Hanif Kureishi
Hanif Kureishi (Bromley, Angli, 5 dhjetor 1954) është shkrimtar, autor tregimesh dhe romanesh, esesh, skenaresh dhe pjesësh teatrale, dhe regjisor anglez. Djali i një funksionari indiano-pakistanez nga Madrasi dhe një nëne angleze, ai transformoi letërsinë në anglisht të shekullit XX duke prezantuar temat e emigrimit, të racës dhe të domethënies së lirisë seksuale për ata që jetuan në vitet 70 dhe 80.
Në një shkrim të gazetës Times të Londrës, Kureishi është vlerësuar ndër 50 shkrimtarët më të rëndësishëm britanikë të pas-1945-ës[1]. Për meritat letrare, Kureishi u bë Commander of the British Empire (urdhëri i Komandantit të Perandorisë Britanike, një titull honorifik që jepet në Mbretërinë e Bashkuar) në vitin 2008, dhe Chevalier de l'Ordre des Arts et des Lettres, (Kalorës i Urdhërit të Arteve dhe Letrave) nga Ministria e Kulturës e Francës[2].
Bromley, lagjia ku lindi dhe u rrit Kureishi, është një rrethinë në jug të Londrës që teknikisht nuk i përket qytetit, por kontesë Kent. I ati, lindur në një familje të parisë së Madrasit në juglindje të Indisë, pati emigruar në Angli viteve 50, dhe punonte në ambasadën e Pakistanit në Londër. E ëma ishte shtëpiake.
Shkollën e mesme, Kureishi e bëri po në Bromley, dhe siç ka dëshirë ta përmendë shpesh, 10 vjet pas David Bowie-t, të cilin më vonë e pati mik dhe hero personal, dhe me të cilin bashkëpunoi disa herë.[3][4] Ajo lagje figuron shpesh në letërsinë e tij, rrethinë e një metropoli që nis të hasë emigrimin, racizmin, paragjykimet dhe konfirmimet seksuale gjatë adoleshencës.
Më pas Kureishi studioi për filozofi në Kolegjin e Mbretit (King's College) në Londër, por si shkrimtar karrierën e filloi me tekste pornografike nën pseudonimin Antonia French dhe Karim. Ai nisi të punojë në Teatrin Mbretëror të Londrës si shoqërues spektatorësh, për të përfunduar si dramaturg rezident i atij teatri në vitin 1982.[5]
Skenari që shkroi për filmin My Beautiful Laundrette (Lavanderia ime e bukur, 1985) ishte kandidat për Oskar, ndërsa libri Buddha of Suburbia (Buda nga rrethinat, Londër, 1990) i mori çmimin Whitbread për roman të parë[6] dhe u kthye në bestseller dhe roman kult.
Mjaft vepra të tij janë kthyer në filma apo seri televizive, përfshirë edhe Budën nga rrethinat, të cilin BBC-ja e përshtati si serial televiziv kolonën muzikore të të cilit e bëri David Bowie. Regjisori francez Patrice Chéreau shfrytëzoi fabulat e disave prej tregimeve të Kureishit për filmin e tij Intimacy (Intimitet, 2001), një trajtim i efekteve të tradhëtisë bashkëshortore por dhe pakënaqësive të mesmoshës, tema që përsëriten shpesh në krijimtarinë e Kureishit. Filmi pati mjaft sukses të kritikës, duke fituar Ariun e Artë për filmin më të mirë dhe Ariun e Argjendtë për aktoren më të mirë protagoniste në Festivalin e Filmit të Berlinit në vitin 2001, por nuk i shpëtoi kontradiktave për shkak të një skene të aktit seksual fellatio të pasimuluar. Megjithëse ndan të njëjtin titull me novelën e Kureishit Intimacy (Londër, 1998), filmi nuk është adaptim i saj[7].
Kureishi refuzon të marrë përsipër rolin e një përfaqësuesi të Pakistanit (apo të eksperiencës së Azisë Juglindore) në letërsinë perëndimore, dhe letërsia e tij, në fakt, i rrëshqet nga dora klasifikimeve të thjeshta sociologjike: Personazhet e tij mund të jenë brez i parë emigrantësh por që nuk shprehin ngarkesën historike të vendeve të origjinës të prindërve, por thjesht problemet e jetesës në shoqërinë ku jetojnë. Shpesh personazhe të tij janë njerëz të tjerë pa të tillë ngarkese të të kaluarës, njerëz në eksplorime seksuale të rinisë dhe në ato përpjekjet e dështuara për komunikim gjatë krizave të mesmoshës, shkrimtarë dhe aktorë, apo persona që duan të bëhen shkrimtarë apo aktorë. Përveç kësaj, bota që përshkruan Kureishi, e cila rrotullohet rreth Londrës, është e lidhur ngushtë me kulturën popullore të kohës, me disqet, albumet dhe muzikën nga Beatles-at deri tek glam rock-u i viteve 80.[8] Por Kureishi është marrë gjithashtu edhe me radikalizimin e mëvonshëm të emigrantëve myslimanë në Angli, me marrëdhëniet që ka me Pakistanin, vendin ku gjenden të afërmit e tij.
