Muhammed esh-Shejbaniu
Muhammed ibën Hasan esh-Shejbani - dijetari i njohur Medh-hebi Hanefi dhe nxënësi i Imam Ebu Hanifes.
Muhammed ibën Hasan esh-Shejbani | |
---|---|
U lind në | 749/750 Uasit , Irak |
Vdiq | 805 Rej , Iran |
Hyrje
RedaktoÇfarëdo çasjeje që do t’i bëhej historisë të së drejtës islame, dhe vetë të drejtës islame, emri i Muhammed ibn Hasan esh-Shejbaniut është i pashmangshëm. Kjo veçanerisht vlenë për studimet rreth shkollës juridike hanefite, por edhe të shkollave tjera, si për shembull, të shkollës shafiite, malikite e hanbelite.
Për më tepër, kur emri i Muhammed ibn Hasanit hyn në analet e së drejtës botërore si themelues i së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, nëse emri i tij ka depërtuar qysh para gjysmë shekulli në Evropë, kjo nuk ka ndodhur edhe tek ne në trojet shqipare. Ndonëse pasojmë shkollën juridike hanefite në trojet shqiptare, thuajse ende nuk kemi asgjë të shkruar për viganët e kësaj shkolle, një ndër të cilët është edhe muhammedi, e mos të flasim për studime të segmenteve të caktuara apo monografike, përkatësisht për përkthime të veprave të tij në mënyrë kritike. Prandaj, lëshimi që është bërë në të kaluarën, nuk guxon të përsëritet. Neve na obligon, ndër të tjera, edhe ekzistimi i disa medreseve dhe fakultetit islam në Prishtinë e Shkup dhe nevoja gjithnjë e më e theksuar e besimtarëve te ne e më gjërë për sheriatin islam. Kurse asnjë studim serioz nuk do të mundë të përfundohej me sukses e të mos konsultohet imam Muhammedi.
Synimet tona me këtë punim janë modeste dhe pretendojnë të ofrojnë një pasqyrë reale të jetës dhe të veprave të tij dhe ca karakteristika më të theksuara shkencore brenda shkollës hanefite dhe përgjithësisht të së drejtës islame, të cilat muhammed ibn Hasanin e vendosën në pijedestalin më të lartë të shkencëtarëve islam. Me këtë dëshirojmë të hapim shtigje për hulumtime më të specializuara.
Jeta dhe veprimtaria
RedaktoMuhammedi (emri i tij i plotë është Muhammed ibn Hasan ibn Ferdek esh-Shejbaniu) lindi në vitin 132 hixhrij / 748 gregorian, në qytetin Vasit. Kjo kohë karakterizohet me një zhvillim të hovshëm të shtetit islam të udhëhequr nga abasitët në shumë fusha jetësore, që përcillej me trazira e konflikte politike, sektare, kulturoro-shkencore e të tjera. Babai i tij Hasani ishte ushtarak. Familja e tij mbanin prejardhjen prej një fshati në paralagjen e Damaskut, të quajtur Hursta.
Të dhënat për fëmijërinë dhe rininë e tij janë të pakta dhe jo të sigurta. Megjithatë është e njohur se një kohë jetoi në Kufe, në vatrën e shkollës irakiane, ku edhe i mori mësimet e para mbi shkencën, e pastaj u shpërngul në Bagdad. Këtu u njoftua me mësuesin e tij të ardhshëm Imamu’l- A’dhamin, ebu Hanifen. Një kohë ka dëgjuar ligjëratat e tij, apo, më drejt, ka marrë pjesë në punën shkencore e intelektuale të kësaj shkolle, dhe ishte nxënësi më i ri i ebu Hanifes. Mirëpo, në vitin 150 H. / 767 g. ebu Hanifeja vdiq, kurse muhammedi atëbotë ishte vetëm 18 vjeçarë. Mësimet i vazhdoi te nxënësi më i madh i ebu Hanifes ebu Jusufi. Po ashtu muhammedi ka mësuar edhe nga dijetarët tjerë të mëdhënj të asaj kohe, Sufjan eth-Thevriu dhe Evzaiu. Gjatë qëndrimit të tij trevjeçar në Medine, muhammedi u njoftua rrënjësisht me fikhun dhe pikëpamjet e Malik ibn Enesit dhe të shkollës së tij.
