Maksimilian Lamberci (gjer. Maximilian Lambertz )(* 27. korrik 1882Vjenë; † 26. gusht 1963 në Markkleeberg, Leipzig) ishte albanolog austriak. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj. Deri më tani Zymer Neziri ka shqyrtuar HAN: Autogr. 760/44 deri në 760/50; HAN: Autogr. 978/41 deri në 978/47; HAN: Autogr. 24 917 deri në 24 925 3 shtojca; HAN: Autogr. 31 029 deri në 31 050; HAN: Autogr. 24 755 deri në 24 619. ndërsa kanë mbetur të parealizuara: HAN: Autogr. 24 620 deri në 24 678.

Maksimilian Lamberci
Emri Maximilian
Mbiemri Lambertz
Kombësia gjermane
Shtetësia austriake
Profesioni albanologë

Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).

Studiuesi, profesor universitar dhe albanologu i njohur austriak, prof. dr. Maksimilian Lamberc, që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës etj.[1]

Jeta studimore

Redakto
  • Sipas Astrit Lulushit nga maji në qershor 1916, Lamberc shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar. Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën.
  • Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore. Ai ishte ngarkuar për krijimin e sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë. Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat. Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit.
  • Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese. Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe Institutin e gjuhëve indo – evropiane.

Vepra albanologjike

Redakto

Vepra albanologjike e M. Lambertz-it është e pasur dhe e shumanshme. Ai është marrë me me shumë çështje të gjuhës shqipe e të dialekteve të saj, me mësimin e shqipes si lëndë universitare, me letërsinë shqipe, me folklorin shqiptar dhe me përkthime nga letërsia shqipe në gjermanishte.

