Ujmishti
Ujmishti është Komunë në Jug-Perëndim të rrethit të Kukësit me qendër fshatin me të njëjtin emër që shtrihet në të dy anët Luginës së Drinit të Zi. Komuna ndodhet 20 km larg qendrës së rrethit. Ka një popullsi prej 2922 banorësh (regjistrimi 2001). Përbëhet nga 7 fshatra : Lusën, Resk, Malqene, Ujmisht, Zall-Lusën, Skavicë dhe Tejdrinë. E dëshmuar si vendbanim që nga shek. III-IV pas Krishtit, zona ka luajtur një rol të rendësishëm në ngjarjet historike që kanë ndodhur në Kukës e në mbarë Shqipërinë.
Ujmishti | |
---|---|
Origjina e emrit
RedaktoMendohet se emri Ujmisht është thjesht një version i ndryshuar i emrit Ymenestrie i cili përmendet nga Dhimitër Frângu në shkrimet e tij lidhur me pronat e Kastriotëve dhe nga Andre Ëngjëlli. Dihet se pronat e Kastriotëve para lindjes së Skënderbeut shtriheshin përgjatë Luginës së Drinit të Zi gjë që e bën këtë teori mbi emrin e fshatit të vërtetë.
Historia e Ujmishtit
RedaktoNga Dardanët tek Kadastrat osmane
RedaktoUjmishti dëshmohet si vendbanim që në shek.III-IV pas Krishtit. Këtu kanë banuar Dardanët. Vetë Kukësi është pjesë e pandashme e Dardanisë (Kosovës) në aspektet kulturore dhe gjuhësore. Më pas zona përmendet nga Dhimitër Frëngu në shkrimet e tij mbi pronat e Kastriotëve me emrin Ymenestrie. Duhej të vinte viti 1529 që Ujmishti të përmendej në kadastrat osmane. Në ato kohë Ujmishti u shënua Ulumisht dhe ishte pjesë e Nahijes së Spasit. Në atë kohë fshati kishte vetëm 3 shtëpi të krishtera. Më pas me kalimin e viteve numri i shtëpive u rrit.
Kryengritja antiosmane e Bajrakut të Tejdrines
RedaktoKadastrat osmane gjithashtu ofrojnë informacione lidhur me një kryengritje të banorëve të Bajrakut të Tejdrines e cila kishte si qendër Ujmishtin.
- Kryengritja nisi në shkurt 1565. Kryengritësit u përleshën me forcat osmane dhe pastaj filluan të grabisnin tregtarët që kalonin andej dhe biles sulmuan edhe fshatrat fqinje të Gorës e Dibrës.
- Sipas një urdhri sulltanor të datës 16 shkurt 1565 dhënë beut të Elbasanit mësohet se "ndërsa sanxhakbeu i Dukagjinit kish grumbulluar spahinjtë që kishte me vete dhe ishte duke ruajtur e mbrojtur vendin, Ulumishti (Ujmishti), Suroj (Surroji) dhe të pafe të tjerë kryengritës ishin mbledhur të gjithë së bashku e kishin plaçkitur disa tregtarë dhe kishin vrarë disa vojvodë të tij. Nga sulmet ishin vrarë edhe disa njerëz të tjerë".
- Për ndëshkimin e tyre Sulltani dërgon 200 jeniçerë të oborrit dhe urdhëron beun e Elbasanit që edhe ai t'i dërgojë ushtarë beut të Dukagjinit për të ndëshkuar kryengritësit "si t'a shohë të arsyeshme".
- Më pas më 23 shtator të atij viti po ky urdhër i jeper beut të Dukagjinit ku i kërkohet dënimi më i ashpër ndaj kryengritësve.
- Kryengritja nuk u shtyp por vazhdoi sërish derisa në mars të 1566 kryengritësit bllokojnë rrugën dhe grabisin karvanet tregtare. Më 10 mars 1566 sulltani urdhëron beun e Dukagjinit të shtypë kryengritjen dhe të rimarrë stofin e grabitur i cili shitej në Prizren sapo grabitej.
