dha ndihmesa në fusha të ndryshme si: drejtësi, filozofi, arkeologji, gjuhësi, histori, kritikë, po kryesisht shkëlqeu si poet. Në letërsinë tonë ai ka hyrë me "Këngën e spasme të Balës", të cilën me modesti e paraqet si të popullit, po që, për nga fryma aktuale, uniteti i brendshëm e tiparet e stilit, si dhe romantika që e përshkron duket që është fryt i talentit të Darës. Vepra shoqërohet nga një parathënie e një pasthënie, ku autori, shpreh synimet e veta patriotike, duke hedhur zërin e kushtrimit për shqiptarët. Poema doli në dritë më 1906 si libër më vete, pasi ishte botuar pjesë-pjesë në shtypin arbëresh. Aty trajtohen probleme aktuale të kohës, duke iu drejtuar së kaluarës historike, kohës së Skënderbeut. Fryma aktuale është edhe më e ndjeshme sesa në veprat e De Radës. Vepra ka në bazë dy ide qëndrore: njëra ngjan me idenë e shprehur nga De rada te "Këngët e Milosaos" se nuk mund të ketë lumturi vetjake kur vuan atdheu, dhe ideja tjetër është se atdheu mund të çlirohet vetëm me luftë të armatosur. Ideja e parë shtjellohet nëpërmjet linjës së dashurisë. Së dytës i kushtohet një linjë e veçantë me tablo të gjalla nga betejat e shqiptarëve me osmanët. Ide të tjera që rrezaton ideja qendrore, janë ideja e domosdoshmërisë së një udhëheqjeje të fortë dhe ideja e bashkimit të shqiptarëve, ideja e vitalitetit të kombit, e virtyteve të larta që e dallojnë atë, ideja e luftës për ta ruajtur të pastër, duke e mbrojtur nga rreziku i asimilimit prej kombeve të tjera.

Këtë tematikë dhe problematikë, këto ide i patëm ndeshur edhe te De Rada. Elementi i ri që sjell në këtë drejtim Dara është forcimi i frymës aktuale, e cila jepet në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë sesa te De Rada në pjesët lirike, kryesisht rritja e frymës luftarake e karakterit aktiv militues. Ndonëse pasqyron në poemën e vet edhe tragjizmin e luftës së pabarabartë të shqiptarëve me një fuqi të madhe ushtarake si Turqia, përmes përshkrimit të tablove rrënqethëse të betejave dhe fati tragjik të herojve kryesorë, poeti e vë theksin te qëndresa e madhërishme e atdheut, te fitorja. Heroikja këtu jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat kanë edhe bazë objektive historike , si beteja e Beratit, dhe ajo e Valkalit. Dhe mbirja simbolike e pemëve në fund të veprës mund të kuptohet si pohim i një vitaliteti të pashtershëm, vitalitetit të një populli në luftë të përhershme me ata që duan ta shuajnë. Dara shpreh dhe tragjedinë e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë letërsisë sonë përmes figurës së plakut Balë një tip të ri, tipin e arbëreshit të mërguar në dhè të huaj. Idetë e veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet kryesore, Niku dhe Pali, te personazhet e Balës dhe të Darës si dhe te Skënderbeu, i cili, megjithëse personazh episodik, luan një rol të veçantë në poemë. Niku dhe pali janë heronj të frymëzuar nga folklori, që kanë marrë veçoritë e heronjve romatikë atdhetarë. Që të dy janë trima dhe patriotë. Kështu, Niku i thotë Darës me vendosmëri:

Sa shpalosur në er' mbi kodrat
Të valoj' flamur i Arbrit
Gjersa n'vesht e mi të mbrijë
Hingëllima e kuajve t'huaj,
t'i o pris i moçëm luftrash
k'tu t'vendosur do më gjesh.