1. Dialektologji.

Redakto

M. Lambertz-i e nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913–1914 gjatë një udhëtim studimor në Itali. Qëndroi katër muaj në fshatrat arbëreshe Munxhufun (Montecilfone), Këmarin (Campomarino), Portkanun (Portocannone) e Ruri (Ururi) të provincës së Kampobasos (krahina e Molizes) dhe në fshatrat Qefti (Chieuti) e Kazallveq (Casalvecchio di Puglia) të provincë së Foxhas (krahina e Puljes). Aty regjistroi një lëndë të pasur dialektologjike e folklorike. Fryt i parë i kësaj pune është skica e tij “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike të bie në sy puna e thelluar që ka bërë M. Lamberci për të njohur dhe përdorur gjithë botimet e Arbëreshëve dhe për Arbëreshët. Ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë për mbledhjen dhe studimin të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbeturinën e fundit të shqipes mesjetare. Nga studimi i këtyre të folmeve ai arrin në përfundimin se djepi i Arbëreshëve të Molizes ka qenë Shqipëria e Mesme dhe e Jugut dhe se ata, të ardhur prej krahinash të ndryshme, formuan aty gjatë shumë brezave një ligjërim të ri të përbashkët, prandaj të folmet e fshatrave arbëreshe janë mjaft të ngjashme. Kjo tezë është rimarrë edhe më pas për të folmet e ngulimeve arbëreshe në vise të tjera të Italisë. Duke gjykuar nga këto të folme, M. Lambertz-i shpreh këtu mendimin se disa tipare dialektore të shqipes (veçanërisht fazat e ndryshme të zhvillimit të diftongjeve) nuk kanë pasur në Mesjetë shtrirjen e tyre të sotme, d.m.th. kufijtë e disa dukurive dialektore të shqipes kanë lëvizur në shekujt pas Skënderbeut. Pas botimit të kësaj skice, M. Lambertz-i iu rikthye materialeve të mbledhura dhe hartoi një monografi të gjerë “Italoalbanische Dialektstudien. Die albanische Mundarten in den italienischen Provinz Campobasso und Foggia (Molise)”, që u botua në vitet 1923–1925. Në këtë punim autori trajton me hollësi veçoritë fonetike të të folmeve arbëreshe të Molizes, u kushton kujdes të veçantë veçorive fonetike, sidomos ndërrimeve të zanoreve e diftongjeve, duke dalluar dukuritë e trashëguara nga atdheu mëmë nga ato që janë përftuar në atdheun e ri si zhvillim i brendshëm a si ndikim i mjedisit dialektor italian. Në pjesën për morfologjinë trajtohen kryesisht format e sistemit emëror e foljor. Krahas përshkrimit të saktë të tyre, autori ka bërë edhe një varg vërejtjesh me karakter historik (për mënyrën lidhore, për format e së pakryerës etj.). Në pjesën e sintaksës ka vëzhgime për përdorimin e kategorive gramatikore si dhe për disa tipa fjalish, si fjalia qëllimore, kushtore, lejore, pyetëse dëftore e urdhërore. Pjesa e tretë e punimit përmban tekste popullore të mbledhura drejt nga goja e popullit, ndërsa pjesa e katërt një glosar të pasur, ku M. Lambertz-i nuk kufizohet të japë vetëm kuptimet e fjalëve në ato të folme, por bën edhe një varg krahasimesh me të folmet e tjera arbëreshe, me fjalorët e shqipes të botuar deri në atë kohë, jep mendime për etimologjinë e një vargu fjalësh dhe për zhvillimet fonetike e morfologjike të tyre. Pas shumë vjetësh M. Lambertz-i u kthye edhe një herë te studimi i të folmeve arbëreshe në punimin për Jul Varibobën dhe veprën e tij. Nga ana gjuhësore ka rëndësi të veçantë fjalori i këtij autori arbëresh me shënimet e shpjegimet e shumta për kuptimet e përdorimet e fjalëve, me të cilat e ka pajisur M. Lambertz-i. Ashtu si edhe në raste të tjera, bien në sy njohuritë e thella që ka ai edhe për gjuhën e autorëve arbëreshë. M. Lambertz-i pati treguar interes të veçantë për dialektet e folura në Shqipëri që para Luftës I Botërore. Ai kishte filluar atëherë të mblidhte materiale për të folmen e Mirditës nga një Mirditas që banonte në Vjenë. Në maj–gusht 1916 u dërguan Shqipëri për një hulumtim shkencor nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Vjenë. Fryt i parë i hulumtimeve të tij nëpër atë pjesë të Shqipërisë që administrohej nga trupat austrohungareze, qe parashtresa “Vorläufiger Bericht des Dr. Max Lambertz über seine linguistische Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916”. Në këtë kumtim për herë të parë bëhet një ndarje shkencore e trevës së gegërishtes në krahina dialektore, duke treguar se si kalohet shkallë-shkallë nga një e folme te tjetra. Ai dallon grupin e të folmeve të Kosovës (ku përfshin edhe të folmen e Gjakovës) nga të folmet e Malësisë së Madhe; në jugperëndim të tyre dallon të folmen e qytetit të Shkodrës me rrethina; një grup më vete përbëjnë me trajtat e tyre fonetike të folmet e Mirditës, Kthellës, Lurës dhe Matit, ndërsa më në jug dallon grupin e të folmeve të Krujës, të qytetit të Tiranës e të Malësisë së Tiranës. Këto të folme e grupe të folmesh përkojnë pak a shumë edhe me ndarjen etnografike të trevës gege. Temës së ndarjes dialektore të shqipes M. Lambertz-i i është rikthyer disa herë në artikujt dhe punimet e veta. Përfundimisht dialektin gegë e ndan në katër grupe të folmesh: gegërishtja veriore (d.m.th. veriperëndimore), gegërishtja verilindore, gegërishtja e mesme dhe gegërishtja jugore, duke dhënë një paraqitje të saktë të shtrirjes së të folmeve shqipe deri në kufijtë më veriorë e lindorë të tyre. Në dialektin toskë, duke zbritur nga veriu në jug, dallon dialektin e Manastirit e të Pogradecit, të Korçës, të Kolonjës, të Myzeqesë, të Beratit, të Mallakastrës, të Kurveleshit, të Himarës, të Tepelenës, të Gjirokastrës, të Zagorisë e të Çamërisë. Edhe të folmet e Arbëreshëve të Italisë e të Greqisë i përfshin në toskërishte. Bigëzimin dialektor të shqipes, d.m.th. ndarjen në dy kryedialekte: gegërishte në Veri e toskërishte në Jug, M. Lambertz-i e sheh të kushtëzuar historikisht nga tri arsye kryesore:

a) orientimi kishtar i ndryshëm i Veriut e i Jugut (i pari i lidhur me katolicizmin, i dyti me ortodoksinë),

b) fatet jo të njëjta historike të këtyre trevave (Veriu dhe Shqipëria e Mesme ka shkuar më shumë me shtetet fqinje serbe e bullgare, ndërsa Jugu sidomos që prej themelimit të Despotatit të Epirit në shek. XII, ka shkuar me Bizantin dhe Greqinë, ndërsa me pushtimin osman në shek. XV feudalët shqiptarë të Jugut morën fenë islame dhe zunë poste të larta në administratën e Perandorisë),

c) organizimi i ndryshëm shoqëror (rendi fisnor në Veri, sistemi feudal në Jug) dhe niveli i ndryshëm kulturor i tyre. Këto rrethana, sipas tij, kanë ndihmuar në krijimin dhe veçimin e dy grupeve të mëdha dialektore në të majtë e në të djathtë të Shkumbinit, por dallimet ndërmjet tyre, – thekson ai, – nuk janë aspak aq të thella sa ç’është pohuar disa herë, për arsye joshkencore, nga pala e joalbanofilëve.