Muhammedi i uritur për dituri, shoqërinë e tij me dijetarin e madh Evzaiun në Siri, dhe me dijetarët tjerë në atë vend, e shfrytëzoi për arsimim solid e të gjerë dhe arriti të formojë një shikim të plotë edhe mbi drejtimet tjera ideore, qofshin ato juridike, akaidologjike, filozofike, apo dhe të feve tjera.
Muhammed ibn Hasani është preokupuar me disa disiplina shkencore, ndër të tjera është marrë me studime letrare e gjuhësore: me poezi, gjuhë e sintaksë, pastaj është marrë me studime fetare: me Kur’an, Hadith, fikh etj. Arsimimi i gjithanshëm i ndihmoi të zgjerojë dhe thellojë dituritë e veta, sidomos në legjislacionet e ndryshme të mëhershme dhe të kohës së tij.
Rrëfehet se muhammedi nuk i ka pasur vështirësitë materiale të ebu Jusufit, por ka qenë në gjendje materiale të mirë, dhe nuk ka kursyer kur është fjala për dituri. Kështu, thuhet se, për mësimin e sintaksës, poezisë hadithit dhe fikhut pagoi 30.000 dirhemë. Thuhet po ashtu, se materialisht e ka ndihmuar edhe ebu Jusufin, mësuesin e vet dhe mëpastaj kolegun e vet nga shkolla hanefite.
Biografët shënojnë se prej muhammedit mësuan dijetarë shumë të mëdhënj, ndër të cilët edhe Imam Shafi’u (themeluesi i shkollës juridike shefi’ite), ebu Sulejman el-Xhurxhani, Hisham ibn Abdullah er-Rraziu, Jahja ibn Mujini, Ahmed ibn Hafsi dhe Ahmed ibn Hanbeli (themeluesi i shkollës juridike hanbelite). Ky i fundit, i pyetur më një rast se prej kah i posedon këto njohuri të larta, u përgjigj qartazi: “Prej librave të Imam muhammedit”.
Po i permendim edhe disa emra të mëdhënj që mësuan prej tij: Ibrahim ibn Rrustem el-Merviu, i cili fikhun e mësoi nga Imam muhammedi; Ahmed ibn Hafsi, i cili mësoi fikhun prej tij dhe i transmetoi veprat e muhammedit, Isa ibn Ebane, muhammed ibn Semaati, Hilad ibn Jahja etj.
Nga biografët kemi, gjithashtu, shënime se Imam muhammedi kishte shoqëri të ngushtë me malikitët. Përkundër kontakteve dhe marrëdhënieve të mira, muhammedi i mbeti besnik shkollës së vet hanefite, e madje edhe shkroi një libër kundër shkollës së tyre me titull “Err-Rreddu ’ala ehl’il-Medineti” (Përgënjeshtrimi i shkollës Medinase).[9]
Emri i muhammed ibn Hasanit u bë i dëgjuar si në mesin e masës, ashtu edhe në mesin e dijetarëve, por edhe të hilafetit abasit. Kështu, halifi abasit Harunur Rrashidi, për arsye të autoritetit të lartë që gëzonte në shkencë, e emroi gjyqtar (kadi) suprem në provincën Rika. Mirëpo, muhammedi së shpejti e braktisi këtë shërbim me pretekst të pavarësisë dhe paanësisë.[10]
Se muhammed ibn Hasani kishte arritur autoritet të lartë edhe te halifët dëshmon edhe rasti kur Imam Shafiu u burgos në Jemen nga shpifjet e smirëzive se gjoja është përkrahës i alevitëve. Imam muhammedi e përdori autoritetin e vet duke intervenuar tek halifi, me ç’rast Imam Shafi’u u lirua.[11]
Shpirti i tij konsekuent, karakteri stabil, pavarësia morale-materiale, e kështu me radhë, virtyte këto edhe të mësuesit të tij ebu Hanifes, bënë që Imam muhammedi të mos gjunjëzohet edhe para halifit. Me një rast për shkak se Imam muhammedi ia tha troq në fytyrë gabimet që i bëntë halifi, ai i irituar nga kjo drejtpërdrejtshmëri dhe se iu prek sedra e tij, e goditi Imam muhammedin.