- Kryengritja vazhdon dhe më 5 nëntor 1568 sulltani urdhëron beun e Dukagjinit që të marrë masat e menjëhershme kundër kryengritësve të cilët "kishin shpaluar flamurin e kryengritjes dhe kishin refuzuar pagesën haraçit". Gjithashtu në këtë dokument thuhet se kryengritësit "kishin grabitur 5.000 krerë dhen në Bjeshkët e Malit të Sharrit, për shkak të tyre ishin zhvendosur 6 fshatra dhe se ndjekja e kryengritësve ishte e vështirë pasi vendet e tyre ishin të ashpra e plot shkëmbinj". Për të arritur shtypjen e kryengritjes u dërguan me urdhër të sulltanit pushkatarë dhe ushtarë të zotë. Nga viti 1571 kryengritja ishte shuar plotësisht.
Nga luftërat me pashallarët e deri më sot
Redakto- Në shek. 19 Ujmishti u bë pjesë e pandarë e luftërave për liri të krahinës së Lumës kundër pushtuesit osman. Arsyeja ishte se Ujmishti ishte një nga 7 bajraqet e Lumës me emrin Bajraku i Tejdrinës prandaj ishte detyrim por dhe dëshirë për të qenë të lirë nga zgjedha qindravjeçare e Portës së Lartë. Përmenden këtu lufta kundër Reformave të Tanzimatit që u prit me indinjatë të thellë në krahinën e Lumës (1843), lufta kundër taborreve të Xhavit Pashës (shtator 1909) që sipas shkrimtarit dhe ministrit të arsimit, Mirash Ivanaj në tekstin "Historija e Shqipënies së Re" filloi Epopenë Kombëtare të Shqipnisë së Re, Kryengritjet e viteve 1910-1911-1912, luftërat kundër pushtuesit serb 1912-1920.
- Në vitin 1908 u hap në Ujmisht një shkollë 4-vjeçare shtetërore turke. Në pushtimin austro-hungarez, Ujmishti u bë pjesë e Komunës së Bicajt. Nën pushtimin austriak një banor i Ujmishtit, Muharrem Bajraktari mundi të shkonte në Vjenë për të ndjekur Akademinë Ushtarake së bashku me një lumjan tjetër nga Bardhoci. Megjithatë periudha austro-hugareze mbahet mend si një periudhë varfërie dhe sëmundjesh të rënda.
- Ndërkohë pushtimi serb ka lënë gjurmë të thella pasi me qindra fëmijë, burra, gra, të rinj e të reja e të moshuar u masakruan në mënyrë barbare. Ashtu siç shkruante edhe një ushtar serb gjatë asaj kohe se "Luma ishte mbushur plot me kufoma dhe s'kishte njeri të gjallë". Megjithatë edhe forcat serbe humbën shumë trupa afro 12.000 ushtarë në luftë kundër forcave lumjane.
- Gjatë epokës së shtetit modern shqiptar Ujmishti ka nxjerrë shumë njerëz të zotë që kanë shërbyer në poste të larta por edhe kanë luftuar për liri kundër pushtimit fashist, nazist dhe komunist. Më i dalluari ndër këta është padyshim Muharrem Bajraktari, Komandant i Xhandarmërisë Shqiptare dhe lideri nacionalist i krahinës së Lumës kundër pushtimit italian, gjerman dhe kundër regjimit terrorist të PKSH. Shumë të rinj ujmishtas luftuan si pjesëtarë të forcave të UNÇSH dhe ranë dëshmorë për lirinë e vendit. Kolektivizimi i bujqësisë u bë në vitin 1967, kurse në vitin 1968 Ujmishti u bë qendër e kooperativës së bashkuar "Drita e Drinit". Në periudhën e demokracisë Ujmishti ka nxjerrë plot figura të rëndësishme në jetën politike-shoqërore të zonës së Kukësit dhe mbarë vendit.
