Në Greqinë arkaike, një amfiktioni ((greqisht: ἀμφικτυονία, "ligë e fqinjëve"), ose lidhja amfiktionike, ishte një shoqatë e lashtë fetare fisnore e formuar përpara ngritjes së poliseve (qytet-shteteve) greke.[1]

Gjashtë qytetet doriane të brigjeve jugperëndimore të Anadollit dhe dymbëdhjetë qytetet joniane në veri që formuan Lidhjen Jonike pas një lufte Meliake (e shtetit Melia) në mesin e shekullit të 7-të pr.e.s, ishin tashmë të një antikiteti të konsiderueshëm kur dolën të dhënat e para të shkruara.

Delfi dhe vendndodhja e tempujve të lashtë grekë

Një amfiktioni e përbërë nga politika nën mbrojtjen e faltores së Apollonit në Delos, me sa duket u themelua mirë në shekullin e shtatë, pasi Himni Homerik për Apollonin delian të asaj date të përafërt jep një listë për to[2], për ato qytete dhe ishuj që dridheshin (nga ndëshkimi i Herës) dhe nuk pranonin të ofroheshin për vendlindjen e Apollonit kur Letoja shtatzënë shkoi te secili me radhë; himni homerik paraqet një mit origjine për kultin e Apollonit në Delos. Festa e përbashkët joniane që festohej atje ishte Delia. Amfiktionia Deliane u ngrit në shekullin e IV pr.e.s si një instrument i hegjemonisë athinase.

Tukididi kujton Luftën Lelantine, me sa duket e zhvilluar në Eube diku midis fundit të shekullit të 8-të pr.e.s dhe gjysmës së parë të shekullit të 7-të pr.e.s: "Lufta midis Kalkidës dhe Eretrisë ishte ajo në të cilën ishin shumica e qyteteve që i përkisnin pjesës tjetër të Greqisë. të ndarë në aleanca me njërën ose tjetrën palë.”[3]

Edhe Frigjia dhe Asiria ishin në luftë me njëra-tjetrën rreth vitit 720. –710 pr.e.s, duke rritur tensionet mes grekëve të interesuar.

Në kohët historike, një amfiktioni mund të mbijetojë si një formë e organizimit fetar të urdhëruar për të mbështetur tempuj të veçantë ose vende të shenjta; amfiktionitë tradicionale koordinonin Lojërat Olimpike dhe Pitiane. Dymbëdhjetë anëtarë do të mblidheshin në kohë të caktuara në të njëjtën shenjtërore për të mbajtur festat fetare dhe për të drejtuar edhe çështje të tjera.

Një amfiktioni e hershme me qendër në Kalaureia, një ishull afër bregut të Troezen në Peloponez, i shenjtë për Poseidonin, është shënuar nga Straboni. Sipas zbulimeve arkeologjike lidhja e shenjtë u themelua në çerekun e dytë të shekullit të 7-të pr.e.s, rreth 680–650 pr.e.s[4]; para kësaj date nuk kishte pothuajse asnjë mbetje në vend, të cilat nuk mund të ishin përdorur më shumë se në mënyrë sporadike. Ishulli njihej në një kohë si Eirene (Εἰρήνη, "Paqja"), qartësisht në lidhje me amfiktioninë. Straboni rendit poliset që i përkisnin:

"Dhe kishte gjithashtu një lloj lige amfiktionike të lidhur me këtë tempull, një ligë prej shtatë qytetesh që morën pjesë në sakrificën; ato ishin Hermiona, Epidauri, Aegina, Athina, Prasïeis, Nauplïeis, dhe Orkhomenus Minyeius; megjithatë, Argivët paguanin detyrimet për Nauplianët, dhe Lakedaemonianët për Prasianët.[5] AMFIKTIONIA DELFIKE

Amfiktionia Delfike

Amfiktionia më pak e errët dhe më jetëgjatë ishte Amfiktionia Delfike ose Lidhja e Madhe Amfiktionike që u organizua për të mbështetur tempujt më të mëdhenj të Apollonit dhe Demetrës. Këshilli i saj kishte autoritet fetar dhe fuqi për të shpallur dënime kundër shkelësve (të cilat mund të varionin nga gjobat deri në dëbim) dhe për të kryer luftëra të shenjta. Lidhja Amfiktionike vendosi gjithashtu rregullat e betejës për të mbrojtur vendet e shenjta dhe për të vendosur dënime për ata që cenonin vendet e shenjta. Të gjithë anëtarët ishin të detyruar të zotoheshin me një betim, siç raportohet nga Eskini (389-314 pr.e.s).[6]

Bazuar në legjendën, Lidhja e Madhe Amfiktionike u themelua disi pas Luftës së Trojës, për mbrojtjen dhe administrimin e tempullit të Apollonit në Delfi dhe tempullit të Demetrës në Anthele, afër Termopileve. Miti themelues pretendonte se ai ishte themeluar në të kaluarën më të largët nga një themelues me emër Amfiktion, vëllai i Helenit, paraardhësi i përbashkët i të gjithë helenëve. Përfaqësuesit e dymbëdhjetë anëtarëve (të quajtur hieromnemones) takoheshin në Termopile në pranverë dhe në Delfi në vjeshtë.

