Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte forcë politiko–ushtarake e popullit shqiptar të Kosovës e cila ishte aktive mes viteve 1990–1999. UÇK-ja kishte zanafillën nga Lëvizja Popullore e Kosovës. Si Lëvizja Popullore ashtu edhe UÇK-ja realizoi veprimtarinë e vet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
Pararendësit ushtarakë të UÇK-së filluan në fund të viteve 1980 me rezistencë të armatosur ndaj policisë jugosllave duke u përpjekur të merrte aktivistët shqiptarë në paraburgim. Në fillim të viteve 1990 pati sulme ndaj forcave të policisë dhe zyrtarëve të shërbimit sekret që abuzuan me civilët shqiptarë. Nga mesi i vitit 1998 UÇK-ja ishte e përfshirë në betejë frontale edhe pse ishte më e madhe se numri dhe jashtë armëve. Konflikti u përshkallëzua nga 1997 e tutje për shkak të ushtrisë jugosllave që u kundërpërgjigj me një goditje në rajon që rezultoi në dhunë dhe zhvendosje të popullsisë. Gjakderdhja, spastrimi etnik i mijëra shqiptarëve që i çuan në vendet fqinje dhe potenciali i tij për të destabilizuar rajonin provokoi ndërhyrje nga organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, NATO dhe OJQ-të. NATO mbështeti UÇK-në dhe ndërhyri në emër të saj në mars 1999.
Në shtator 1999, me përfundimin e luftimeve dhe një forcë ndërkombëtare brenda Kosovës, UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht dhe mijëra anëtarë të saj hyrën në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), një trup civil i mbrojtjes emergjente që zëvendësoi UÇK-në dhe Forcën Policore të Kosovës, siç ishte parashikuar në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Përfundimi i Luftës së Kosovës rezultoi në shfaqjen e grupeve guerile dhe organizatave politike të dala nga UÇK-ja duke vazhduar luftimet e dhunshme në Luginën e Preshevës (1999–2001) dhe Maqedoninë veriperëndimore (2001), të cilat rezultuan në bisedime paqeje dhe të drejta më të mëdha shqiptare. Ish–drejtuesit e UÇK-së gjithashtu hyrën në politikë, disa prej tyre arritën në zyra të rangut të lartë.
UÇK-ja mori fonde të mëdha nga organizatat e diasporës shqiptare. Ka pasur akuza se ka përdorur narkoterrorizëm për të financuar operacionet e saj. Në Prill 2014, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi dhe miratoi krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar rastet që përfshinin krime dhe abuzime të tjera të rënda të supozuara të kryera në 1999–2000 nga anëtarët e UÇK-së. Në qershor 2020 Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ngritën aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër një numri të ish–pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Fazat e veprimtarisë Redakto
Faza e parë Redakto
Faza e parë (1981-1990) ishte faza e kristalizimit të idesë së luftës së armatosur, që u karakterizua nga përpjekjet për organizimin politik dhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në nivelin e përgjegjësisë historike.
Faza e dytë Redakto
Faza e dytë (pranverë 1991 – shkurt 1998) ishte faza e organizimit konkret të njësiteve të vogla guerile dhe fillimi i aksioneve të armatosura kundër policisë serbe. Në vitin 1991 një grup atdhetarësh të ardhur nga Kosova, Zvicra e vende të tjera, me Adem Jasharin në krye, u stërvitën ushtarakisht për rezistendcë të armatosur guerile. Adem Jashari i pari krijoi grupin e Drenicës dhe në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për emërimin e Adem Jasharit Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtën e vitit 1994 mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Adem Jashari i bashkërendoi veprimet me zonat e tjera, si me grupin e Llapit – që udhëhiqej nga Zahir Pajaziti etj. me grupin e Dukagjinit që drejtohej nga Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi etj. Në nëntor të vitit 1994, pas aksionit në Drenas (ish-Gllogofc),, UÇK-ja doli me komunikatën e parë, duke marrë mbi vete të gjitha aksionet e kryera që deri atëherë kishin mbetur anonime. Hapur në publik, ajo u shfaq më 28 nëntor 1997, gjatë ceremonisë së varrimit të arsimtarit Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, të vrarë nga policia serbe. Në atë ceremoni, në tribunë u ngjitën të veshur me uniformën e UÇK-së luftëtarët e UÇK-së dhe komandantët e ardhshëm: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj. Në shkurt – mars 1998, Adem Jashari me njësitin e tij ushtarak, vuri nën kontrollin e UÇK-së territorin e Drenicës. Forca të shumta ushtarako-policore të armatosura me autoblinda e artileri të rendë sulmuan Drenicën. Adem Jashari luftoi tri ditë e net nga kulla e tij, së bashku me gjithë lagjen Jashari e familjen prindër, vëllezër, gra dhe fëmijë. Asnjë nga anëtarët e familjes dhe shumë nga farefisi nuk pranuan të largohen, por luftuan derisa ranë heroikisht 56 veta: burra, gra dhe fëmijë nga mosha 5 deri 74 vjeç, të gjithë sa u gjendën në kullat e Jasharajve luftuan deri ne vdekje.