Gjeografia e zonës
RedaktoUjmishti shtrihet në Jug-Perëndim të rrethit të Kukësit dhe në Veri-Lindje të Shqipërisë në koordinatat 41° 56' 30" Veri dhe 20° 23′ 49″ Lindje.
Politika
RedaktoUjmishti ka qenë historikisht për shkak edhe të traditës nacionaliste zonë e djathtë dhe gjithmonë në demokraci ka votuar për Partinë Demokratike. Zona ka nxjerrë gjithashtu edhe një Ministër dhe lider të rëndësishëm të PD, Jemin Gjanën dhe një kryetar të degës së PD Kukës, kryetar të Këshillit të Rrethit Kukës dhe Kryetar të Këshillit të Qarkut Kukës, Shefqet Brukën. Por në zgjedhjet e fundit lokale (2007) fitoi kandidati i Partisë Socialiste duke e bërë Ujmishtin një nga komunat e pakta socialiste në qarkun e Kukësit dhe në gjithë Shqipërinë Veriore.
Ekonomia
RedaktoPërgjithësisht niveli ekonomik i zonës është i ulët. Banorët merren kryesisht me blegtori (mbarështim i gjedhëve dhe dhenve) si dhe me bujqësi (pemë frutore si mollë dhe arra dhe me kultivimin e misrit). Në kohën e komunizmit vepronin kooperativat ndërsa me ardhjen e demokracisë banorët ndërmorën iniciativa private duke ngritur biles edhe disa dyqane të vogla. Në këtë zonë, më saktë në fshatin Skavicë po ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës, i katërti hidrocentral mbi Drin. Në ndërtimin e këtij hidrocentrali janë punësuar shumë banorë të zonës duke rritur nivelin ekonomik të zonës. Ndërkohë shumë banorë janë larguar në mërgim ose në qytete si Kukësi, Tirana, Durrësi, Puka etj. Shumë ujmishtas sot janë biznesmenë të mëdhenj e të fuqishëm.
Popullsia
Redakto- Regjistrimi i parë i popullsisë së zonës është bërë në vitin 1529 nga Perandoria Osmane. Në atë kohë fshati Ulumisht (Ujmisht) kishte vetëm 3 shtëpi, të gjitha katolike.
- Më pas në vitin 1571 kishte 12 shtëpi katolike dhe 9 familje myslimane.
- Në vitin 1591 Ulumishti (Ujmishti) kishte 22 shtëpi katolike dhe 4 familje myslimane. Pra vihet re një rënie myslimanëve.
- Pas ardhjes së demokracisë popullsia ka ardhur gjithmonë në rënie për shkak të largimit të banorëve drejt qendrave urbane ose në mërgim. Në regjistrimin e fundit të kohës së komunizmit zona kishte gjithsej 2317 banorë.
- Në regjistrimin e vitit 1997 zona kishte çuditërisht 4017 banorë. Por në regjistrimin e vitit 2001 vihet re një rënie e madhe pasi zona kishte 2922 banorë.
- Largimi i banorëve ka sjellë edhe degradimin deri në shkatërrim të shtëpive të vjetra. Por me ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës-Morinë dhe me asfaltimin e Rrugës Kukës-Peshkopi (kjo rrugë nuk është asfaltuar asnjëherë më përpara) shumë banorë të zonës kanë filluar të restaurojnë banesat e tyre për t'i kthyer këto në shtëpi verore pushimi.
Arsimi dhe Kultura
Redakto- E para shkollë është hapur në vitin 1908 nga qeveria turke. Shkolla ishte 4-vjeçare dhe jepej turqisht. Më pas në periudhën e Zogut shkolla jepte shqip dhe lëndë të tjera. Në periudhën e komunizmit u zhduk analfabetizmi u hapën një shkollë e mesme bujqësore, shkolla ekzistuese u bë 8-vjeçare dhe një muze. Me ardhjen e demokracisë shkolla e mesme u mbyll për mungesë nxënësish. Gjithashtu u mbyll edhe muzeu. Shumë ujmishtas kanë mbaruar shkollat e larta dhe janë diplomuar me rezultate të shkëlqyera.
- Në aspektin kulturor zona është e njëjtë me pjesën tjetër të Lumës e cila në vetvete është pjesë e një njësie më të madhe kulturore, pjesë e Prizrenit. Veshjet popullore, këngët, vallet, doket dhe zakonet janë përgjithësisht të njëjta me fshatrat e tjera të krahinës së Lumës. Vendbanimet janë kryesisht të grupuara. Mbizotërojnë kullat me shkallë brenda. Veshjet popullore kanë qenë veshja me tirq, kaparane, e kapele rreshtake për burrat, me mbështjellëse të bardhë e xhybe për gratë dhe kokole të zeza për vajzat. Gjithashtu është edhe vallja në formë gjysmë-rrethi. E folmja i përket nëndialektit të Lumës që i përket dialektit verilindor (Gegërisht). Është trashëguar i plotë një version i Kanunit të Lek Dukagjinit.
Feja
RedaktoZona e Ujmishtit është myslimane. Ujmishti ka qenë një ndër zonat e fundit që është islamizuar nga pushtimi osman. Në Ujmisht ka pasur banorë katolikë deri nga viti 1644 kur ndërkohë pjesa më e madhe e vendit ishte islamizuar me kohë. Zona ka disa xhami të vogla. Ndërkohë përveç ndonjë toponimi të veçantë në Ujmisht nuk ka mbetur më asgjë nga epoka katolike.
Rrugët dhe Hidrocentralet
Redakto- Në këtë zonë kalon rruga nacionale Kukës-Peshkopi.
Shëndetësia
RedaktoKomuna ka 2 qendra shëndetësore, një në fshatin Malqene dhe një në fshatin Lusën. Ato janë në gjendje shumë të mirë dhe japin shërbim shëndetësor për gjithë banorët e zonës. I vetmi problem që ka zona është mungesa e një ambulance që e vështirëson punën e mjekëve në këtë zonë.
Prejardhja e fiseve të Ujmishtit
Redakto- Domet kanë qenë në Mahallë të Epër, përtej Drinit. Prej andej disa shtëpi ikën e u vendosën në Soponik, në Has, në Resk (Ujmisht), në Radomirë e në Ceren si dhe në Redime (Kosovë). Prejardhja e tyre është nga fisi i Berishajve, një nga fiset më të mëdha të Shqipërisë.
- Gjanet janë me prejardhje nga fisi i Shalës, një fis që gjithmonë e ka kundërshtuar pushtimin osman dhe atë serbo-malazez.
- Loçi është Kelmend, edhe ky një fis trimash, kundërshtarë të parreshtur ndaj sundimit osman e atij serbo-malazez.
- Meliçi nuk dihet nga e ka origjinën.
- Bruka ishte nga lagjia Osmanaj e Bicaj. I vdiq babai dhe erdhi të jetonte tek dajat e tij (Gjoket) të cilët i dhanë tokë, ndonëse fiset e tjera e kundërshtuan se nuk ishte nga bajraku i tyre.
- Gjuret mendohet se kanë ardhur nga fshati Lurë i Dibrës.
- Tusha mendohet se kanë ardhur nga fshati Guri I zi Shkodër rreth viteve 1700 për gjakmarrje.
Prejardhja e emrave të fshatrave të Ujmishtit
Redakto- Ujmishti: Teoria e vetme që ekziston është se ky emër është një version i emrit Ymenestrie që e përmend Dhimitër Frëngu si pronë të Kastriotëve. Më pas (afro 100 vjet më vonë) në kadastrat osmane shfaqet me trajtën Ulumisht deri sa arriti në trajtën e sotme Ujmisht. Shumë banorë të zonës e shqiptojnë ndryshe këtë emër, nga Ujmisht në Imisht gjë që hap hipoteza të tjera mbi emrin.
