Hasan Bilalli
Hasan Bilalli, mësues, i lindur në Prishtinë më 1918.
Shkollën fillore dhe Medresenë e Reformuar të Gazi Isa Beut i kishte mbaruar në Shkup. Kursin Pedagogjik e kishte mbarua në gjimnazin “Sami Frashri” në Prishtinë. Po ashtu gjatë kësaj kohe kishte rënë në kontakt edhe me profesorin e nderuar Ymer Berishën dhe shumë atdhetar të tjerë. Duke e parë se situata politike në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi dita më ditë po keqësohej, ai pa hezituar u anëtarësua në radhët e ONDSH-së që vepronte në Shkup. Gjatë tërë asaj kohe sa ishte në organizatë, ai ndikoi dhe formoi shumë komitete të rretheve dhe anëtarësoi shumë qytetar shqiptar e turq që jetonin në Maqedoni. Vlen të përmendet se gjatë punës së vet ilegale Hasan Bilalli mbajti lidhje të shumta me shumë atdhetar siç ishin: Hysni Rudi, Azem Morana, Halim Orana e patriot të tjerë.
Me zbulimin e organizatës së ONDSH-së, Hasan Bilalli informohet se edhe atij i kishin rënë në gjurmë. Gjatë asaj kohe ai ndodhej në Kosovë, duke marr pjesë në Kongresin e Lipovicës. Pas përfundimit të punimeve të kongresit, ai detyrohej që të ik për në Shqipëri e nga andaj kalon në Greqi, ku bie në duar të partizanëve grek të Markosit, të cilët e kthejnë në Shqipëri e prej andej organet e Sigurimit të Shqipërisë e ekstradojnë në Jugosllavi dhe bie në duar të OZN-ës pikërisht në kohën kur në Shkup po përgatitej procesi kundër veprimtarëve të tjerë të LNDSH-së.