Imam muhammedi qysh si i ri krijoi emër, kështu që në moshën më të re Ismail ibn Hamdiu për të thotë: “Imam muhammedi ishte njëzet vjeçar dhe kishte vendin në xhaminë e Kufesë, ku ai mbante ligjerata.” [12] Kurse dijetari tjetër ebu Ubejde për të thotë: “Nuk kam parë njeri që e kupton Kur’anin si Imam muhammedi.”[13]
Këtyre shënimeve të bashkëkohanikëve të muhammedit do t’ia shtojmë edhe disa të tjera që muhammed ibn Hasanin ta shohim të veshur në petkun e tij të plotë e të mirefilltë. Thuhet për Imamin se ka qenë i pashëm në pamje,i veshur mirë, elakuent, ekspert i fikhut. Imam Shafiu thotë se: “Ka qenë muhammed ibn Hasani i denj për sy dhe i denj për zemër”. Po ashtu, Imam Shafi’u ka thënë edhe këtë se muhammed ibn Hasani “më tepër pëlqente të rrijë afër imamit se sa të jetë në pallatin e halifit”.[14]
Imam muhammedi vdiq relativisht i ri, në moshën e pjekurisë intelektuale e shkencore, si pesëdhjetë e tetë vjeçar; tridhjet e nëntë vjet pas ebu Hanifes dhe vetëm shtatë vjet pas ebu Jusufit, në vitin 189 hixhrij / 804 gregorian, në qytetin Rej, deri sa ishte në një shetitje me halifin Harunur Rrashidin. Allahu deshi që atë ditë të vdesë edhe Imam Kesaiu, kurse halifi Harunur Rrashidi, i emocionuar e nga pikellimi i thellë përkitazi me këtë ndodhi deklaroi: “Sot u varrosën së bashku fikhu dhe gjuha”.[15]
Pasqyrë e veprave
RedaktoShpirti letrar shkencor i shkollës hanefite dhe përgjithësisht shkrimtari më i aftë që me veprat e veta të shumta krijoi, kompiloi dhe kodifikoi të drejtën e sheriatit është muhammed ibn Hasan esh-Shejbaniu.[16] Shkroi shumë dhe nga fusha të ndryshme. Veprat e tij dëftojnë në tendencën në rritje kah hadithi dhe varshmërinë më të theksuar në këtë pikëpamje.
Veprat e muhammedit për nga pikëpamja e autenticitetit klasifikohen në dy kategori:
1) Veprat e transmetimit të qartë (dhahiru ’rr-rrivajeti) ose çështjet fundamentale (mesail’ul-usul), ku bëjnë pjesë “gjashtë veprat” e njohura (kutub ’us-sitteh) janë: El-Mebsut, Ez-Zijadat, El-Xhamiu’s-sagir”, El-Xhamiu’l-kebir. Këtyre veprave mund t’iu shtohet edhe vepra “El-Athar” dhe Err-Rredu ’ala ehl-il-medineti”.[17]
Këto vepra të “transmetimit të qartë”, krahas atyre të ebu Jusufit, shërbejnë si burim kryesor për njohjen dhe interpretimin juridik të hanefitëve dhe përgjithësisht të së drejtës islame.
Në radhën e “veprave të transmetimit të qartë”, juristi boshnjak Dr. F. Karçiq i radhit edhe veprat “Es-Sijer ’ul-kebir” dhe “Es-Sijer’us-sagir”, por nuk i cek veprat “El-Athar” dhe “Err-Rreddu ’ala ehlil ’il-medineti”.[18]
2) Veprat e transmetimit jo të qartë (gajru dhahiri ’rr-rrivajeti) ose çështjet e rralla individuale (mesailu’n-nevadir), që përbëjnë plotësimet e zbrazëtirave juridike, domethënë, zgjidhjet të cilat janë mbi pyetjet për të cilat s’ka pasur përgjigje. Veprat më të njohura të këtij lloji janë: El-Kejsanijjat, El-Harunijjat, El-Xhurxhanijjat, Err-Rrekijjat, Zijadatu’z-zijadat.[19] Këto janë mendime të disa juristëve që kanë arritur deri te muhammed ibn Hasani.[20]
Këto gjashtë vepra të Transmetimit të qartë në fillim të shekullit të katërt i përmblodhi në një vend me emrin “El-Kafi” dijetari i njohur ebu’l-Fadl El-Mervazi, më i njohur si Hakimu’sh-shehid (vd. 344 hixhrij). Juristët theksojnë se, nëse në këto vepra nuk theksohet ndryshe, qëndrimet e shfaqura në to janë të ebu Hanifes dhe të ebu Jusufit.[21]
Në shekullin e pestë sipas hixhretit veprën “El-Kafi” e komentoi gjerësisht dijetari Es-Serahsi në veprën e vet “El-Mebsut” në tridhjetë vëllime. Kjo vepër më vonë ka paraqitur veprën më të rëndësishme hanefite të përcjellë nga mësuesit e parë.[22]
Po ajo që u konstatua rreth veprave të Imam ebu Jusufit mund të konstatohet edhe rreth veprave të Imam muhammedit. Ndonëse me të drejtë konsiderohet si krijimtar e sistematizues më i madh i shkollës hanefite, pa veprat e të cilit jo vetëm shkolla hanefite, por edhe e drejta islame dhe ajo botërore do të mbetëshin shumë më të varfëra e mbrapa, megjithatë veprat e tij, lëre te ne, por as në shtetet islame, me dhjetra e dhjetra universitete fetare, akademi, institute e kështu me radhë, nuk kanë gjetur vend meritor, që të jenë objekt studimi nga studiusit më kompetent dhe institucionet më kompetente. Përmbledhja e tyre në një vend, përkthimi i tyre në gjuhë botërore dhe studimi objektiv do t’i ofronte botës margaritarë të papashëm deri sot, kurse e drejta islame do të ngritej në nivel të lartë të interesimit teorik e praktik.
Veçoritë shkencore
RedaktoEpiteti se muhammed ibn Hasani është shpirti letrar i hanefitve, shkrimtari më i madh dhe sistematizuesi më i suksesshëm i mendimit juridik hanefit dhe tërë trashëgimia e shkruar nga ai na obligon që së paku shkurtimisht ta hulumtojmë personalitetin dhe veprën e tij, raportet e tij brenda shkollës, qëndrimin e tij ndaj burimeve juridike e të tjera, e në bazë të rezultateve të shkrimtarëve islamë dhe vrojtimeve tona vetjake. Këto veçori shkurtimisht mund të përmblidhen si vijon:
1) Ndër veçoritë më thelbësore të muhammed ibn Hasanit është konstatimi se atij i atribuohet merita e shënimit të teorisë së shkollës hanefite. Po ashtu, është vlerësuar si njohës i mirë i dialektikës, si sistematizues i materialit të pasur pozitivo-juridik dhe si teoriticient i së drejtës islame.[23]
2) Veçori tjetër shumë me rëndësi është se muhammed ibn Hasani është shumë më i varur nga hadithi se ebu Jusufi, e edhe më shumë se ebu Hanifja. Kjo vërehet prej ndërrimit të tij të mësimit dhe të dyfishuarit të tij të argumenteve gjatë të përsëriturit sistematik. Po ashtu, edhe formula e tij e përhershme që ndeshët me veprat e tij “ne këtë e ndjekim” tregon qëndrimin e tij ndaj traditës, madje edhe atëherë kur ai ato nuk i ndjek.[24]
