Vatër e arsimit

Redakto

Me reformimin e arsimit të shtetit osman, nga gjysma e dytë e shek. XIX, ë gjitha llojet e shkollave (mejtepet, medresetë, ryzhdijet, idadijet etj.[1]) ishin në kompetencë të Ministrisë së Arsimit, ndërsa me ligj ishin të caktuara kualifikimet e arsimtarëve, të ardhurat dhe obligimet e tyre. Në qendër të vilajetit të Kosovës, në Shkup, ekzistonte Kuvendi Arsimor me drejtorinë e arsimit, e cilambikëqyrte gjendjen arsimore në tërë vilajetin, pra edhe në kazanë (rrethin) e Gjilanit, dhe për këtë përgjigjej para Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq, në kazanë e Gjilanit ekzistonte Komisioni i Arsimit prej tre vetash dhe inspektorit (mufetishit) të arsimit. Të gjitha këto mundësuan që nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, shkollat të ishin forcuar në mënyrë organizative dhe nga kuadrot. Kjo vërehet edhe në shtimin e numrit të shkollave fetare dhe të numrit të nxënësve edhe në kazanë e Gjilanit. Kështu, derisa sipas Sallnamesë së Prizrenit për vitin 1874, në Gjilan ekzistonin një sibijan-mekteb dhe një medrese, si dhe medreseja në fshatin Dobërçan, sallnameja e vilajetit të Kosovës për vitin 1887 (1304H.), e botuar në Shkup, flet për shtimin e numrit të sibijan - mektebeve, si në qytet ashtu edhe në fshatra, si dhe për shkollën “Ryzhdije” (progjimnaz) në Gjilan, me 36 nxënës, e cila pati punuar nga viti 1877-1912. Sipas Sallnameve për vitet 1893, 1896 e 1900/1 (1318H.), në tërë Kosovën kishte gjithsej 13 medrese dhe 7 shkolla ryzhdije, kurse në qytetin e Gjilanit asokohe punonin 5 shkolla zyrtare iptidaije-fillore, për djem e vajza, një ryzhdije me rreth 70 nxënës e tre mësimdhënës, dhe medreseja në Gjilan e Adem ef. Dhe ajo në Dobërçan e Jusuf ef., me nga rreth 60 nxënës. Medreseja e Dobërçanit, pushoi së vepruari sapo filluan Luftërat Ballkanike. Sipas Ulema Mexhlisit të Shkupit për vitin 1938/39, medreseja e Gjilanit shte nga medresetë më aktive në Kosovë.

Historia e Medrezes

Redakto

Në një dokument të vitit 1913 thuhet se kjo medrese ishte hapur para 60 vjetësh dhe në të shkolloheshin fëmijët e fshatrave të afërta e të largëta. Sipas shtypit të kohës, një shkollë “ryzhdije”, nga fundi i vitit 1910, ishte hapur edhe në Bujanoc (“Zakonitost”, Shkup, nr. 53, më 19 dhjetor 1910. art. “Ruzhdija u Bujanovcu”)[2] Ndërkaq Medreseja e Gjilanit do të vazhdonte të vepronte, në kushte dhe rrethana të ndryshme, deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e pushtetit sllavo-komunist në Kosovë.