Dymbëdhjetë popullsitë themeluese të numëruara nga Eskini, ishin Aenianët ose Oitajët, Beotët e Tebës, Dolopët, Dorët e Spartës, Jonët, Fthianët Akeasit, Lokrianët (Opuntianët) dhe Ozolianët, Magnetët, Malienët, Perraibët, Fokejtë, Pitianët e Delfit, dhe Thesalianët. Doktrina e Lidhjes kërkonte që asnjë anëtar të mos fshihej krejtësisht në luftë dhe asnjë anëtari të mos i ndërpritej furnizimi me ujë as në kohë lufte. Kjo nuk i pengonte anëtarët të luftonin për dominimin mbi tempujt.

Lidhja më e vjetër fetare amfiktionike njihej si Antheliane sepse ishte e përqendruar në kultin e perëndeshës ktonike Demeter në Anthela. Dymbëdhjetë delegatët ishin titulluar Pylagorai, ndoshta një referencë për Portat lokale të Hades, pasi Demetra ishte një perëndeshë ktonike në kultet e saj më të vjetra lokale. Banorët e menjëhershëm përreth ishin disa shtete të vogla dhe gjithashtu Akea-Fthiotis që ndoshta i hapën rrugën hyrjes së trupit të fiseve të tjera të beotiane që jetonin rreth Thesalisë (perioikoi). Beotia dhe Fokida më e largët mund të jenë bashkuar vetëm gjatë ose pas "Luftës së Parë të Shenjtë", e cila çoi në humbjen e priftërisë së vjetër dhe në një kontroll të ri të prosperitetit të orakullit në Delfi.

Si rezultat i luftës, grupi i Anthelanit u njoh që atëherë si Amfiktionia Delfike dhe u bë mbikëqyrësi zyrtar dhe mbrojtësi ushtarak i kultit Delfik. Një ndjenjë e çuditshme dhe zbuluese anti-thesaliane shfaqet dhe një mur u ndërtua nëpër grykën e ngushtë në Termopileve për të mbajtur thesalianët jashtë.

Është sugjeruar se Mburoja e Heraklesit mund të pasqyrojë ndjenjën anti-thesaliane pas Luftës së Parë të Shenjtë: në këtë epikë, një hero thesalian që ndërhyn në shenjtëroren fokiane vritet nga një hero beotian (Heraklesi), njerku i të cilit Amfitrioni kishte për aleatë Lokrianët dhe Fokianët. Kjo ishte një punë artistike e bërë për t'u kënduar në një festival beotian në mes të verës në kohën më të nxehtë të yllit-qen Sirius.[7]

Emri ‘helenë’, mund të lidhet me anëtarët e ligës dhe mund të jetë zgjeruar për t'iu referuar të gjithë grekëve kur u shpik miti i themeluesit të tyre Helen. Në mitologjinë greke Amfiktioni ishte vëllai i Helenit dhe Graeku ishte djali i motrës së tij Pandora. Sipas Kronikës Pariane, ata që më parë quheshin Graekes u riemëruan Helenë.

Luftrat e shenjta

Fillimisht një organizatë fetare, Lidhja Amfiktionike Delfike u bë e rëndësishme politikisht në shekullin e 6-të pre.s, kur qytet-shtetet më të mëdha filluan ta përdorin atë për të ushtruar presion ndaj atyre më të vegla.

Orakulli arriti të bëhej i pavarur nga qyteti i Krisës, të cilit tempulli i përkiste fillimisht. Populli i Krisës vendosi më pas një taksë për ata që kalonin nëpër zonën e tyre për të shkuar në Delfi, duke shkaktuar ankesa të forta dhe duke zvogëluar burimet e Orakullit. Amfiktionia, pasi kishte shteruar të gjitha mjetet e tjera për të zgjidhur në mënyrë paqësore krizën, shpalli Luftën e Parë të Shenjtë (ose Luftën Cirrheane)[ kundër Krisës që zgjati një dekadë, nga 596 deri në 585 pr.e.s. Rezultati ishte shkatërrimi i Krisës dhe përkushtimi i këtij vendi ndaj Apollonit, Letos, Artemisës dhe Athena Pronaias. Pas kësaj, Lojërat Pitiane u mbajtën çdo katër vjet, nën drejtimin e Amfiktionëve.

