Muharrem Berisha (matematikan)
Muharrem Berisha lindi më 10 qershor të vitit 1942 në fshatin Vilanc, komuna e Vushtrisë dhe vdiq më 15 maj 2010 ne moshën 68-vjeçare ishte akademik shqiptar.
Muharrem Berisha | |
---|---|
U lind në | 1942 |
Vdiq | 15 maj 2010 |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Matematikan, Akademik, Profesor |
Biografia
RedaktoShkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa në vitin 1961 ka mbaruar Shkollën Normale në Prishtinë. Gjatë vitit shkollor 1961-1962 ka punuar mësues në shkollën fillore të Samodrexhës dhe të Novoselës të komunës së Vushtrisë. Në vitin shkollor 1962-1963 regjistron studimet e matematikës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilat i mbaroi në qershor të vitit 1966. Gjatë vitit shkollor 1966-1967 punon profesor i lëndës së matematikës në Shkollën e Mesme Teknike të Prishtinës. Në tetor të vitit 1967 ka qenë i angazhuar të mbajë ushtrimet nga Analiza matematike I (një) në Katedrën e Matematikës të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në mars të vitit 1968 zgjidhet asistent në Katedrën e Matematikës. Në tetor të vitit 1969 regjistrohet në studimet pasuniversitare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetin e Beogradit. Në vitin shkollor 1970-1971 autorizohet të mbajë ligjërata nga lënda Analiza matematike I në Katedrën e Matematikës të FSHMN-së. Në vitin 1974 ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull: Transformimi dhe shumimi i serisë Fourier të një funksioni të vazhdueshëm në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Beogradit. Gjatë periudhës shkurt 1978 - shkurt 1979 ka qëndruar në specializim në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Në maj të vitit 1979 ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull: Vlerësimi i koeficienteve Fourier të disa klasa funksionesh. Po në këtë vit zgjidhet docent në lëndën Analiza matematike I në Seksionin e Matematikës në FSHM të Prishtinës. Në maj të vitit 1982 zgjidhet profesor inordinar në lëndën Analiza matematike I, ndërsa në mars të vitit 1987 zgjidhet profesor ordinar në FSHMN të Prishtinës. Më 24 dhjetor 1996 zgjidhet anëtar korrespondent, ndërsa më 20 dhjetor 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK. Gjatë kësaj periudhe, që nga viti 1967 gjer më sot, si asistent, docent, profesor inordinar dhe ordinar në Seksionin e Matematikës ka ligjëruar lëndën Analiza matematike I, II, III dhe kurse të përgjithshme të matematikës në fakultete të tjera të Universitetit të Prishtinës. Është i angazhuar që nga viti shkollor 1979/1980 e gjer më sot në studimet pasuniversitare. Udhëheq deri më tani seminarin nga Analiza matematike në këto studime. Gjithashtu ka qenë udhëheqës i disa kandidatëve në magjistraturë dhe doktoratë. Ka qenë kryesues i Kryesisë së Shoqatës së Matematikanëve, Fizikanëve dhe Astronomëve të Kosovës. Dy mandate zgjedhore, duke filluar nga viti shkollor 1981-1982 deri më 1984/1985, ka qenë shef i Seksionit të Matematikës. Që nga tetori i vitit 1985 deri në tetor të vitit 1987 ka kryer detyrën e prodekanit të FSHMN-së. Në vitin 1987 zgjidhet dekan i FSHMN-së, ndërsa në vitin 1989 rizgjidhet në detyrën e dekanit. Në qershor të vitit 1991 shkarkohet nga kjo detyrë me rastin e masave të dhunshme të pushtetit serb, të aplikuara në këtë fakultet. Është laureat i Shpërblimit të dhjetorit të vitit 1983. Në periudhën 1994-1996 ka qenë udhëheqës i studimeve pasuniversitare në Seksionin e Matematikës. Është korrespondent i Mathemmaticial Reviews dhe anëtar i American Mathematical Society. Gjatë periudhës 1985-1991, sa e ka parë dritën revista Punime Matematike, ka qenë redaktor i saj. Së fundmi ishte kryeredaktor i revistës Kërkime dhe sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.