Objekti dhe edukatorët

Redakto

Kjo medrese, gjatë gjithë kohës, kishte një objekt përdhes me 22 dhoma në oborrin e xhamisë së vjetër “Atik”, dhe ato shërbenin si dhoma mësimi, zyra për myderrizin etj. Edhe kjo medrese, ashtu si të tjerat, ishte e tipit konviktor, ku shkolloheshin fëmijët nga rrethina dhe nga treva më larg. Në të punonin zakonisht nga dy apo tre mësimdhënës-myderrizë, të shkolluar në qendrat e ndryshme të arsimit dhe të kulturës islame. Në periudhën e fundit, drejtor dhe mësimdhënës të saj kanë qenë Adem ef. nga Tërnoci (deri më 1905), Haxhi Fehmiu (deri më 1912), Ymer ef. Janjeva (1912- 1916), Abdyrrahim ef. nga Llashtica më së gjati (prej vitit 1916- 1937), 4 për pak kohë Tahir ef. , kurse nga viti 1937 e deri në vitin 1944, domethënë deri në mbylljen e saj nga ana e regjimit komunist, në medresenë “Atik” të Gjilanit punonin zakonisht nga dy mësimdhënës, dhe ata ishin: mulla Hysen Salihu nga Përlepnica, mulla Shaip Hasani, mulla Idriz Hajrullahu, mulla Salih Mehmeti-Dobërçani, Mehmet ef. Sadiku nga Groshina (Shkup), dy të fundit nga viti 1939, dhe, të fundit[3], Haki ef. Sermaxhaj 1940-1944 dhe Malo Beci nga Shkodra, i cili jepte gjuhë shqipe dhe histori. Nga raportet e Ulema Mexhlisit të Shkupit për vitin 1938/39, shihet se Medreseja e Gjilanit ishte nga medresetë më active në Kosovë dhe disa nga mualimët e mësimbesimit, për arritje të suksesit në punë dhe aktivitete, me propozimin e Komisionit Mearife të Rrethit, kishin marrë shpërblimin në të holla nga Ulema Mexhlisi i Shkupit. Gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, me okupimin serb, ishte paralizuar pothuaj në tërësi jeta institucionale e Bashkësive Fetare Islame në trojet shqiptare. Asokohe në Kosovë vepronin vetëm dy medrese: e Gjilanit dhe e Novi Pazarit. Në Medresenë e Gjilanit mësimet i vijonin 26 nxënës dhe mbahej nga vakëfi edhe nga vetë nxënësit si pagesë në natyrë. Pas përfundimit të këtyre luftërave, jeta institucionale fetare pësoi ndryshime të pjesërishme nga koha osmane dhe u formuan myftinitë e qarkut (3 myftini) dhe të rretheve (11 myftini). Në rrethin e Gjilanit u formua myftinia që i takonte myftinisë së qarkut të Prishtinës, u formuan këshillat e vakëfit mearife të rretheve dhe imamatet e xhematit.

Ilegalisht mësohej edhe abetarja në gjuhën shqipe

Redakto

Nga viti 1930 u bënë ndryshime në strukturën udhëheqëse profesionale të BFI, u konstituua Ulema Mexhlisi I Shkupit, i cili ushtronte mbikëqyrjen e tërësishme të jetës fetare islame (kul-turë, arsim e administratë)[4], “të viseve të Jugut”, pra edhe të medreseve, hartimin e plan-programeve mësimore, caktimin e mësimdhënësve etj.. Të gjitha këto kryheshin përmes komisionit të vakëfeve mearife të rrethit si njësi administrative fetare, të cilat ishin të vetmet organe institucionale legale për shqiptarët myslimanë, ku komunikohej në gjuhën shqipe, dhe të cilat luajtën rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Me gjithë përpjekjet e Mbretërisë Jugosllave për t’i mbyllur të gjitha shkollat, edhe ato fetare, nga viti 1931 në Kosovë ishin lejuar të vepronin vetëm 8 medrese private, në mesin e të cilave dhe ajo e Gjilanit. Ministria e Arsimit kishte marrë të dhëna nga agjentët në terren, se aty-këtu në Anamoravë dhe në viset e tjera të Kosovës, po vepronin edhe shkolla ilegale shqipe, në të cilat punonin hoxhallarët, dhe se ato shkolla po i mbante Shqipëria. Edhe pse aty-këtu ishin bërë kontrollime, nuk kishin arritur t’i zbulonin, sepse mësimi zhvillohej në ilegalitet të thellë. Kjo bëri që organet e pushtetit të shtonin dyshimin për punën e të gjitha llojeve të shkollave dhe, me urdhrin e Ministrisë së Arsimit, filloi të ndiqej puna e imamëve dhe e të gjitha shkollave fetare islame, duke i detyruar që, për punën e tyre, të merrej leja e shtetit, kurse nga imamët e alimët kërkohej raport me shkrim për hapjen e këtyre shkollave, numrin e nxënësve, moshën e tyre dhe listën e teksteve qëi përdornin etj. Raporti, përmes myftinisë së rrethit do t’i dërgohej Ministrisë së Fesë. Shumica, për punën e tyre, merrnin instruksione nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ferat Draga, Qamil Bala e të tjerë udhëheqës të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, dhe nga pjesa më e madhe e hoxhallarëve, ose ishin anëtarë ilegalë të Komitetit të Kosovës, ose anëtarë të partisë “Xhemijeti” (Bashkimi), nëpër qytete, si dhe bashkëpunëtorë të revistës “Liria Kombëtare“ në Gjenevë dhe të revistës “Koha”. Prej tyre kërkohej organizimi i popullit në frymën kombëtare dhe përcjellja e nformacioneve, dhe kritikohej pushteti e informacione u jepnin udhëheqësve të Komitetit të Kosovës.

