Historia e Burimit
Në hapësirën ku qendet vendbanimi kryesor dhe rrethin prania e qenjeve njerzore ka qenë që nga kohërat e lashta. Ndërsa prania e kulturës Dardane është vërtetuar nga burimet arkeologjike të bëra në këtë rrethinë. Kështu në rrethinën është gjetur një varrëse punuar nga zejtarët Dardanë, koha e punimit nuk dihet mirëpo dihet që vegëza 15 centimetra e gjatë, paraqet një harkë (simbol i dhëmbit të syrit) dhe feçkë të derrit të egër. Ky punim është bërë nga brnzi dhe është i mshefur diku nga serbët apo kisha serbe.[1]
Formimi i rrethit të Burimit
Rrethi i Burimit në kuptimin e sotëm administrativ është formuar më 1913, pas pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrive serbo-malazeze. Po atë vit pushteti i ri ka bërë regjistrimin e popullsisë së këtij rrethi dhe ka caktuar kufijtë. Atëherë ky rreth është organizuar në gjashtë komuna: Burim, Gjurakovc, Rakosh, Zllakuçan, Vrellë dhe Radavc (këto dy të fundit më vonë janë bashkuar në një komunë me qendër në Vrellë). Kufijtë e komunës së sotme të Burimit përafërsisht përputhen me ata të ish-Rrethit të Burimit me qendër në Burim, pos që komuna e Zllakuçanit tash i takon komunës së Klinës, Radavci - Pejës e Runiku - komunës së Skënderajt.
Gjatë kohës së sundimit të Turqisë, Rrethi i Burimit i ka takuar Sanxhakut të Pejës, pos kazasë së Burimit, i kanë takuar edhe kazatë (komunat) e Gjakovës, Beranës (Ivangradi) dhe Gucisë.
Deri sot nuk ekziston ndonjë dokument i shkruar që do të bënte fjalë për këtë vendbanim para shekullit XIV. Por, dihet saktësisht se ka qenë i banuar që nga kohët e parahistorisë e gjurmë të civilizimit janë të dukshme dhe janë gjetur se janë të kohës së dardanëve dhe të romakëve. Gjurmë të këtij civilizimi janë gjetur buzë rrugës së vjetër që në mesjetë dhe më herët ka lidhur Bregdetin Adriatik nëpër Plevle, nëpër Rozhajë-Kullë e Burim e që tutje ka kaluar nëpër Mitrovicë për në Nish. Gjurmë të trasesë së kësaj rruge janë të hetueshme edhe sot, së bashku me gjurmë vendbanimesh. Po ashtu është e ditur se të asaj kohe janë edhe shumë vendbanime të kësaj ane. Ndër to më të njohurat kanë qenë Banja, ujin e ngrohtë të cilës kanë ditur ta shfrytëzojnë për mjekim dhe freskim ilirët dhe romakët. Një lum i vogël që buron andej nga Syrigana (emërtim ilir për Suhogërllën e sotme) me emërtimin Kujafç, gjuhëtarët kanë dëshmuar se është po ashtu fjalë me prejardhje ilire. Ky lum kalon nga ana e Kërninës, Belicës dhe tutje te Zabllaçi derdhet në lumin e Burimit. Me hulumtime të tjera do të mund të dëshmoheshin edhe shumë toponime të tjera që i kanë shpëtuar sllavizimit.
Të kohës së romakëve janë edhe disa dëshmi arkeologjike që këndej janë hasur dhe që dëshmojnë se qysh atëherë është shfrytëzuar mermeri i njohur i Banjës, i quajtur Oniks, me të cilin janë ndërtuar shtëpi të bukura. Të kohës bizantine janë edhe disa kisha në fshatrat buzë bjeshkëve të Burimit dhe kjo më së miri dëshmohet me faktin se janë ndërtuar sipas sistemit bizantin të ndërtimit të faltoreve dhe sipas arkitekturës së kohës e që më vonë janë përvetësuar nga ortodoksizmi sllav.
Rrethi i Burimit si gjithmonë ka qenë kryesisht i banuar me shumicë të popullsisë shqiptare. Këtë e dëshmojnë edhe dy regjistrimet e popullisë që i ka bërë Mbretëria Serbe Kroate Sllovene. Më 1913 Rrethi i Burimit ka pasur mbi 180.000 banorë dhe mbi 90 për qind e tyre kanë qenë shqiptarë. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1921 Rrethi i Burimit ka pasur vetëm 20.159 banorë. Prej tyre 14.501 janë deklaruar shqiptarë dhe vetëm 5.658 serbë.
Ndryshimet më të mëdha demografike kanë ndodhur pas këtij vit dhe gjithnjë ndërmjet dy luftërave të fundit botërore, kur ish-Jugosllavia mori masa dhe metoda të kombinuara të një terrori të organizuar shtetëror për ndryshimin e kësaj strukture të popullsisë në favortë popullsisë serbe dhe malazeze. Gjatë asaj periudhe në favor deri në 20 për qind është shtuar pjesëmarrja e popullsisë sllave në strukturën e përgjithshme të popullsisë së rrethit të Burimit.
Burim i të dhënave
Redakto- ^ Rruzull.net 9 prill 2007 Arkivuar 28 shtator 2007 tek Wayback Machine
- Komuna e Burimit gjatë LNÇ , versioni i parë, në dorëshkrim, hartuar nën përkujdesjen e dr. Ali Hadrit dhe Millorad Vaviqit; cituar sipas: Rrustem Rugova: "Varret e përbashkëta", Rilindja, 1997, Prishtinë)