Me vendim të SHP të UÇK-së Adem Jashari është shpallur komandant legjendar dhe Hero Kombëtar nga Presidenti Thaçi.
Faza e tretë Redakto
Faza e tretë (mars 1998 – shtator 1998) filloi pas rënies së Adem Jasharit, kur UÇK-ja u rrit me shpejtësi dhe u shtri menjëherë në të gjitha viset dhe anët e Kosovës. Gjatë kësaj faze UÇK-ja çliroi zona të tëra, krijoi bazat e veta strategjike, u armatos, u krijuan repartet e rregullta, të cilat përgatiteshin në qendrat e stërvitjes, sipas kushteve të një ushtrie bashkëkohore. Në pranverë dhe verë 1998, UÇK-ja vuri nën kontroll degëzimet e rrugëve më strategjike në Kosovën qendrore. Forcat ushtarako-policore serbe u detyruan të tërhiqen nëpër qytetet e mëdha të Kosovës. Takimi i diplomatit amerikan Richard Hollbruk (qershor 1998) me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik, shënoi njohjen e saj nga SHBA-ja dhe, më pas nga Evropa, gjë që u konkretizua më Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën, kur UÇK-ja u njoh ndërkombëtarisht, dhe mori rolin udhëheqës në delegacionin shqiptar. Mësymja e madhe serbe në gusht – shtator 1998, i shkaktoi UÇK-së humbje dhe e detyroi të lëshonte një pjesë të madhe të zonave të lira. Ajo u tërhoq në zonat malore. Forcat ushtarake serbe u futën nëpër fshatra dhe në zonat urbane, që mbaheshin nga UÇK-ja, si Rahoveci, Malisheva etj, dhe kryen masakra, djegie e shkatërrime të mëdha, për të larguar popullsinë , që ishte mbështetja kryesore e UÇK-së.
Faza e katërt Redakto
Faza e katërt (tetor 1998 – qershor 1999) filloi pas mësymjes serbe, kur UÇK-ja, megjithëse mori goditje të rëndë nuk u asgjësuan, siç ishte qëllimi e siç deklaronte Serbia; UÇK-ja u bë dhe më e fortë se më parë; u riorganizua shpejt me formacione më të mëdha, në brigada. Kjo fazë u karakterizua nga zhvillimi i luftimeve në të gjithë hapësirën e Kosovës, pa vija fronti të përcaktuara, duke dhënë goditje më të fuqishme armikut shekullor. Bazat strategjike, Shtabi i Përgjithshëm, spitalet, radioja “Kosova e lirë” dhe agjencia “Kosovapress” etj, u mbrojtën me çdo kusht në Malet e Berishës. Qenë bërë edhe përgatitjet për botimin e një gazete të kohëpaskohshme te "Radio-Kosova e Lirë" dhe "Kosovapresi", mirëpo mungonin kushtet elementare; pastaj filluan sulmet e armikut dhe u kufizuan mundësitë për një botim të shpejtë.
