Kalaja e Prezës
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë.


Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. Ajo përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore. Në murin perëndimor për të përforcuar më tepër sistemin fortifikues të kalasë, pasi kjo pjesë është me e ekspozuar dhe më pak e mbrojtur ndaj sulmeve si dhe ka një largësi të konsiderueshme midis kullave, është ndërtuar një kullë katërkëndëshe e dalë nga muri. Në faqen jugore është ndërtuar një kullë tjetër katërkëndëshe për të mbrojtur hyrjen e vetme të kalasë. Kjo kullë përforcohet dhe nga oborri që ndodhet në përbërje të saj. Në kala kemi katër faza të ndryshme ndërtimi. Periudha e parë lidhet me fortifikim e kalasë, e dyta lidhet me rindërtimin e mureve rrethuese, e treta ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë brenda mureve rrethuese, kurse faza e katër lidhet me ndërtimin e një kulle sahati që nuk ka të bëjë me sistemin fortifikues, por i përket një periudhe të mëvonshme. Periudhës së parë i përkasin vetëm muret rrethuese, të cilat ruhen në lartësi të ndryshme. .
Përmasat e vogla të saj si dhe qëndrueshmëria jo shumë e madhe e mureve rrethuese, e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin poshtë saj, nëpër fushën e Tiranës.
Ndihmesën e parë përsa i përket datimit të saj na e jep Marin Barleti. Në pjesën ku bën fjalë për ardhjen e ushtrisë turke dhe rrethimin e Krujës, ai përmend fushën e Tiranës që e vendos midis qytetit të Krujës dhe qytezës së parthinëve. Më poshtë ai thotë se kjo qytezë quhej me emrin Prezë dhe ishte kthyer në një gërmadhë. Ky përcaktim i fushës së Tiranës i bërë nga M, Barleti duket se është mjaft i saktë dhe nuk lë vend për dyshime.
Preza përmendet sërisht më vonë në një relacion anonim të vitit 1570. Ky relacion bën fjalë për rindërtimin që i ishte bërë kalasë nga turqit. Problemi i datimit të kalasë ka qënë mjaft i vështirë. Mirëpo përmendja e saj në një gjendje të mjerueshme nga Barleti, tregon se ajo duhet të jetë ndërtuar para rrethime të Krujës nga turqit. Kjo e klasifikon informacionin e relacionit anonim të vitit 1570 si jo të saktë. Pra siç e përmendëm më sipër, ajo në vitin 1466, sipas Barletit, ishte kthyer në një gërmadhë. Që të arrinte këtë gjendje të shkatërrimit ajo duhet të jetë braktisur shumë kohë më parë, pra që në fillim të luftërave të Skënderbeut. Arsyeja e braktisjes së saj mund të ketë qënë paaftësia e saj për ti rezistuar luftimeve dhe rrethimeve të gjata. Si kohë e mundshme e ndërtimit të Prezës mund të ketë qënë fillimi i shek. XV nga principata e Topiasve, e cila ishte zotëruese e kësaj zone.
Albanologu dhe eksploratori Hahn kur kaloi në këtë zonë e përshkroi:
Vetë kështjella ndodhet në majën më të lartë të vargut kodrinor që shtrihet ndërmjet këtyre dy luginave [...] Pjesa e këtij vargu kodrinor që takohet fillimisht në këtë majë quhet Varosh dhe thuet se këtu të ketë qenë vendosur qyteti në kohët e lashta[1].
Sipas autorit Papajani kjo kala është braktisur në kohën e Gjon Kastriotit, dhe më vonë nuk u rindërtua më. Pas pushtimit të Krujës nga osmanët, aty u bënë disa rindërtime, si dhe u ndërtuan një objekt kulti.

Burime
Redakto- ^ Hahn J., Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit, përkthyer nga Pjetër Radiqi, Tiranë: Geer, 2001. fq. 20. ISBN 99927-738-8-X