- Resku: Mendohet se është një version i emrit Resovë (Reskovë) që përmendet nga kadastrat osmane si Kalaja e Reskovës në vitin 1571 si zonë e pabanuar.
- Tejdrinë: Është një emër që tregon një fshat që ndodhet përtej Luginës së Drinit të Zi, pra Tejdrinë. Nga ky fshat ka marrë emrin edhe Bajraku i Tejdrines ku përfshihej gjithë komuna e sotme e Ujmishtit.
- Malqene: Ekziston një legjendë mbi prejardhjen e këtij emri. Thuhet se dikur një bari erdhi me një tufë delesh në këtë zonë, që asokohe ishte e pabanuar. Aty filloi një stuhi e madhe dëbore dhe për t'u mbrojtur bariu u fut në një guvë kurse delet mbetën jashtë në të ftohtë pasi nuk kish vend për to. Bariu qëndroi një ditë aty dhe pasi mbaroi stuhia e dëborës ai doli por nuk kishte shpresa se delet rronin akoma. Për çudi ai pa se delet ishin ende aty por ato gati-gati dukeshin si qen e jo si dele për shkak të të ftohtit. Kështu bariu e quajti atë vend "Mali i Qenve" ose shkurt Malqene.
Ujmishtas të Famshëm
RedaktoDinastia e mytesarrifëve të Prizrenit, Rrotullajt
RedaktoKjo familje ishte me origjinë nga fshati Tejdrinë i Ujmishtit. Ata sunduan si mytesarrifë të Prizrenit nga viti 1747 deri në vitin 1843. I pari i kësaj familjeje Salih Zajmi kishte luftuar në luftën e Kretës dhe në vitin 1667 kishte marrë një titull nga sadriazami Fadil-Ahmet pashë Qypërliu.
- Më pas nipi i tij Bardh Tusha fitoi në vitin 1747 titullin Pashë dhe u emërua sanxhabe i Prizrenit. Në këtë pozitë ndenji deri në vitin 1750.
- Pas tij vjen djali i tij i parë Emrullah Pasha (qe vrarë nga pashai i Shkodrës më 1774) dhe djali i dytë Ismail Pasha (sanxhakbeg i Prizrenit në vitet 1774-1786).
- Më pas vjen djali i parë i Emrullahut, Tahir Pasha që sundoi nga 1786 deri në vitin 1795. Pastaj vjen djali i dytë i Emrullahut, Rustem Pasha që sundoi në periudhën 1795-1800.
- Pastaj vijnë djemtë e Tahir Pashës, Said Pasha (periudha e sundimit 1805-1815), Mahmut Pasha, më i madhi i kësaj dinastie (periudha e sundimit 1819-1836), u vra nga Sulltani, dhe në fund vjen Emin Pasha i cili sundoi deri në vitin 1843 kur vdiq.
- Rrotullajt bënë shumë ndërtime në Prizren, kryesisht me karakter fetar. Tahir Pasha ndërtoi një Medrese (1794) në Prizren, Mahmut Pasha ndërtoi 3 xhami (1828-1833), 1 medrese (1806-1831) dhe Kullën e Sahatit (1816), të gjitha këto në Prizren. Gjithashtu ai ndërtoi edhe Kullën e Sahatit në Rahovec (1791) dhe një tjetër në Mamushë (1815). Emin Pasha ka ndërtuar një xhami (1831) dhe një medrese (1855-1856), të dyja në Prizren.