3) muhammed ibn Hasani është i njohur me analizat e ngjarjeve reale, të njëmendëta dhe të supozuara, përkatësisht të abstraktuara, gjatë shqyrtimit të të cilave me të madhe i ka shfrytëzuar metodat e deduksionit dhe të induksionit.[25]
4) muhammed ibn Hasani është i njohur edhe për fiksionet juridike (el-hijel), që është rezultat herë-herë i mospajtimeve të mëdha ndërmjet ligjit që e kanë përpunuar teologët dhe njëmendësisë shoqërore dhe dëftimi i sensit të regjimit për kompromis dhe rafinitet.[26]
5) Veçori tjetër më rëndësi e idesë teknike juridike të Imam muhammed ibn Hasanit është të menduarit sistematik të cilësisë së lartë. Ai është sistematizuesi më i madh i fikhut. Për këtë dëshmon edhe fakti se Imam Maliku, themelues i shkollës malikite, e sistematizoi “El-Muvatta’un” e vet sipas metodës dhe sistemit të aplikuar të muhammed ibn Hasanit. Orientalisti i njohur botëror Shaht pohon se pa dyshim muhammedi është shkrimtari më i frytshëm i kësaj shkolle, që e vazhdoi rrugën e mësuesve të parë, ebu Hanifes dhe ebu Jusufit.[27]
6) Sikur edhe ebu Jusufi, edhe muhammed ibn Hasani kategorizohet në grupin “el-muxhtehid fi ’l-medhheb” (muxhtehid në medhheb). Mirëpo, kjo nuk do të thotë se këta janë totalisht të varur nga mësuesi, përkatësisht nuk do të thotë se ebu Hanife ka përparësi absolute ndaj tyre. Këtë e argumenton fakti se herë-herë vendimet e tyre merren si “normë sipas të cilës veprohet”. I tillë është rasti kur ebu Hanifeja i jep të drejtë vakufuesit ta revokojë vendimin për vakufin pasi që me vetë vendimin për të vakufuar diç nuk e humb të drejtën e pronësisë mbi sendin e vakufuar.
Mirëpo, ebu Jusufi dhe muhammed ibn Hasani kanë qëndrim të kundërt me mësuesin ebu Hanifen. Ata thonë se deklarata e vakufuesit se po e vakufon diç është e mjaftueshme që vakufuesi ta humbë të drejtën e pronësisë mbi sendin e vakufuar dhe vakufimi është i parevokueshëm.[28] I ngjashëm është rasti edhe me shitjen e vakufit, të cilën ebu Hanife e lejon, por ebu Jusufi e muhammedi kanë mendim të kundërt me mësuesin, duke u mbështetur në hadithin e muhammedit a.s. drejtuar Omerit r.a. për mosshitjen e sendit të vakufuar, të cilin hadith ebu Hanife nuk e kishte ditur.[29] Këto mendime të tyre, të drejta natyrisht, janë aprovuar edhe nga dijetarët e mëvonshëm.
7) Pasi që Imam muhammedi ka qenë njohës i mirë i gjuhës arabe dhe i gjinive të afërta gjuhësore, ka punuar dhe ka treguar rezultate të dukshme në zgjidhjen e Çështjeve, problemeve të rënda të fikhut (mesailu’l-mushkileh) e veçanërisht të atyre problemeve të cilat mbështetën në të komentuarit gramatikor.[30]
8) Kontribut të veçantë në suaza të shkencës juridike muhammed ibn Hasani ka dhënë në marrëdhëniet ndërkombëtare. C. Rhyne në veprën e vet “Internacional Law” (1975) shkruan: Kodifikimi i parë i së drejtës ndërkombëtare është përmbledhja e rasteve juridike dhe praktikës të cilën e ka bërë shkencëtari musliman Shejbaniu në veprat e tij “Es-Sijer” në shekullin VIII, me të cilën për shumë shekuj i ka tejkaluar veprat e ngjashme perëndimore.[31]
Njerëzit sot posedojnë bindje të shtrembëruar se ligji ndërkombëtar është fakt i epokës moderne, se themeluesi i saj është Hugo Grotius (991-1055 H. / 1583-1648 G.). Mirëpo, Kushëdo që ka parë “Es-Sijer-in” e nxënësit e ebu Hanifes, muhammed ibn Hasan Esh-Shejbaniut (132-189 / 749-805), ai e di se kodifikimin e këtij lloji e ka zbatuar ebu Hanife 900 vjet para Grotiusit, dhe jo vetëm kjo: trajtesat e tij mezi që lëshojnë cilindo aspekt të problemit kurse përfshijnë pyetjet më të rafinuara dhe më vitale.
Këtë fakt para do kohe e pranoi edhe grupi i shkencëtarëve, që në shenjë mirënjohjeje ndaj muhammed ibn Hasanit, formoi “Shoqërinë Shaibani të Ligjit Internacional në Gjermani”.[32]
Sipas disa shënimeve të tjera, në Francë, në vitin 1932 u formua shoqata “Esh-Shejbaniu”.[33]
Të gjitha këto flasin se Imam muhammed ibn Hasani me punën e tij mjeshtërore në shkencat juridike e të tjera ka shpërthyer kufijt kohor prej 12 shekujve, kufijt hapësinor ndërmjet kontinenteve dhe kufijt religjioz ndërmjet religjioneve, me çka është bërë njeri i botës.
Përmbyllje
Redaktomuhammed ibn Hasan Esh-Shejbaniu është personaliteti i tretë në hierarkinë e shkollës (medhhebit) juridike hanefite dhe një ndër dijetarët më të mëdhenj në të drejtën islame. Që në rini të hershme me talentin që posedonte u dallua, kurse në decenien e dytë të jetës së vet ishte i dalluar në Kur’an, Hadith, letërsi, gjuhë, dhe në shkencat juridike. Pasi që materialisht qëndronte mirë, nuk ishte i interesuar për poste zyrtare. Gëzonte autoritet të madh si në masë ashtu edhe në mesin e dijetarëve dhe të hilafetit. Puna e tij me përkushtim, sidomos në lëminë e së drejtës islame, Imam muhammedin e ngriti në nivelin më të lartë. Ndonëse më tradicionalist se ebu Jusufi, e shumë më tepër se ebu Hanifeja, megjithatë i kultivoi dhe i zgjeroi parimet thelbësore të shkollës hanefite. Me të drejtë konsiderohet shpirti letrar dhe shkrimtar e sistematizues më i madh i shkollës hanefite. Veprat e tij edhe sot paraqesin bazament të së drejtës islame. Mirëpo, vepra e tërësishme e tij, pos paraqitjeve fragmentare, ka mbetur e panjohur për rrethin më të gjërë të shkencëtarëve, dhe si e tillë, e pa eksploatuar për nevojat aktuale. Do të ishte e rrugës që edhe institucionet dhe individët kompetentë tek ne të japin kontributin e vet duke organizuar ndonjë simpozium ndërkombëtar rreth të drejtës islame, e që ndër temat orientuese do të ishte edhe Imam muhammedi. Gëzon fakti se edhe françezët, edhe gjermanët formuan shoqata ndërkombëtare me emrin “Shejbaniu” , që flet mjaft, se ne, këtë punë duhet ta marrim me seriozitetin më të madh. Dobitë do të jenë edhe teorike edhe praktike.
Shih edhe
RedaktoBurimi i të dhënave
Redakto[1] Imamët tonë (të vjetër e të rinj), në ligjerimet e tyre, me të madhe, krahas emrit të Imam ebu Hanifes, përmendin Imam ebu Jusufin dhe Imam muhammedin.
