Muhamet Kyçyku

poet shqiptar
(Përcjellë nga Muhamet Çami)

Muhamet Kyçyku i njohur edhe si Muhamet Çami (1784-1844) ka qenë ndër bejtexhinjtë më të njohur, autor i dy poemave fetare. Vepra e tij kryesore është Erveheja e shkruar më 1820 por e botuar vetëm më 1888.

U lind në Konispol në 9 korrik të vitit 1784, po nuk dimë shumë për fëmijërinë e tij të hershme. Ndoqi shkollim fetar për njëmbëdhjetë vjet në al-Az'harKajro,[1] më pas u kthye në fshatin e lindjes dhe shërbeu si hoxhë deri kur vdiq më 1844.[2][3]

Kyçyku ka qenë autor më prodhimtar në krahasim me të tjerët. Ka shkruar në dialektin e tij çam dhe, me sa duket, ka qenë i pari autor shqiptar që është marrë me poemën e gjatë.[2] Është i njohur për dy poemat me subjekt dhe motive fetare: Erveheja dhe Jusufi dhe Zylihaja.[4] Vepra e tij kryesore është Erveheja e shkruar më 1820, burimi i së cilës është Tûtî-nâme-ja persiane (Rrëfenja e një papagalli) e Zijaudin Nakshabit (Ziyâ'uddîn Nakhshabî), e frymëzuar nga origjinali sanskritisht Shukasaptati.[2]

Vepra tjetër e njohur është poema me motive fetare "Jusufi dhe Zylihaja",[4] një rrëfenjë moralizuese me 2430 vargje, mbështetur në historinë e rrëfyer në Suren JusufKuranit, mbi përpjekjen e gruas së Azizit për të joshur e bërë për vete Jusufin a.s..[2] Janë të njohura veprat e shkruara nga këto inspirime fetare në literaturën orientale e më gjerë. Në persisht, në një mënyrë shumë të bukur shkruajtën Firdeusi (935-1020) në persisht, mistiku Xha’ami (1414-1492) dhe në turqisht Hamdullah Hamdi (1449-1508) e shumë të tjerë.[2]

Veprat tjera të Kyçykut janë poema Bekriu (1824) në të cilën dënon pirjen e rakisë e të verës, ajo historike rreth vitit 1826 për Ibrahim Pashën, fushatat e lavdishme të qeveritarit shqiptar të Egjiptit Mehmet Aliut kundër rebelimit grek dhe poemën që merret me hallet e atyre që detyroheshin të kërkojnë kafshatën e bukës dhe fitimin larg vendlindjes – Gurbetlitë.[2]

Më 1888 Jani Vreto e botoi Ervehenë të adoptuar në si përrallë dhe të e higjienizuar nga leksiku oriental.

Përkthime

Redakto

Kyçyku u mor edhe me përkthime nga arabishtja dhe turqishtja e ndër përkthimet më të njohura është padyshim Mevludi i shqipëruar Kasidatu’l Burda nga Al Busiri (?-1296).

Referime

Redakto
  1. ^ Norris, Harry Th. (1993). Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht). Columbia, S.C: University of South Carolina Press. fq. 211. ISBN 9780872499775. OCLC 28067651.
  2. ^ a b c d e f Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Taurus. fq. 41-42. ISBN 1-84511-031-5.
  3. ^ Elsie, Robert (1992). "Albanian Literature in the Moslem Tradition: Eighteenth and Early Nineteenth Century Albanian Writing in Arabic Script" [Literatura shqipe në traditën islame: Gjuha shqipe me gërma arabe gjatë shekullit të 18të dhe 19të] (PDF). Oriens (në anglisht). Brill. 33: 287–306.
  4. ^ a b Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar. Vëll. 1. Tiranë: Toena. fq. 703. ISBN 9992716223.