Muhamet Pirraku (Flamuras të Drenasit, 12 tetor 1944 - 30 janar 2014) ka qenë historian dhe publicist shqiptar.[1]

Biografia

Redakto

Shkollën fillore tetëklasëshe e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë, ku e mbaroi edhe Fakultetin Filozofik - Degën e Historisë. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit dhe magjistroi në tezën “Rinia përparimtare e Kosovës 1919-1941”, më 29 tetor 1976. Gjashtë muaj specializoi në fushë të historisë së kulturës në Institutin e Romanistikës-Gjermanistikës së Universitetin e Vjenës, më 1979/80, kurse pas shumë krajatave politike, doktoroi, më 29 dhjetor 1988, në Degën e Historisë së Universitetit të Prishtinës, në tezën: “Kultura shqiptare prej viteve 70 të shekullin XVIII deri në vitin 1878”. Interesim për krijimtari letrare shfaqi nga viti i dytë i shkollës së mesme, ndërkaq shkrimin e parë nga fusha e historisë së kulturës e botoi si absolvent në histori, më 7 prill 1968.

Për aktivitet politik antijugosllav u përcaktua më 10 shtator 1960, kur u betua para veprimtarit politik, Fazli Graiçevcit: “Betohem se prej sodit jetën do t’ia kushtojë lirisë së Kosovës dhe ribashkimit të Shqipërisë Etnike...!” Me 10 tetor 1960 organizoi tri klasat e dyta të Shkollës Bujqësore, të bojkotonin mësimin në gjuhën serbo-kroate, u priu në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës dhe mbrojti kërkesën e nxënësve: “Mësimet në Shkollë të zhvillohen në gjuhën shqipe...!” Nga tashti do të shquhet me aktivitet disident në lëmë të edukimit politik kombëtar shqiptar në mjediset ku jetoi e veproi. Nga mesi i vitit 1964 i përkiste grupit të intelektualëve në formim e sipër, të njohur si “Çeta e Bajo e Çerqiz Topulli”, të cilët e koordinonin aktivitetin politik shqiptar të Ilegales patriotike shqiptare me disidentizmin në veprimtarinë politike, kulturore, arsimore, publicistike e shkencore legale.

Pirraku u shqua si përhapës i literaturës beletristike, filozofike e historiografike të botuar në Tiranë dhe nga Mërgata shqiptare në Evropë dhe SHBA dhe si gjurmues e studiues i frytshëm me ndikim të madh nga viti 1968. Nga mesi i viteve të ’70 dhe në vitet e‘80-ta, për shkaqe politike antijugosllave, mbi 15 vjet pati ndalesa e pengesa për botim e veprimtari shkencore, prej të cilave dhjetë vjet me ndalesë të plotë. Prej 4 gushtit 1981 deri më 4 gusht 1982 u mbajt në burgjet e qarkut të Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Sarajevës, kurse jashtë Institutit Albanologjik deri më 13 dhjetor 1983. Me rastin e burgosjes iu konfiskuan rreth dhjetë mijë faqe në dorëshkrim: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, ditarë dhe rreth tridhjetë mijë vargje poetike si dhe literaturë historiog¬rafike, politike e filozofike.

Nga vjeshta e vitit 1982 deri në dimrin e vitit 1983 punoi mjeshtër, murator e projektues, në Ndërtimtari të lartë. Nga kjo kohë deri në fillim të vitit 1990, për të ndikuar në rrjedhat politike e historiografike, në një anë, dhe për ta ushqyer shpirtin krijues, në anën tjetër, u detyrua t’i botojë, pa emrin e tij, disa trajtesa, studime dhe dy vepra, ndër më emblematiket për Isa Boletinin dhe për Hasan Prishtinën.

Edhe në rrethana të tilla, nga lëmi i publicistikës, i kulturës dhe i shkencës historiografike, deri tashti, M. Pirraku botoi mbi 477 zëra bibliografikë – artikuj, trajtesa, recensione, kritika, fejtone, studime në mbi 810 numra të shtypit ditor, javor e mujor dhe në revista shkencore. Dhjetëra nga këta zëra bibliografikë kanë madhësinë voluminoze të veprave monografike për probleme të veçanta të kulturës dhe të historisë shqiptare.

Pirraku, duke iu përgjigjur Ftesës së ndërgjegjes së vetë, pati rol të rëndësishëm në Lëvizjen për Pajtimin Gjithëshqiptar (përmes faljes së gjaqeve dhe të hasmërive) - 2 shkurt 1990- 17 maj 1992 dhe fuqimisht e mbështeti aktivitetin luftarak dhe politik çlirimtar të UÇK-së, në tri Shfaqjet e saj 1993-2001. I përcolli me kujdes trendët politike kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me statusin politik shtetëror të Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut dhe me kohë bëri analiza historiografiko-politike në mbështetje të kauzës së shqiptarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës.

Pirraku punoi si këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës gjerë në pension.

  • Historia për klasën VII (bashkautor S. Rizaj), Prishtinë,1975,178;
  • Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989, 604;
  • Salih Gjukë Dukagjini: Shkrolaria e shqypes (nga osmanishtja: dr. Feti Hehdiu, mr. Mehdi Polisi), Prishtinë, 1991, 188;
  • Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 196;
  • Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Prishtinë, 1993, 74;
  • Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941- 1951, Prishtinë, 1995, 710;
  • Albania e Konicës, Prishtinë, 1995, 135;
  • Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (bashkautor dhe Kryeredaktor), Prishtinë, 1995, 575;
  • Lidhja Shqiptare “Besa-Besën” në burimet serbe 1892-1902, Prishtinë, 1996, 72;
  • Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992. Kronikë, Prishtinë, 1998, 472; Për kauzën shqiptare 1997 – 1999, Prishtinë, 2000, 286;
  • Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2002, 207;
  • Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë, prill 2003, 192. (Botim i Dytë, i zgjeruar, qershor 2003, fq. 199).
  • “Myderriz Ymer Prizreni – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2003, 522;
  • Arrestimet e Pjesëtarëve të TMK-së - Ç’është kjo?! (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2004, 96;
  • Masakra në Burgun e Dubravës 19-24 maj 1999 (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë 2005, 200; Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, 390.
  • Martirët e Shqipërisë Etnike nga Dera e Stak Mark Mirditës në kujtesën historike, Prishtinë, 2011.
  • Hasan Prishtina vlerë sublime e kombit, Prishtinë, 2013.

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Vdiq historiani Muhamet Pirraku". kosovapress.com. 31 janar 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)