Njësia administrative Zerqan

(Përcjellë nga Komuna Zerqan)

41°18′N 20°13′E / 41.30°N 20.21°E / 41.30; 20.21

Njësia administrative Zerqan

Njësia Administrative Zerqan shtrihet në pjesën qendrore të rrethit të Bulqizës verilindje të Shqipërisë. E shtrirë midis koordinatave gjeografike 20° 21’ gjatësi gjeografike dhe 41° 31’ gjerësi gjeografike, ajo ka një sipërfaqe prej 8180,4 ha.

Kjo njesi kufizohet me njësin administrative te Ostrenit në pjesën jugore dhe juglindore, në pjesën lindore kufizohet me njësin administrative te gjorices, në veri menjësin administrative te Shupenzës, në veriperëndim me njësin administrative te Fushë-Bulqizës dhe në perëndim dhe jugperëndim me rrethin e Matit.

Territori i kësaj njësi shtrihet pjesërisht përgjatë luginës se Zallit të Bulqizës,degë e djathtë e rrjedhjes së poshtme të lumit Drini Zi. Nëpër territorin e kësaj njësie kalon rruga nacionale që lidh Bulqizën me Peshkopinë.

Kjo njësie ka një lartësi mesatare e qendrave të banuara 700 m mbi nivelin e detit. Njësie shtrihet nga 330m mbi nivelin e detit deri ne 1800m mbi nivelin e detit. Njësia Administrative Zerqan shtrihet pjesërisht në tarracën e maleve të luginës së së Zallit të Bulqizës dhe pjesërisht në rrezën e shpatit te kodrave.

Njësia Administrative Zerqan përbëhet nga 13 fshatra që janë : Valikardhë, Zerqan, Sopot, Strikçan ,Godvi, Krajkë, Peladhi, Sofraçan, Zall-Sopot, Zall-Strikçan, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e vogël, Smollik.

Qendra e Njësië është fshati Zerqan me një largësi prej 25 km nga qyteti i Bulqizës, në krah të djathtë të rrugës nacionale Tiranë-Dibër.

Fshatrat e Njësia Administrative Zerqan kane një numër popullsie totale rreth 5300 banore.

Të dhëna të detajuara lidhur me secilin nga fshatrat jepen në tabele :

Nr   Fshati        Popullsia gjithsej  Nr. Familjeve
 1.  Zerqan               568            188
 2.  Valikardhe           947            264
 3.  Peladhi              419            122
 4.  Krajke               266             76
 5.  Godvi                269             71
 6.  Sofracan             226             57
 7.  Zall-Strikcan        191             52
 8.  Zall-Sopot           222             62
 9.  Strikcan             655            171
10.  Sopot               1004            275
11.  Smollik              142             37
12.  Ternove e Madhe      296             76
13.  Ternove e Vogel       84             21
Shuma                    5289           1472

Lugina e Grykës se Madhe dhe krahinës së Zerqanit ka qenë banuar prej kohësh relativisht te vjetra. Në fshatin Krajkë duken edhe sot shenjat e një vendbanimi të hershëm në vendin e quajtur “Qafa e Qytetit”. Po kështu në fshatin Strikçan, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës” gjatë punimeve të tokës fshatarët kanë gjetur qynje ujësjellësi, tulla, kapitale kolonash të stilit korintik dhe sende të tjera të kulturës materiale, të cilat dëshmojnë se kjo zonë ka qenë banuar prej kohësh. Në dokumentet historike mesjetare krahina në fjalë njihet me emrin “Tamadia” dhe fshati Zerqan, Zirclan (që në latinisht d.m.th. Zir-vend dhe clan –artë ; pra vendi i artë) daton me 18 maj 1273 në një diplomë të Karlit të Parë Anzhu, ku i dhuron fisnikut arbëresh Pal Gropës disa feude. Ndër këto feude regjistrohej edhe Zirclani.

Burim tjetër dokumentar konsiderojmë defterin turk të vitit 1467. Në faqen 88-të të regjistrit përmendet timari ASHCI Skënderit që korrespondon me fshatin Zerqan (në tekst është shkruar Zirclan).

