Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) është një bashkësi fetare krishterë e denominacionit Ungjillor Protestant. KPUK-u veprimtarinë e vet në Republikën e Kosovës e shtrin në mbështetje të dispozitave në fuqi të Ligjit për Lirinë Fetare Nr. 02/L-31 dt. 13.07.2006 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës sipas ndryshimit dhe shpalljes nga Rregullorja e UNMIK-ut 2006/48 dt. 24.08.2006 dhe sipas të njëjtit amendamentim të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji për Lirinë e Fesë njeh gjithsej pesë komunitete fetare në Kosovë. Në nenin 5.4 të këtij Ligji decidivisht shkruan:
"Të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste, do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar me këtë Ligj". [1]
Terminologjia
RedaktoNë Ligjin në fjalë, në versionin në gjuhën shqipe është përdorur termi “Evangjelistë”, që është një përkthim i drejtpërdrejt nga versioni në gjuhën angleze i po të njëjtit Ligj dhe i termit “Evangelical”. Pavarësisht se si bëhet përkthimi i termeve, është me rëndësi për t’u theksuar fakti se vetë fjala prejardhjen e vet e ka tek fjala “Ungjilli” dhe fjala Ungjill do të thotë “Lajm i Mirë”. Pra, Ungjillorët Protestantë, respektivisht KPUK-u është shpërndarës i Lajmit të Mirë të Ungjillit të Zotit Jezus Krisht në mesin e popullit të Kosovës.
Organizimi Strukturor i KPUK-ut
RedaktoKishat protestante lokale kanë emërtime të ndryshme. Këto kisha edhe si organizim e edhe si funksionim së bashku zyrtarisht e përbëjnë Bashkësinë Fetare që quhet “Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës” (KPUK) me seli në Prishtinë. KPUK-u është strukturë organizative eklesiologjike me organe të veta vendimmarrëse e ekzekutive. Hierarkia kishtare e KPUK-ut është e formuar në atë mënyrë që të jetë doktrinarisht sa më biblike dhe praktikisht sa më funksionale. Ne nivelin lokal, Ungjillorët Protestantë i japin rëndësi të veçantë autonomisë së kishës lokale në vetëqeverisjen e punëve të përditshme kishtare. Por, në nivel nacional, Organet e KPUK-ut janë Kuvendi (Sinodi), Këshilli i Shërbestarëve (Presbiteri) dhe Kryetari.
Kuvendi
RedaktoKuvendi i KPUK-ut është organi më i lart vendim-marrës i KPUK-ut. Në Kuvendin e KPUK-ut i cili organizohet një herë në vit, marrin pjesë përfaqësues të të gjithë anëtarëve të KPUK-ut. Secili entitet ungjillor – respektivisht kishat dhe organizatat lokale – në Kosovë që është anëtar i KPUK-ut në Kuvend përfaqësohet nga Përfaqësuesi Ligjor, e në mungesë të tij Personi i Autorizuar. Anëtari i KPUK-ut në seancat e Kuvendit mund të përfaqësohet me vetëm një votë. Kuvendi i KPUK-ut mblidhet një herë në vit në Kuvendin e Rregullt Vjetor ose më shumë herë në Kuvend të Jashtëzakonshëm. Gjatë seancës, e cila kryesohet nga nën-kryetari i KPUK-ut, Kuvendi mes tjerash merr vendime me rëndësi për KPUK-un siç janë pranimi dhe/ose largimi i anëtarëve në KPUK; ndryshimet/plotësimet e mundshme statutore; miratimin e shpenzimeve dhe buxhetit vjetor etj. Mes tjerash, Kuvendi me vota të fshehta bën zgjedhjen e Këshillit të Shërbestarëve (KiSH) dhe Kryetarit. KiSH-i dhe Kryetari zgjedhën me shumicë të thjeshtë.
Këshilli i Shërbestarëve
RedaktoKëshilli i Shërbestarëve (KiSH) është organi ekzekutiv i KPUK-ut i cili buron nga Kuvendi. KiSH-i ka shtatë anëtarë dhe nga vetë emri Këshill i Shërbestarëve kuptojmë se në këtë KiSH mund të zgjedhën njerëz që tashmë janë aktiv në shërbesën e Zotit, respektivisht janë në pozitë të drejtuesit frymor të ndonjë kishe lokale. Kuvendi e mandaton KiSH-in me një mandat tre vjeçar por që çdo vit ai duhet të përtërihet me nga dy anëtarë të rinj.Për përzgjedhjen e anëtarëve të KiSH-it përkujdeset vetë Kuvendi. Pjesëmarrës të Kuvendit në bazë të meritave të punës së individëve më të dallueshëm, bën nominimin e kandidatëve të mundshëm që do të shërbejnë në këtë pozitë. Kandidatët potencial gjithashtu mund të vetë nominohen për këtë post. Lista prej së paku shtatë vetash pastaj paraqitet për votim të fshehtë. Anëtarët e KiSH-it mund të kandidohen dhe zgjedhën vetëm në dy mandate të një-pas-njëshme. Pas marrjes së bekimit nga ana e Kuvendit, KiSH-i në mbledhjen e vet të parë pas Kuvendit të Përgjithshëm të KPUK-ut nga mesi i vet bën përzgjedhjen e Sekretarit te KPUK-ut. KiSH-i takohet një herë në muaj në mbledhjet e veta të rregullta dhe sipas nevojës edhe më shpesh.
Kryetari
RedaktoPas publikimit të emrave të KiSH-it, Kuvendi pastaj nga kjo listë nxjerr të nominuarit – kandidatë të mundshëm për Kryetar të KPUK-ut (Kryetari i KPUK-ut është njëkohësisht kryesues i KiSH-it). Pas paraqitjes së kandidaturave, në bazë meritore dhe në bazë të programimit më të mirë të prezantuar, Kuvendi hedh në votim përzgjedhjen e Kryetarit. Votimi është i drejtpërdrejt dhe bëhet me votim të fshehtë. Një shumicë e thjeshtë mjafton për zgjedhjen e kryetarit për mandatin e ardhshëm tre vjeçar. Kryetari i KPUK-ut mund të kandidohet dhe zgjedhet vetëm në dy mandate të një-pas-njëshme. Kryetari i KPUK-ut e përfaqëson institucionin e KPUK-un para anëtarëve dhe para institucioneve tjera shtetërore e ndërkombëtare. Kryetari i KPUK-ut bashkë me Sekretarin e KPUK-ut bën përgatitjen e rendit të ditës së mbledhjeve të KiSH-it. Sekretari i KPUK-ut eshte bartes i buxhetit, bën përgatitjen dhe menaxhimin e buxhetit vjetor i cili i dërgohet Kuvendit për miratim. Kryetar aktual i KPUK-ut është Pastor dr. Femi Cakolli, kurse Sekretar i KPUK eshte pastor Imir Gashi.
Lista e Udhëheqësve të KPUK
RedaktoLidhje të Jashtme
Redakto- Faqja Zyrtare e KPUK Arkivuar 9 dhjetor 2021 tek Wayback Machine
- Profili Zyrtar në Facebook
- Kanali Zyrtar në YouTube
Referime
Redakto- ^ Ligji për Lirinë Fetare Nr. 02/L-31 dt. 13.07.2006 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës;