Jeta e përtejme ose jeta pas vdekjes është një ekzistencë e supozuar në të cilën pjesa thelbësore e rrjedhës së vetëdijes ose të identitetit të një individi vazhdon të ekzistojë pas vdekjes së trupit të tij fizik. Veçoria thelbësore e mbijetuar ndryshon ndërmjet sistemeve të besimit; mund të jetë ndonjë veçori e pjesshme, ose i gjithë shpirti, që mbart me vete identitetin vetjak të dikujt.

Në disa pikëpamje, kjo ekzistencë e vazhdueshme zhvillohet në një fushë shpirtërore, ndërsa në të tjera, individi mund të rilindëkëtë botë dhe të fillojë përsëri ciklin e jetës, i njohur si rimishërim, me gjasë pa kujtim të asaj që ka bërë në të kaluarën. Në këtë këndvështrim të fundit, rilindje dhe vdekje të tilla mund të ndodhin vazhdimisht derisa individi të fitojë hyrjen në një fushë shpirtërore ose në një botë tjetër. Pikëpamjet kryesore mbi jetën e përtejme rrjedhin nga feja, nga ezoterizmi dhe nga metafizika.

Disa sisteme besimi, si ato të traditës abrahamike, mendojnë se të vdekurit shkojnë në një vend të caktuar (p.sh. në Parajsë ose në Ferr) pas vdekjes, siç përcaktohet nga Zoti, bazuar në veprimet dhe në besimet e tyre gjatë jetës. Në të kundërt, në sistemet e rimishërimit, siç janë ato të feve indiane, natyra e ekzistencës së vazhdueshme përcaktohet drejtpërdrejt nga veprimet e individit në jetën e përfunduar.