Në këtë fazë, krahas mobilizimit vullnetar, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm u zbatua edhe mobilizimi i detyrueshëm për luftë. Thirrjes për luftë iu përgjigje vullnetarisht populli, por edhe një pjesë e konsiderueshme të emigruarish, djem e vajza që jetonin e punonin në vendet e Evropës Perëndimore, në SHBA e gjetiu. Në SHBA u krijua “Batalioni Atlantik”, i cili, pasi u stërvit dhe u armatos jashtë Kosovës, u fut në luftë në frontin e Koshares dhe në atë të Pashtrikut.
Strategjia e luftës së Kosovës përbëhet nga dy pjesë: strategjia politike dhe strategjia ushtarake:[1]
Strategjia politike përmbante konceptin e ndërgjegjësimit e të mobilizimit të popullit shqiptar të Kosovës për luftën e armatosur kundër pushtimit serb, si e vetmja rrugë për fitoren e lirisë, duke siguruar mbështetjen mbarëkombëtare dhe duke bindur faktorin ndërkombëtar për drejtësinë e luftës. Kjo strategji u përpunua nga Drejtoria Politike e UÇK-së.
SHP i UÇK-së, jo pa vështirësi, ia arriti qëllimit të bindte shqiptarët për mundësitë e mposhtjes së Serbisë me luftë dhe faktorin ndërkombëtar për ta njohur dhe mbështetur luftën e drejt të shqiptarëve. U hodh poshtë çdo akuzë ndaj UÇK-së, si forcë “terroriste”, si lëvizje revolucionare “marksiste-leniniste” apo si lëvizje “fundamentaliste islamike”. Përpunimi i strategjisë politike, bazuar në parimet universale të dokumenteve ndërkombëtare dhe të zbatuara me korrektësi në fushën e luftës nga UÇK-ja, e cila nuk vriste gra e fëmijë, civilë të paarmatosur, robërit e luftës i trajtonte me humanizëm, në përputhje me normat ndërkombëtare të luftës etj, e bindi botën demokratike për drejtësinë e luftës që zhvillonte dhe siguroi mbështetjen e SHBA-së e të NATO-s, si faktorë të fuqishëm të jashtëm për çlirimin e Kosovës.
Strategjia ushtarake përmblidhte konceptin e vazhdimësisë në rritje të luftës së armatosur, duke kaluar nga njësitet e vogla në njësi të mëdha, derisa e gjithë Kosova të ngrihej në këmbë dhe të shndërrohej në forcë asgjesuese për armikun, për ta detyruar atë të largohej nga toka e okupuar e Kosovës. Megjithë përpjekjet që u bënë, nuk u arrit që i gjithë populli të përfshihej në luftë për shkakun kryesor se i mungonin armët.
Taktika e luftës evoloi sipas fazave. Në fazën e dytë – luftë sipas taktikës guerile, në fazën e tretë – krijimi i zonave të lira, bllokimi i rrugëve të komunikacionit dhe mbrojtja e zonave të lira nëpërmjet luftës ballore nga pozicione të përgatitura me punime xheniere. Taktika e luftës pozicionale iu imponua UÇK-së nga domosdoshmëria e mbrojtjes së popullsisë prej masakrave serbe. Përdorimi i kësaj taktike, me anën e së cilës u krijuan zona të tëra të lira, ia rriti shpejt autoritetin UÇK-së në Kosovë e në botë. Në fazën e katërt, të mësymjes së madhe serbe për spastrimin rrënjësor etnik të Kosovës, ishte e pamundur të zhvillohej kudo luftë ballore. Prandaj u hoq dorë nga mbajtja me çdo kusht e zonave të lira, përveç bazave strategjike dhe korridoreve të furnizimit.[2] Në këtë fazë u kalua në luftën pa front të rregullt, duke dhënë goditje të fuqishme me reparte e brigada në të gjithë Kosovën. Këtë e diktoi edhe fakti se me fillimin e bombardimeve të NATO-s, forcat serbe u shkoqën, u shpërndanë e u maskuan nëpër qendra të banuara, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve. Veprimet e UÇK-së, gjatë kësaj kohe, u bashkërenduan me sulmet ajrore të NATO-s.