Në vitin 2014, Kureishi botoi A Theft: My Con Man (Një vjedhje: Mashtruesi im), një ese biografike mbi marrëdhënien që pati me kontabilistin që ia shpërdoroi krejt kursimet. Adam Woricker-i, i cili punonte për kompaninë që administronte të ardhurat e Kureishit, i pati çuar në tym 120,000 lira stërlina të Kureishit dhe mbi 1.5 milionë lira stërlina nga fonde të tjera, si ato të kongregacionit të krishterë ku ishte vetë pjesëmarrës, "për t'i bërë përshtypje të dashurës së tij shqiptare."[9][10][11]
Kureishi është njohur si autor që përdor elemente të shumta të jetës së tij familiare në letërsinë e tij. Në romanin Buda nga rrethinat dhe filmin Lavanderia ime e bukur figura e prindit dhe pjesë nga personazhe të tjera janë marrë nga familja e vetë Kureishit, babai, xhaxhai, nëna e tij. Intimiteti, novelë që përshkruan planifikimin që bën heroi i saj të lërë të shoqen dhe dy fëmijët, u botua në të njejtën kohë kur Kureishi la të shoqen dhe fëmijët dhe u fut në lidhje të re.[12][13]
Ndikimi emancipues dhe udhëhapës i letërsisë dhe temave të Kureishit ndihet në letërsinë postkoloniale (të fëmijëve të brezit të parë të emigrantëve në Perëndim) në anglisht edhe sot. Shkrimtarja indiano-amerikane Jhumpa Lahiri është cituar të ketë thënë se me Budën nga rrethinat, Kureishi "më tregoi diçka: thashë me vete ja një gjë që mund ta bëj dhe unë." ("...opened up something for me: I thought here's something I could do too.") Të njëjtin rol ia dha atij dhe shkrimtarja tjetër indiano-amerikane, Ameena Meer.[14] Kritiku Robert McCrum ka shkruar se White Teeth, (Dhëmbë të bardhë, Londër, 2000), romani jashtëzakonisht i suksesshëm i anglezes Zadie Smith mbi fatet e një familjeje emigrantësh indiane dhe një familjeje me prejardhje angleze dhe nga Karaibet në lagjet tashmë gjithë emigrantë të jugut të Londrës viteve 90, "do çonte më tej nga ana krijuese atë territor të ri të krijuar nga Buda nga rrethinat," (would make the significant creative advance on to the new ground broken by The Buddha of Suburbia.)[15]
Referime
Redakto- ^ "The 50 greatest British writers since 1945",The Times, 5 janar 2008
- ^ Faqja biografike e Kureishit në shtëpinë e tij botuese Faber & Faber.https://www.faber.co.uk/tutors/hanif-kureishi/
- ^ Hanif Kureishi. My friend David Bowie, The Guardian, 12 gusht 2017
- ^ Novelist Hanif Kureishi on David Bowie’s ‘Rebel Rebel’, Wall Street Journal, 17 mars 2015
- ^ Molly Marie Slavin. "Hanif Kureishi," Postcolonial Studies @ Emory.
- ^ Faqja biografike e Hanif Kureishit në shtëpinë botuese Allen and Unwin.
- ^ Faqja e filmit Intimacy në IMDB
- ^ Rachel Donadio. "My Beautiful London," The New York Times, 8 gusht 2008.
- ^ Miles Brignall dhe Rupert Jones. "Author Hanif Kureishi loses life savings to suspected fraud," The Guardian, 3 maj 2013.
- ^ "Llogaritari britanik vjedh 2.4 milionë stërlina për të kënaqur gruan shqiptare," Arkivuar 29 tetor 2019 tek Wayback Machine Gazeta Shekulli, 4 korrik 2014
- ^ Nicholas Lezard. "What Hanif Kureishi learned from being robbed by his accountant," The Spectator, 6 dhjetor 2014
- ^ Mick Brown. Hanif Kureishi, A Life Laid Bare, The Telegraph, 23 shkurt 2008
- ^ Yasmin Kureishi. Keep Me Out of Your Novels: Hanif Kureishi's sister has had enough. The Independent, 4 mars 2008.
- ^ Maya Yaggi. "Where East Is West", The Guardian, 29 qershor 1999
- ^ Robert McCrum. "Hanif Kureishi interview: 'Every 10 years you become someone else'," The Guardian, 19 janar 2014
Lidhje të jashtme
Redaktohttps://literature.britishcouncil.org/writer/hanif-kureishi
Arkivuar 9 mars 2018 tek Wayback Machine