Duke e shprehur këtë në mënyrë të figurshme, M. Lambertz-i pohon se ndërtimi i dy grupeve dialektore (gegërisht e toskërisht) nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme; dallimet ndërmjet dialektit më verior, të Grudës, dhe atij më jugor, të Çamërisë, janë më të vogla se ato ndërmjet dialektit të Torinos e të Palermos ose dialektit të Meklenburgut dhe atij të Tirolit.

2. Gramatikë

Redakto

Fushë tjetër e rëndësishme në veprimtarinë shkencore të M. Lambertz-it është gramatika shqipe, më fort e gjuhës së sotme dhe më rrallë historikja. Ai na ka dhënë të parën monografi për sintaksën shqipe me studimin e tij të gjerë “Periudha hipotetike në gjuhën shqipe” prej 164 faqesh shtypi, botuar që më 1914. Në këtë monografi, e para e këtij lloji për gjuhën shqipe, duke shqyrtuar një lëndë të pasur, të nxjerrë nga tekstet e vjetra e të rejat dhe nga folklori, autori trajton, së pari, lidhëzat me të cilat ndërtohet fjalia kushtore, përdorimin e kohëve e të mënyrave të foljes te protaza e apodoza, më tej fjalitë kushtore asindetike, zëvendësimin e fjalisë kushtore me ndërtime të tjera,përdorimin e fjalive kushtore me funksione të tjera, më në fund jep një vështrim të përgjithshëm për fjalitë kushtore irreale. Në këtë punim shihet se M. Lambertz-i kishte arritur që atëherë ta njihte shumë mirë shqipen. Kjo e ka lejuar të zbulojë e të vërë në dukje edhe vlerat e ngjyrimet stilistike të fjalive kushtore. Krahasimet me gjuhët romane, veçanërisht me rumanishten, si edhe me greqishten e vjetër e të renë, i japin këtij punimi një vlerë të veçantë për sintaksën e krahasuar të gjuhëve ballkanike.

M. Lambertz-in e ka tërhequr vazhdimisht sintaksa e gjuhës së folur dhe e ligjërimit popullor të përditshëm. Ai është ndër të parët që i ka kushtuar vëmendje të veçantë studimit të saj, së pari, në punimin për Këngët e Kreshnikëve e më pas në një punim të

posaçëm për ligjërimin popullor të qytetit të Gjirokastrës. M. Lambertz-i ka theksuar se njohja shkencore e shqipes nuk mund të jetë e plotë vetëm me studimin e gjuhës letrare dhe të dialekteve. Rëndësi të veçantë shkencore ka studimi i gjuhës së folklorit dhe i ligjërimit të përditshëm. M. Lambertz-i i ka bërë një analizë mjeshtërore sintaksës poetike të Këngëve të Kreshnikëve, duke nxjerrë në pah pasurinë e madhe e të larmishme të mjeteve shprehëse të epikës sonë legjendare, si p.sh. epitet e krahasimet, përdorimi i formave të habitores, të cilat i vlerëson si mënyra përshkrimi me gjallëri (Modi der lebhaften Darstellung), që e paraqitin veprimin si më të afërt ndaj folësit, sikur zhvillohet përpara syve të tij (p.sh. Paska qitë Halili e ka thânë.../ Atherë derën e paska ndrŷ.../ Se n’krajlí Muji paska dalë, Edhe ‘i nuse e paska zânë... etj.); përdorimi i trajtës së shkurtër përemërore më si dhanore e pjesëmarrjes së folësit (Dativ der Anteilnahme ose dativus intimitatis), p.sh.: Sa shpejt diellin ma xû rêja!/ Shpejt ma êndi ‘i pëlhurë t’gjânë e t’gjatë! etj.

Nga fusha e gramatikës historike është për t’u përmendur artikulli i shkurtër “Aoristi i shqipes më -va”, ku autori flet për tipat e aoristit në gjuhën shqipe dhe trajton rrudhjene aoristit sigmatik për shkak të përhapjes së formës me -va (u lava, u ktheva në vend të u lashë, u kthyesh).

Tituj të veprave

Redakto

Burimi i të dhënave

Redakto

bksh.al

  1. ^ Zymer Neziri : Dorëshkrimet e Maksimilian Lambercit mbi folklorin shqip në Vjenë amza: alb-shkenca.org

Shiko dhe këtu

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto

Aurel Plasari - Lambertzi për Fishtën