Nacionalizmi shqiptar në Kosovë
Kosova është vendlindja e lëvizjes nacionaliste shqiptare, e cila doli si përgjigje ndaj krizës lindore të vitit 1878.[1] Menjëherë pas luftës ruso-turke, Kongresi i Berlinit sugjeroi ndarjen e tokave të banuara nga shqiptarët osmanë në Ballkan midis vendeve fqinje.[1] Lidhja e Prizrenit u formua nga shqiptarët për t'i rezistuar atyre imponimeve.[1] Për shqiptarët ato ngjarje e kanë bërë Kosovën një vend të rëndësishëm në lidhje me shfaqjen e nacionalizmit shqiptar.[2] Gjatë pjesës së mbetur të periudhës së vonë osmane, mosmarrëveshjet e ndryshme midis nacionalistëve shqiptarë dhe Perandorisë Osmane mbi të drejtat shoqëroro-kulturore kulmuan me dy revolta brenda Kosovës dhe zonave fqinje. Luftërat Ballkanike (1912–13) që përfunduan me disfatën osmane, sovraniteti serb dhe më vonë jugosllav mbi këtë zonë gjeneruan një nacionalizëm shqiptar që është bërë i dallueshëm për Kosovën duke theksuar gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar brenda kontekstit të shkëputjes nga Serbia. Ndjenjat panshqiptare janë gjithashtu të pranishme dhe historikisht janë arritur vetëm një herë kur një pjesë e Kosovës u bashkua nga forcat italiane të Boshtit në protektoratin e tyre të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I ritrupëzuar brenda Jugosllavisë, nacionalizmi shqiptar në Kosovë është tërhequr nga kultura dhe traditat popullore kosovare, të cilat u përshkuan me prejardhjen nga ilirët dhe dardanët e lashtë, duke theksuar precedencën e supozuar të vendbanimeve dhe të të drejtave të shqiptarëve ndaj serbëve. Traditat e rezistencës së armatosur të shqiptarëve vendas ndaj forcave serbe kanë ekzistuar që nga periudha e ndërluftës duke rezultuar në konflikte të ndryshme dhe të zgjatura, spastrim etnik dhe dhunë nga të dyja palët. Më e fundit ishte Lufta e Kosovës (1999) midis luftëtarëve guerilë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë jugosllave të cilët më vonë u dëbuan nga Kosova përmes ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Të vendosur nën një kornizë ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, shqiptarët e Kosovës shpallën pavarësinë (2008), e cila njihet ndërkombëtarisht nga disa vende, duke plotësuar një parim kryesor të nacionalizmit shqiptar të Kosovës. Nacionalizmi shqiptar në Kosovë thekson një karakter laik që mënjanon fenë.[3]