Në vitet 449-448 pr.e.s, fokianët, duke dashur të bëheshin zotër të shenjtërores, marshuan kundër Delfit, por spartanët dërguan një ushtri dhe rivendosën gjërat, duke shkaktuar kështu Luftën e Dytë të Shenjtë. Pas largimit të spartanëve, athinasit, të udhëhequr nga Perikliu, u kthyen fokianëve sundimin e Delfit dhe menaxhimin e Lojërave Pitiane. Në 421 pr.e.s, pas Paqes së Nikias, Delfi u bë përsëri autonom. Megjithatë, nuk ka gjasa që Fokida të ketë mbetur nën kontrollin e Delfit pasi anëtarët e Lidhjes Beotiane mundën Athinën në Betejën e Koroneas (447 pr.e.s).[8]

Në vitin 356, fokianët nën Filomelin pushtuan dhe plaçkitën Delfin, dhe një luftë tjetër e shenjtë u shpall kundër tyre. Pas një lufte dhjetëvjeçare, fokianët u përjashtuan nga Lidhja në vitin 346 dhe dy votat e tyre iu dhanë maqedonasve që kishin ndihmuar për t'i mposhtur ata. Filipi II i Maqedonisë e përdori këtë fuqi për të çuar përpara politikën e tij ekspansioniste në Greqi. Kjo përfundoi në Luftën e Katërt të Shenjtë, e cila kulmoi në Betejën e Kheroneas (338 pr.e.s), duke shënuar dominimin përfundimtar të maqedonasve mbi Greqinë.

Në vitin 279 pr.e.s Amfiktionia Delfike pranoi si anëtarë të rinj Lidhjen Etoliane, e cila kishte mbrojtur me sukses shenjtëroren si dhe pjesën tjetër të Greqisë kontinentale kundër Galëve. Në këtë rast, fokianët u ripranuan gjithashtu sepse kishin marrë pjesë në mbrojtjen e rajonit. Në shekullin III, Soteria (festë) u mbajt për nder të fitores greke kundër galëve. Në vitin 191, Lidhja kishte 17 anëtarë, por vetëm më dominuesi kishte dy votat, ndërsa të tjerët kishin vetëm një. Liga vazhdoi të ekzistonte nën Perandorinë Romake, por autoriteti i saj ishte i kufizuar në kujdesin e tempullit të Apollonit në Delfi. Perandori romak Augusti bashkoi Enianët, Malienët, Magnetët dhe Pitianët me Thesalianët. Meqenëse Dolopët ishin zhdukur ndërkohë, ai ia dha votën e tyre qytetit të Nikopolit (në Epir).

Lidhja Amfiktionike ra gradualisht dhe në shekullin II të erës sonë ajo u zëvendësua nga Panhelenioni, i themeluar nga perandori romak Hadriani. Megjithatë, selia e Lidhjes Amfiktionike ishte në Athinë, qyteti i preferuar i perandorit. Kështu, duket se më në fund Amfiktionia është zbehur, megjithëse nuk kemi një datë specifike për ndërprerjen e saj.

Kongresi i Panamasë, i organizuar nga Simón Bolívar në 1826 me synimin për të bashkuar republikat e reja të Amerikës Latine në një aleancë të përhershme, shpesh quhej ‘Kongresi Amfiktionik’, si homazh për Ligën Amfiktionike të Greqisë së lashtë.


Referime

  1. ^ "Përkufizimi i fjalës amfiktioni". Dictionary.com (në anglisht). {{cite web}}: |archive-date= ka nevojë për |archive-url= (Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në: |archive-date= (Ndihmë!)
  2. ^ Enciklopedia britanike. "Amphictyony" (në anglisht).
  3. ^ Tukididi. Lelantine war (në greqisht). fq. 15, 3.
  4. ^ Thomas, Kelly (1966). "The Calaurian Amphictiony" il 1966:113–121) (në anglisht). American Journal of Archaeology 70.2.
  5. ^ That is, Sparta took the place of Prasïeis, which was conquered by Sparta shortly after the middle of the sixth century (në anglisht). (Kelly 1966:119, noting Herodotus, i.82).
  6. ^ The Speeches of Aeschines, On the Embassy (në anglisht). fq. 245.
  7. ^ L.H.Jeferry (1974). The Archaic Greece. The Greek city states. 700-500 B.C. (në anglisht). fq. 74.
  8. ^ Donald, Kagan (1969). The Outbreak of the Peloponnesian War, based largely on Thuc (në anglisht). fq. 120–124.