Medreseja kundër shpërnguljes së popullatës jashtë Kosovës

Redakto

Rol të rëndësishëm në aspektin fetare kombëtar luajti Ulema Mexhlisi I Shkupit[5] i cili u konstituua më 1930, si organ mbikëqyrës e drejtues I BFI në “Viset e Jugut”, ku një rol të rëndësishëm pati edhe kryeimami (bashvajzi) mulla Idriz Hajrullahu, 10, dorë e djathtë e patriotit Ferat Draga, kundër shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi. Në vitin 1938 ishte nënshkruar Marrëveshja jugosllavo-turke për shpërnguljen e 40 mijë familjeve shqiptare për Turqi, dhe ajo duhej të realizohej prej vitit 1939-1944. Kjo bëri që BFI, me Mexhlisin eShkupit në krye, të apelonin vazhdimisht nëpër tubime të ndryshme kundër kësaj dukurie. Për këtë qëllim ishin urdhëruar organet fetare të rretheve, që me të gjitha forcat të viheshin në aksion kundër shpërnguljes që po rrezikonte qenien kombëtare, kurse nga imamët e xhamive kërkohej që, përmes tubimeve të ndryshme, gjatë vazit e të tjera, të këshillonin popullin që shpërngulja ishte dukuri e dëmshme. Urdhërohej që çdo imam i xhematit, për aktivitetin e vet, të njoftonte me shkrim Ulema Mexhlisin e Shkupit.11 Ali Hashorva, i dërguar për vizitë në shkolla të Kosovës, gjatë vizitës së tij me komisionin në verën e vitit 1941 në Gjilan, në raportin e tij dërguar ministrit të Arsimit, Ernest KoliqitTiranë, ku përveç të tjerash, i shkruante: ”Në Gjilan në një dhomë mësimi në mes të 63 kandidatëve, kishte 21 hoxhë me çallme, midis të cilëve edhe 50-60 vjeçar. Na mallëngjyen me kujdesin e madh që kishin për të shkruar shqip”. Gjatë verës së vitit 1942, në Gjilan vepruan dy kurse pedagogjike për të rritur me 98 vijues dhe në kuadër të tyre vijonin mësimet një numër i ulemave fetarë. Ndërkaq, myderrizi i Medresesë së Gjilanit, Haki ef., i vetëdijshëm për rolin e gjuhës në ngritjen e vetëdijes kombëtare, mori leje nga Inspektori I Arsimit në Prishtinë, Kolë Kosmaçi, me përkrahjen edhe të mulla Idrizit, që në medrese të hapej kursi i gjuhës shqipe me 5 orë në javë gjuhë shqipe (shkrim-lexim) dhe historia e Shqipërisë një orë në javë, me mësues Malo Becin nga Shkodra. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me mbylljen e të gjitha shkollave fetare islame, si në viset e tjera të Kosovës, ashtu edhe në Anamoravë, një numër i imamëve apo mësuesve fetarë, të dalë nga kjo medrese e të tjera, në rrethana të reja dhe më qëllim që të kontribuonin për arsimin e popullit shqiptar, për shkak të mungesës së mësuesve, filluan të inkuadroheshin në procesin edukativo-arsimor dhe do të punonin në shumë vise të kësaj ane për arsimimin e gjeneratave të reja, po duke mos hequr dorë nga obligimet e tyre fetare islame. Ndërkaq një pjesë e ulemave fetarë, duke mos u pajtuar me riokupimin e trojeve shqiptare, u qëndruan besnikë idealeve për liri e bashkim kombëtar dhe vazhduan veprimtarinë patriotike duke u angazhuar në Lëvizjen e rezistencës për çlirimin e bashkimin kombëtar, siç ishin Kryetari i Komitetit të NDSh-së për Anamoravë dhe anëtar i KQ në Shkup, myderriz Haki efendiu, i cili, pas torturave të shumta, vdiq në burgun e Sremit; mulla Rizah Poliçka, i cili u dënua me shumë vjet burg; mulla Musli Makreshi, mulla Hajrulla Rexhi-Bresalci, mulla Kadri Rashiti- Llashtica, mulla Rizah Mareci etj..

Burimi i të dhënave

Redakto
  1. ^ Dr. Jashar Rexhepagiq, Shkollat dhe arsimi në Kosovë nga fundi i shek. XVIII gjer më 1918, “Kosova”, 1, Prishtinë, f. 116-117
  2. ^ Dr. Skënder Rizaj: Institucionet arsimore në Vilajetin e Kosovës më 1900/1, “Buletini i Fakultetit Filozofik”, Prishtinë, 1970, f. 160.
  3. ^ Dr. J. Regjepagiq, po aty, f. 121-123
  4. ^ Dr. J. Rexhepagiqi, po aty, f. 123-4
  5. ^ Mr. A. Selmani, H. Avni Aliu, po aty, f. 93