Zerqani ka qenë një ndër zonat më të zhvilluar nga ana arsimore. Që më 1910 në Zerqan u ndie nevoja për të mësuar gjuhën shqipe në mënyrë të organizuar që të ringjallej ndenja e atdhedashurisë. Kështu që me 10 maj të vitit 1910 u hap shkolla e parë e cila kishte si staf pedagogjik 18 mësues, dhe si ndërtesë, shtëpinë e një fshatari të thjeshtë. Në 1914 kjo shkollë u detyrua të mbyllej pasi në këtë kohë Zerqani u bë shesh lufte për shtetet e huaja me fillimin e luftës së pare botërore. Edhe pse ishte atmosferë lufte me 5 prill të vitit 1916 u arrit të rihapet shkolla, tani me 40 nxënës, nga këta 10 vajza dhe 30 djem. Në shkollë mësohej gjuha shqipe, aritmetikë dhe këngë. Shkolla u mbyll përsëri më 1918 pasi në vend erdhën serbët dhe politika e tyre ishte shumë e ashpër. Në 1921 u rihapën shkollat vit i cili përkon me ikjen e serbëve. Në fillim jepej mësim me klasa kolektive por si pasojë e shtimit të numrit të nxënësve klasat u detyruan të ndaheshin. Në 1925-1926 shkolla kishte 75 nxënës vetëm në qendrën e komunës klasa e pare 49 nxënës, klasa e dytë 7 nxënës, klasa e tretë 16 nxënës, dhe klasa e katërt 18 nxënës. Në vitet 1931-1932 vlen për tu përmendur hapja e shkollës femërore, por numri i tyre u zvogëlua shumë gjë që solli ribashkimin e shkollës.

Shkolla e kësaj Njësie ka ditur ti rezistoje shumë mirë pushtimeve të huaja përveç atyre që përmendëm më lart në 1939-1944 fashistët u përpoqën ta shkombëtarizonin por nuk ia arritën qëllimit pasi populli dhe nxënësit ruajtën traditat e zakonet kombëtare dhe kundërshtuan politiken fashiste. Si pasoje e luftës së dytë botërore ashtu si te gjithë sektorët e jetës edhe shkolla pati vështirësitë e veta në pragun e çlirimit. Vendi dhe orendit ku zhvillohej mësimi ishin shkatërruar, të gjithë dhanë kontribut për ta rindërtuar sërish. U bë një reformë në arsim, u hoq feja si lëndë, u hapën kurse të veçanta për lëndët si abetare, aritmetikë, në mënyrë që të zhdukej analfabetizmi. U hap e para shkollë 7-vjeçare, përmendim klasën e pestë e cila kishte 33 nxënës nga të cilët vetëm 16 e morën dëftesën e lirimit të klasës së 7-të. Tjetër reformë ishte hapja e shkollave nëpër fshatrat e tjera të komunës, arsimi 7-vjeçar u bë i detyrueshëm dhe mund të themi se më 1954 pothuajse u zhduk analfabetizmi në këtë njesi. U rrit numri i femrave të shkolluar në 21,06 % të shkollës, gjithashtu u ngritën terrene sportive për edukimin dhe kalitjen e nxënësve. Ndërsa sot komuna Zerqan është e përbërë nga 9 kopshte, 11 shkolla fillore, 7 shkolla 9-vjeçare, dhe një shkollë e mesme e përgjithshme.

Njësia Administrative Zerqan bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare para malore nën zona veriore. Ajo ndryshon shumë në drejtim të lartësive të mëdha. Është një klimë e shëndetshme por gjithashtu me kontraste të dallueshme gjatë stinëve.

Temperatura është një nga indikatorët e klimës e marrë në analizë. Kështu nga të dhënat shumëvjeçare të analizuara ka rezultuar se temperatura mesatare shumëvjeçare e korrikut është 20,8 °C. Ndërsa temperatura mesatare shumëvjeçare e janarit është 0,6 °C.

Temperatura maksimale absolute në komunën Zerqan është 37 °C, ndërsa temperatura minimale absolute është -20 °C. Përsa i takon dy stinëve të tjera, në këtë zonë shfaqen temperatura optimale dhe të pranueshme për kushtet e shtrirjes gjeografike dhe të terrenit të kësaj zone.

Vendbanimet

Redakto


Burimet

Redakto

Shiko edhe

Redakto