Pa asnjë ngurrim (dhe këtu paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon e De Radës) ai flijon lumturinë e vet familjare për hir të atdheut. Kurse në prag të vdekjes, gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për rininë që po i këputet në lulëzim e sipër. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në betejën e Valkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të zmbrapsë turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht në amanetin kuptimplotë që ai i lë Darës duke kërkuar që armët e tij të varen në një pemë dhe të vazhdojnë t'u kallin tmerrin osmanëve. Të dy heronjtë kanë veçori që i dallojnë. Niku del më i plotë si personazh. Ai është i ndjeshëm dhe ëndërrimtar, poet dhe këngëtar i talentuar, fizikisht i pashëm, i aftë për një dashuri të madhe e të thellë, siç e shohim në marëdhënie me Marën, krenar dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe gjaknxehtë është edhe Pali, tek i cili deri diku shfaqet sedra klasore e feudalit. Kjo ndjenjë e fundit gjen shprehje në qëndrimin e tij përbuzës ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur "zot i dy zallishteve", "ushtarth ballukedredhur". Këto dy personazhe i plotëson Bala që nuk është vetëm zëdhënës i autorit, po ka edhe një jetë të vetën. Në luftë ai është i pamëshirshëm me armiqtë, po pas betejës është plot ndjenja të buta njerëzore. Qëllimi patriotik i poetit shprehet edhe te figura e luftëtarit Darë, i cili e qorton Nik Petën, që kërkon të martohet me një të huaj. Ideali atdhetar i Darës spikat veçanërisht tek figura e Skënderbeut. Heroi përshkruhet kryesisht si prijës ushtarak, strateg e luftëtar, prandaj vendoset në skena të tilla që i bëjnë të dalin në dritë më qartë këto anë të figurës së tij; në këshillin e luftës dhe në betejë. Gjithashtu, ai zbulohet në marrëdhënie me të tjerët, duke theksuar ndikimin e fjlaëve dhe veprimeve të tij mbi këta të fundit. Skënderbeu i Darës del njeri më tepër i veprimit sesa i fjalës, vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës për të kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj plakur Harun, të cilin nuk e lë të ikë menjëherë, duke dyshuar për ndonjë pabesi nga ana e tij, po ia dorëzon Pal Golemit që ta ruajë, fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të shkojë për të çliruar Marën); që di të falë edhe gabime kur e kërkon e mira e atdheut (skena me Moisiun). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm. Dara nënvizon autoritetin e e madh të Skënderbeut përmes një skene kuptimplotë (që ka analogji me një skenë të ngjashme te "Skënderbeu i pafat" i De Radës, po, megjithatë është origjinale): mjafton një vështrim i tij që t'i bëjë të ndahen të turpëruar Nikun e Palin, kur po nisnin dyluftimin për shkak të Marës; nënvizon dashurinë e ushtarëve për heroin, dashuri e cila është aq e madhe, sa i bën që edhe mendimet e fundit para vdekjes t'ia drejtojnë atij. Megjithëse Dara nuk thellohet në botën shpirtërore të heroit, Skënderbeu i tij është i gjallë si karakter dhe, ndoshta, më i afërt me realitetin historik sesa paraqitet në veprat e rilindësve të tjerë. Te Mara megjithëse e paraqet si të huaj. Dara ka mishëruar disa nga cilësitë e gruas shqiptare. Ajo është e bukur, e urtë, e mençur, e zjarrtë dhe e qëndrueshme në dashurinë e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë, çka shfaqet në kohën kur, e dorëzuar te Ballbani nga i ati i pabesë, mbrohet nga turqit me thikë në dorë. Poeti jep edhe një portret kolektiv të grave shqiptare, të cilat "tisi i nderit i mbështjell…/kanë si dasëm luftrat/andej syresh lindin trima."

Personazhet negative janë vizituar me vija të lehta, po shprehëse. Kauri Balës është njeriu që, për të kënaqur lakmitë, shkel edhe mbi dashurinë prindërore; ai është njeri i pabesë që të vret pas shpine. Dara i jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe herë pas here përmes zbulimit të portretit të tyre fizik, siç është rasti i Nikut ose i Marës. Ndikimi i poezisë popullore, e cila është burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, në këtë vepër është shumë i madh. Dara merr nga poezia popullore heronjtë kryesorë, Nik Petën dhe Pal Golemin, mjaft veçori të figurës së Skënderbeut dhe asaj të Ballabanit, ndërthur në veprën e vet shumë motive nga poezia popullore arbëreshe, si ndarja e dy të dashurëve, që të kujton legjendën e Kostandinit të vogël; motivi i rrëmbilit të vajzës nga "qeni turk"; motivi i shkëmbimit të unazës midis bashkëshortëve, kur burri niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës që e qorton nusen për parandjenjat e saj të këqija; motivi i amanetit të trimit që e shoqja të martohet; motivi i vdekjes së përnjëherëshme të njerëzve shumë të afërt; motivi i mbirjes së një peme mbi varr. Po tërë këtyre motiveve ai u jep një formë origjinale, duke i lidhur ngushtë me idetë e veprës dhe duke plotësuar e forcuar ato tipare që u jep folklori heronjve të vet. Pra, në thelb, Dara mori thjeshtësinë dhe frymën e thellë patriotike të poezisë popullore arbëreshe. Në formë ai merr vargun karakteristik trokaik pa rimë larminë ritmike, figuracionin e gjallë, stilin, muzikalitetin e rallë që të tërheq dhe, nganjëherë, vargje të tëra.

Dara është një poet piktor në veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu edhe në vizatimin e skenave lirike. Mjeshtërisë së poetit i shërben figuracioni i pasur dhe konkret.

Dara dallohet në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve, E fuqishme është antiteza e këngës së dytë midis trimave të Skënderbeut, që gëzojnë pranë zjarrit, dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë, "Te hija e lisit të helmit". Me një antitezë tronditëse flitet për trimat e rënë në sheshin e betejës.

Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe nga njomësia e ndjenjave, kurse epitetet-kompozita janë konçize. Me një epitet të vetëm, ai shpreh një karakter të tërë. Kështu, p.sh., Moisiu është "ballëfshehur", Vrana Konti "zemër e krah lisi" etj. Si të gjithë romantikët, Dara ka një ndjenjë të thellë për natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që shoqëron veprimin dhe ndalet në anët e saj më të të ashpra e më të rrepta, që përputhen me madhështinë tragjike të epokës së përshkruar. Ndikimi i poezisë antike dhe i poemave kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar vrullin e poetit romantik, dhe, nga ana tjetër, kanë sjellë në vepër edhe disa shenja të veçanta në ndërtimin e saj dhe në figuracion. Në këtë poemë, në krahasim me veprat e mëparshme të letërsisë arbëreshe, janë rritur fryma luftarake dhe ajo aktuale në pasqyrimin e epokës së Skënderbeut, ngjyra historike, epizmi dhe uniteti i veprimit. Ky unitet është i dukshëm edhe pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën si popullore, mistifikim i zakonshëm ky romantik, përpiqet që të krijojë me disa shënime iluzionin e copëtimit.

Në krahasim me De Radën, Dara është më i ekuilibruar, ndonëse di të shprehë tallazet e pasioneve, sepse ka një përfytyrim më real për botën dhe jetën.

"Kënga e sprasme e Balës", në të cilën poeti derdh tërë diturinë e frymëzimin e vet, mbetet një nga veprat më të mira të letërsisë shqiptare

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.

Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit. Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.