Marinus Becichemus Scodrensis (shqip: Marin Beçikemi; Shkodër, 1468 - Padova, 1526) ka qenë një shkollar dhe orator arbëror që u shqua si humanist fillimisht në Breshia dhe më pas në Padova të Republikës së Venedikut herët në shekullin e 15.

Marin Beçikemi nga Pjerin Sheldija

Nëse vite përpara ishte i qartë dallimi mes Barletit dhe Beçikemit,[1][2] sipas një studimi të rishtë, (ri)propozohet që këta dy humanistë janë i njëjti njeri.[3]

Biografia

Redakto

Beçikemi vinte nga një familje arbërore në Shkodër, kur kjo ishte pjesë e zotërimeve venedikase në Arbëri. Shumë prej detajeve biografike mbi familjen e tij vijnë prej disa ligjëratave dhe letrave që ai vetë shkroi, si dhe prej një panegjiriku që shkroi më 1503 duke iu drejtuar senatit venedikas si lavd për strehimin e 2,000 refugjatëve arbëror prej Shkodrës në territoret e republikës, pasi Shkodra iu dorëzua osmanëve.

Pas gjasave u lind më 1468, i biri i Marino dhe Bianca Pagnano; i ati ishte për rreth 30 vjet sekretar i republikës venedikase në oborrin osman, e ëma me gjasë i përkiste një familjeje tregtarësh milanezë që vepronin në Dalmacinë venedikase.[1] Sipas studjuesve, Beçikemët vinin nga viset e Pastroviqit (sot pjesë e Bregdetit të Malit të Zi), ku popullata qe një përzierje arbro-vllehe që më pas u sllavizua.[3] Gjyshi i tij, Pietro së bashku me Stefano Ionina ka qenë ambasador arbëror në Venedik;[1] së bashku me gjyshin e të vëllait të Beçikemit, pjesë të mbrojtësve, ranë në rrethimin e Drishtit nga rrethimi i Stefan Balshës/Maramonte më 1429.[4] Më 1477 u dërgua në Ulqin, dhe pas një viti në rrethimin e Shkodrës të 1478-1479 morën pjesë ndër qëndrestarët i ati i Beçikemit, i vëllai, xhaxhai i tij Stefani. Prej 30 të afërmëve, 26 mbetën të vrarë nga luftimet, duke përfshirë të atin.[5] Ngjarjet e rrethimit patën domethënie të madhe për Beçikemin që shpeshherë u kthehej kur i referohej komunitetit të vet që edhe pas sa viteve që u ngulitën në territoret venedikase i quante "ne refugjatët e mjerë arbëror" dhe quante veten "refugjat të palumtur".[6]

Pas dorëzimit Beçikemi gjeti strehë në Ulqin, ku kishte të afërm nga e ëma. Më ta u shpërngulën në Bresha, ku studjoi greqisht dhe latinisht. Më 1484 performoi një oracion në nder të Marco Antonio Morosini, podestà i qytetit. Më pas u rikthye në Ulqin, ku u martua me Katerinën e Pasquale Dabrit,[1] mbesë e familjes Bruti;[7] me të cilën do të kishte shumë fëmijë.[1]

Nga kjo periudhë e më tej nisi karriera akademike e Beçikemit, i cili në vitet 1492-1496 dha mësim në shkollën e gramatikës të Republikës së Raguzës.[8] Komentari i tij mbi autorët klasikë latinë i titulluar Castigationes et observationes in Virgilium, Ovidium, Ciceronem, Servium et Priscianum u botua këtë periudhë, më 1495, dedikuar senatit raguzan. Këtu ai u miqësua me humanistin Ivan Gučetić (1451-1502). Në fillimtetorin e 1496 rezulton se qe në Napoli në cilësinë e sekretarit të patricit venedikas Melchiorre Trevisan, proveditor i flotës venedikase që i kishte shkuar në ndihmë mbretit Ferrandino. Pozitë që e kishte fituar në sajë të ndërhyrjes së familjes Manin, pas gjasave si detyrë publike. Në shërbim të Trevisanit shkoi në Francë, rreth 1499; në shtator të këtij viti Trevisan qe emëruar proveditor i përgjithshëm me detyrën të okuponte ato pjesë të dukatit të Milanos që i ishin caktuar venedikasve, dhe duket e mundshme që Beçikemi ta ketë shoqëruar në këtë fushatë. Në Breshia qe tutor i të birit të diplomatit venedikas Girolamo Donato (1495-1497).[1]

Më 1500 fitoi qytetarinë (nënshtetësinë) venedikase dhe çeli shkollën e vet humaniste. Më 1501 qe docent në Universitetin e Breshës, ndërsa më 1503 u emërua drejtor i shkollës qytetëse. Gjithmonë në Bresha u botuan edhe veprat e para në latinisht, Observationum collectanea in primum Historiae naturali librum (1504-1506).[1] Më 1503 botoi panegjirikun kushtuar senatit venedikas për ndihmën e dhënë refugjatëve pas rrethimit të Shkodrës. Dha lëndën e retorikës në Universitetin e Padovës, ku dhe vdiq më 1526.[9]

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d e f g Clough, Cecil H. (1970). "Becichemo, Marino". treccani.it (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Babinger, Franz (1964). "Barlezio, Marino". treccani.it (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b Karanxha, Ilia (2 gusht 2018). "Beçikemi larg gabimeve e fallsifikimeve". radiandradi.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ Hosaflook, David (2012). The Siege of Shkodra (në anglisht). Onufri. fq. 199. ISBN 978-9995687779.
  5. ^ Hosaflook 2012, fq. 208.
  6. ^ Nadin, Lucia (2008). Mërgim e integrim: Shqiptarët në Venedik 1479-1552 [Migrazioni e integrazione: il caso degli Albanesi a Venezia (1479-1552)]. Përkthyer nga Pëllumb Xhufi. Tiranë: 55. fq. 208. ISBN 9789994356416.
  7. ^ Malcolm, Noel (2015). Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth-century Mediterranean World (në anglisht). Oxford University Press. fq. 419. ISBN 978-0-19-026278-5.
  8. ^ Bietenholz, Pieter; Deutscher, Thomas Brian (2003). Contemporaries of Erasmus: A Biographical Register of the Renaissance and Reformation (në anglisht). University of Toronto Press. fq. 115. ISBN 0802085776.
  9. ^ Del Negro, Clariores. Dizionario biografico dei docenti e degli studenti dell'Università di Padova, Piero (2015). Clariores. Dizionario biografico dei docenti e degli studenti dell'Università di Padova (në italisht). Padova University Press. fq. 48.