[2] Emri i muhammedit në literaturë haset në disa forma, si: Imam muhammedi, muhammed ibn Hasani, esh-Shejbaniu etj. Për Imam muhammedin, në kontekst të shkollës juridike hanefite mund të lexoni në punimin tonë me titull “Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj” , Shkup, 1998, fq. 162. Po ashtu: Shibli Nu’man, Abu Hanifa – Život i djelo, Zagreb, 1996, fq. 251.
[3] Fikret Karçiq, Historia e së drejtës së sheriatit, Prizren 1994, fq. 68.
[4] Ibrahim Džananović, ebu Hanife i njegov doprinos razvoju šeriatskog prava, në: Zbornik radova Islamskog teološkog fakulteta u Sarajevu, Sarajevo, nr. 3/1990, fq. 26-27. (Më tej: ebu Hanife).
[5] Ahmed Emin, Duha’l-islam, vëllimi II, botimi IX, Kairo, 1979, fq. 203; Gjithashtu: muhammed ebu Zehre, ebu Hanife, Kairo, 1981, fq. 208.
[6] Ahmed Emin, op. cit. fq. 203.
[7] Mahmudrijad Haziri, Imam muhammedi dijetar i të gjitha kohërave, Hëna e re – gazetë kulturore informative islame, Nr. 113/25, Shkup, fq. 20.
[8] Gjerësisht: muhammed-bek El-Hudarij, Tarihu ’t-teshri’i l-islamij, Kairo, 1928, fq.146 -148; Gjithashtu: M. ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq.221-224.
[9] Ibrahim Džananović, ebu Hanife, op. cit. fq. 26-27.
[10] Shih: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65; M.ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 208; Henry Laost, Raskoli u islamu - Uvod u proučavanju islamske religije, Zagreb, 1989, fq. 89.
[11] M. Haziri, op. cit. fq. 20.
[12] Ibid.
[13] Ibid.
[14] Ibid.
[15] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65; M Haziri, op. cit. fq. 20
[16] Shih: Mehmed Handžić, Kodificiranje šeriatskog prava kod raznih pravnih škola, Zagreb, 1944, fq. 7.
[17] M. ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 210; Krhs.: Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraseti ’sh-sheri’ati ’l-islamijje, Aleksandri, fq. 160-161; Mehmed Handžić, op. cit. fq. 8.
[18] Fikret Karçiq, o[18] M. ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 210; Krhs.: Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraseti ’sh-sheri’ati ’l-islamijje, Aleksandri, fq. 160-161; Mehmed Handžić, op. cit. fq. 8.
p. cit. fq 66.
[19] M. ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 210-219; Abdulkerim Zejdan, op. cit. fq. 161.
[20] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 66.
[21] Ibid.
[22] Abdulkerim Zejdan, op. cit. fq. 161, M ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 219.
[23] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65.
[24] Joseph Schacht, Islamic Law, në: Nerkez Smailagić, Klasična kultura islama, II, Zagreb,1976,fq 301 (Më tej: Schacht, Islamic Law).
[25] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65.
[26] Henry Laost, op. cit. fq. 89-90. Gëzon fakti se në kohën më të re është botuar libri mbi ”Fiksionet juridike” nga muhammed ibn Hasan esh – Shejbaniu, në botim të orientalistit J. Schacht, kështu që mundësitë për studime të drejtpërdrejta janë më të mëdha. Shih: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 67.
[27] Schacht, Islamic Law, op. cit. fq. 301-302; Ahmed Emin, op. cit. fq. 204.
[28] Shih: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65 dhe 66.
[29] Shih: Ibrahim Džananović, Idžtihad i prva četiri stolijeća islama, Sarajevo, 1986, fq. 65; Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevo 1990, fq. 659-661.
[30] Kasim Dobraća, Iz islamskog prava i njegove istorije, Glasnik islamske zajednice u Kraljevini Jugoslaviji, nr. 9/1936, Sarajevo, fq, 367.
[31] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 66.
[32] Al-Mawdudi, Abu Hanife i Abu Jusuf, në: M.M. Sharif, Istorija islamske filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 100.
[33] M. Haziri, op. cit. fq. 20