Kostandin Boshnjaku
Kostandin Boshnjaku (Gjata, 1888 - Tiranë, 1953) nëpunës dhe drejtor banke dhe publicist shqiptar.
Jeta
RedaktoU lind në vitin 1888 në katundin Gjat të Lunxhërisë (Gjirokastër).[1] Mësimet e para i mori në vendlindje ndërsa studimet e larta i kreu në Institutin Tregtar të Pireut në vitin 1908. Shërbeu nëpunës banke në Odesë në periudhën 1908-1911 ndërsa në periudhën 1911-1914 shërbeu si drejtor i departamentit të marrëdhënieve me jashtë në një bankë në Shën Pjetërburg.
Mori pjesë në qeverinë e Princ Vidit si drejtor i Thesarit dhe Borxhit të Shtetit. Pas vitit 1917 organizoi kolonitë shqiptare në Rusi. Në janar 1922 shkoi në Moskë dhe vendosi kontaktin e parë shqiptar me Rusinë Sovjetike dhe bëri përpjekje për prurjen e këtyre ideve në Shqipëri, kjo çoi edhe në majtizimin e bindjeve të Nolit sipas Ali Këlcyrës.[2] Më 1923 u kthye në Shqipëri, u dërgua si përfaqësues diplomatik në Sofie, mirëpo pa u paraqitur letrat kredenciale iu kërkua të kthehej në Tiranë.[3] Falë tij kaloi rezoluta e fjalëve që iu kushtuan Leninit në shkurt 1924 pak muaj pas vdekjes së tij.
Përkrahu Nolin, më pas u largua pas dështimit të Lëvizjes së qershorit.
Anëtar i Komitetit Qendror të KONARE-së. Bënte pjesë në delegacionin e kryesuar nga Noli në Konferencën e Miqve të BS më 1927. Jetoi në Sofie në periudhën 1931-34 dhe në Rumani në 1934-39. U kthye në Shqipëri më 1939, anëtar i Këshillit Kontrollues.
Në shtator 1943 iu bashkua Luftës së ANÇ. Në janar 1945 u emërua drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit si dhe u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor 1946-47. Më 1946 u pushua nga puna, më 1947 u arrestua me grupin e dytë të deputetëve[4] dhe në janar 1948 u deklarua fajtor për lidhje me Anglo-Amerikanët dhe me Grekët. Më 1949 u fal me amnisti. U shpreh kundër shtetëzimit të industrisë dhe heqjes së nismës private. Vdiq më 1953.[5]
Burime
Redakto- ^ A. Kotini: Kostandin Boshnjaku-Si u persekutua drejtori i parë i Bankës pas ’45-s, miku i Ajnshtajnit. E hënë, 23 mars 2013. Gazeta metropol. fq. 18-19.
- ^ Këlcyra A., Shkrime për Historinë e Shqipërisë, hulumtuar ndër arkiva prej Tanush Frashërit, Tiranë: Onufri, 2012. fq. 114. ISBN 978-99956-87-81-6
- ^ Malltezi L., Nacional publikon për herë të parë dokumentat sekretë: Komunistët shqiptarë në arkivat angleze, Gazeta Nacional, 9 tetor 2013.
- ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 67. ISBN 978-9828-106-38-4
- ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2008. fq. 284. ISBN 978-99956-10-27-2