Gjigantët (greqisht: Γίγαντες, njëjësi Γίγας Latin: Gigantes shqip: Viganët) - viganë të shëmtuar, flokëgjatë, djemt e Gesë, hyjneshës së tokës, të lindur nga pikat e gjakut të Uranit të qiellit.

Gigantomachia: Dionisi attacking a Giant, Attic red-figure pelike, c. 460 BC, Louvre.
Gjigant

Pasi qenë pasardhës të zotërave më të lashtë se sa ata olimpikë dhe pasi ishin tepër të fortë, nuk e pranuan sundimin e Zeusit, zotit suprem, edhe pse për botën qe më i mirë se sa pushteti i përparshëm i Kronit. Hyjnesha e tokës, Gea, e cila nuk ka mundur t'ia falë Zeusit që e rrëzoi nga froni birin e saj, Kronin, i nxit Gjigantët në kryengritje. Gjigantët nuk pritën shumë dhe kur prej Gesë e fitojnë bimën magjistare, çohen nga vendlindja, Palena (në siujdhesën Halkidik) dhe e sulmojnë Olimpin. Shpërtheu beteja e tmerrshme dhe zotërat u gjetën në gjendje të vështirë. Zeusi, zoti suprem, u drejtohet për ndihmë njerëzve: e dërgon hyjneshën Atena që ta sjellë Herakliun, birin e vet të kësaj bote. Kur Gea mori vesh për këtë u përpoq që djemve të vet t'ua gjejë bimën e cila do t'i mbronte edhe prej armëve të njerëzve. Mirëpo, nuk pat sukses ta gjejë këtë, sepse zoti Zeus i ka ndaluar Heliut, zotit të diellit, pastaj edhe Selenës, hyjneshës së hënës, që ta ndriçonin botën me rrezet e tyre, ndërsa vetë i këputi dhe i asgjësoi të gjitha bimët e tilla. Ardhja e Herakliut e vulos fatin e Gjigantëve. Mirëpo, ata nuk dorëzoheshin dhe në vend të lutjes për mëshirë e zgjodhën vdekjen në luftë. I pari vritet Alkioni, Gjiganti më i fuqishëm. Herakliu e plagosi me shigjetë të helmuar dhe pastaj në dyluftim e tret përtej kufijve të Palenit, sepse e ka ditur se në vendlindje Alkioni është i pavdekshëm. Suksesi i Herakliut u dha zotërave fuqi të re. Hefesti e hudh në Gjigantin Klit, kodrën e hekurit të zjarrtë, ndërsa Atena në Gjigantin e trullosur, Enkelad, ujëdhesën Sicilia, Poseidoni e rrëzon në det Gjigantin Polibot, me një copë toke, të cilën e merr nga ujëdhesa Koa dhe kështu u formua ujëdhesa Nizir. Shumicën e Gjigantëve të tjerë Zeusi i rrëzoi nga Olimpi me vetëtima dhe pastaj Herakliu të trullosur i vret.

A mos vallë ka qenë ky ngadhënjim i gëzueshëm i zotërave të ndritshëm olimpikë mbi përbindëshit e mbrapambetur ose admirim ndaj trimërisë së kryengritësve kundër zotërave që i ka frymëzuar artistët e botës antike për Gjigantomani të shumta, ose ,kjo ka qenë më parë krenaria e pashtruar, që në çastet më të vështira, zotërat kanë qenë të detyruar që për ndihmë t׳u drejtohen njerëzve - mbetet çështje e hapur. Gjigantomani të tilla janë ruajtur në piktura në më se njëqind vaza. Prej tyre gati në dyzet është Herakliu në luftë me Gjigantët (nga shek. VI-IV para e.s.). Relievi më i lashtë Lufta e Gjigantëve me zotërat, për të cilën dimë sot se është nga frizi i thesarit të Sifniasve në Delfe është ai i vitit 525 para e.s. Gjigantomania më e njohur është ajo në elterin e Zeusit në Pergam e vitit 180-160, para e.s. (Ky elter të cilin e ka zbuluar Karl Humanni, arkeologu gjerman, në vitin 1875 u sollë në Gjermani dhe u restaurua në Muzeun e ri Pergamon në Berlin i cili sot është pjesë përbërëse e Muzeut Shtetëror të Berlinit, në kohën e vjetër është konsideruar si njërë prej mrekullirave të botës). Nga antika na janë ruajtur një sërë paraqitjesh individuale të Gjigantëve. Njëri prej më të veçuarve është Gjiganti me flatra në varrezën etrure në Tarkvini (përafërsisht nga viti 80, para e.s.) dhe sidomos tre torzo prej gjashtë truporeve të Gjigantëve para Odeonit të Agripës në Agorë të Athinës përafërsisht e vitit 150 të e.s. (Dy prej këtyre torzove paraqesin Gjigantët si kombinim njerëz dhe peshq, i treti si njeri me trup të gjarprit, d.m.th. "Gjigantin klasik" sipas parafytyrimeve antike). Pikturat dhe skulpturat e Gjigantëve të kohës së re as që mund të numërohen. Më e dalluar prej tyre konsiderohet piktura e madhe murale që paraqet Rrëzimin e Gjigantëve i Giulio Romanit (Gjulio Romanit) e vitit 1532-1534 dhe që gjendet në Paiazzo del Te (Palaco del Te) në Mantovë. Në pallatin Çerninsk në Pragë gjendet freska e njohur e V. V Rainerit (V. V. Rajnerit), që paraqet Sulmin e Gjigantëve në Olimp, e vitit 1718, ndërsa prej shtatoreve të njohura janë Gjigantët e Ignac Platzerit (Ignac Platcer) e vitit 1678 (mbi dyert e hyrjes të qytetit të Pragës).