Muharrem Bajraktari
RedaktoLindi në Ujmisht 28 Maj 1894. Ushtarak, politikan, burrë shteti, nacionalist me famë kombëtare dhe luftëtar për Shqipërinë Etnike dhe Demokratike. Mbaroi Akademinë Ushtarake të Vjenës (1917-1918). Mbështetës i krahut të djathtë të Ahmet Zogut. Pjesëmarrës aktiv në Triumfin e Legalitetit (dhjetor 1924). Anëtar i gjyqit ushtarak të Shkodrës, Komandant i Zonës Ushtarake me qendër në Peshkopi (1925-1927), Komandant i Xhandarmërisë Shqiptare (1927-1932) dhe Adjutant i Mbretit Zog (1932-1934). Kontribuoi në vendosjen e rendit dhe qetësisë në Shqipërinë e trazuar. Ishte udhëheqësi i krahinës së Lumës, Hasit dhe Dibrës në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesit fashist, nazist dhe kundër diktaturës komuniste. Në emigrim ishte anëtar i kryesisë së organizatës "Shqipëria e Lirë". Vdiq në Bruksel, Belgjikë në vitin 1989.
Tahir Kolgjini
RedaktoLindi në Lusën në vitin 1903. Kreu studimet në Stamboll. Mësues në Lumë, sekretar gjyqi në Himarë dhe pas një internimi në Porto-Romano shkrues publik. Gjatë Luftës II Botërore qe kryetar bashkie në Kukës dhe Prizren, zv.prefekt dhe prefekt në Kukës dhe Prishtinë, Gjirokastër dhe Shkodër. Për pak kohë ishte edhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare. Pas lufte kaloi në emigrim në Austri, Itali e në fund Turqi. Shkroi apologjinë "Të vërteta shqiptaro-greke" (1968) që denoncon përpjekjet shoviniste greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, librin "Luma dhe luftat e saj" (1969) dhe monografinë "Esat Pashë Toptani dhe akuzat që i bahen" (1977). Tahir Kolgjini ishte njohës shumë i mirë i të drejtës zakonore shqiptare.
Baba Reshat Bardhi
RedaktoLindi më 4 Maj 1935 në fshatin Lusën të Ujmishtit. Shtëpia e tij u dogj nga komunistët në vitin 1944. U zhvendos në Tiranë në vitin 1948. Në vitin 1953 u dorëzua dervish. Gjatë viteve 1958-1967 u internua në Drizar të Mallakastrës. Pas internimit punon për 23 vjet me radhë në Ndërmarrjen Bujqësore "Gjergj Dimitrov", Tiranë. Në vitin 1991 rihap Kryegjyshatën Botërore me ndihmën e Nënë Terezës. Më 20 korrik 1993 shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Është shpallur Qytetar Nderi i Kukësit, Beratit, Krujës, Bulqizës dhe Martaneshit. Është nderuar me titullin "Pishtar i Demokracisë" dhe me rastin e 70 vjetorit të lindjes nderohet me Urdhërin "Naim Frashëri", klasi i artë.
Shefqet Bruka
RedaktoLindi në fshatin Resk të Ujmishtit më 1 janar 1963. Mbaroi Universitetin e Tiranes, dega stomatologji. Pjesëmarrës i Lëvizjes Demokratike (1990-1992). Kryetar i degës së PD Kukës (1992-1996). Kryetar i Këshillit të Rrethit Kukës (1997-2000). Ndihmoi në strehimin e mbi 200.000 të dëbuarve nga Kosova nga regjimi barbar i Millosheviçit. Koordinator në disa organizata të huaja (SFD, UNDP, AMAE). Kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës (përfshin rrethet Kukës, Has dhe Tropojë) që nga viti 2007. Ishte i pari që hodhi idenë e digjitalizimit të kadastrave dhe e realizoi atë duke e bërë Qarkun e Kukësit të parin qark në Shqipëri me kadastra plotësisht të digjitalizuara.
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- Kukësi, Vështrim Enciklopedik; Nazif Dokle
- Luma në luftërat për liri; Shefqet Hoxha
- Ilirët, Historia, Jeta, Kultura dhe Simbolet e Kultit: Aleksandër Stipçeviç
- Fjalori Enciklopedik Shqiptar; Botim i vitit 1985
- https://web.archive.org/web/20100411062023/http://www.qarkukukes.gov.al/historia_dhe_kultura.html