Organizimi Redakto
Shtabi i Përgjithshëm Redakto
Shih artikullin kryesor: Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte selia qendrore dhe struktura udhëheqëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.[3]
Përbërja Redakto
Në fazën e parë u krijuan grupet e vogla guerile, sipas skemave tepër konspirative të luftës ilegale. Në fazën e dytë u zgjeruan grupet, u rrit numri i luftëtarëve, u njohën komandantët. Në fazën e tretë u krijuan repartet e organizuara nga oficerë profesionistë, që erdhën në Kosovë nga Kroacia, Bosnja, si dhe nga ata që kishin dezertuar nga ushtria jugosllave e disa vullnetarë nga Shqipëria. UÇK-ja mori plotësisht formë të rregullt, me rreshtim organik, me uniformë, me armatim, me kazerma dhe qendra stërvitore etj, brenda në Kosovë dhe jashtë saj. Në fazën e fundit të katërt, struktura organizative u ndërtua me brigada, si njësi më të fuqishme luftarake. Në maj 1999 struktura e UÇK-së përbëhej nga:
- Shtabi i Përgjithshëm dhe 7 Zona Operative:
- Zona Operative Nr.1 e Drenicës me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.2 e Pashtrikut me 6 brigada;
- Zona Operative Nr.3 e Dukagjinit me 8 brigada;
- Zona Operative Nr.4 e Shalës me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.5 e Llapit me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.6 e Nerodimjes me 3 brigada;
- Zona Operative Nr.7 e Karadakut me 3 brigada.
Kjo ushtri arriti një efektiv nga 40.000 deri në 50.000 personel. Me këtë forcë UÇK-ja përballoi mësymjen serbe të pranverës 1999 dhe në aleancë me NATO-n, ajo nga toka dhe Aleanca nga ajri, e detyruan ushtrinë serbe ta lëshonte Kosovën. Më 10 qershor 1999, UÇK-ja u fut ngadhënjyeshëm në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, duke i sjellë popullit të vet lirinë e ëndërruar në shekuj.
Logjistika Redakto
Problemi më i vështirë për UÇK-në ishte furnizimi me armë e municione. Ato u siguruan jashtë Kosovës e u futën në Kosovë, duke kapërcyer vështirësi e pengesa të jashtëzakonshme, që kushtuan shumë jetë njerëzish. Një pjesë e vogël u siguruan nga perëndimi e nga tregtarët e vendeve për rreth. Armatimi i UÇK-së ishte armatim i lehtë: automatikë, mitraloza, mortaja dhe topa kundërtanke. Kontributin më të madh për logjistikën e UÇK-së e dhanë populli i Kosovës, djemtë e Kosovës, emigrantë në Perëndim, nëpërmjet financimit të grumbulluar në fondin ”Atdheu në rrezik, Vendlindja thërret”.
Udhëheqja Redakto
Pas masakrave të shumta të serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë UÇK-ja filloi aktivitet e saja ushtarake duke formuar zonat komanduese në krye me Shtabin e Përgjithëshëm të UÇK-së, ku Drejtues Politik u zgjodh Hashim Thaqi dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Gjeneral Lejtnant Agim Çeku nga Dukagjini.
Shtabi i Përgjithshëm u themelua në nëntor të vitit 1994, kur doli komunikata e parë. Në mbledhjen themeluese morën pjesë: Adem Jashari, Xhavit Haziri, Nait Hasani, Azem Syla, Xhavit Haliti, Sokol Bashota e më vonë iu bashkangjit edhe Zahir Pajaziti etj. Shtabi i Përgjithshëm u zgjerua dhe u kualifikua me zhvillimin e luftës dhe rritjen e UÇK-së. Ai përbëhej nga dy pjesë kryesore: drejtoria politike e drejtuar nga Hashim Thaçi dhe shtabi ushtarak, i përbërë nga drejtoritë operative: të zbulimit, të logjistikës, të personelit dhe mobilizimit, të ndërlidhjes, të financës, të policisë ushtarake, të informimit, etj. Shtabi ushtarak u drejtua nga Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së Azem Syla. Anëtarë të shtabit ishin: Hashim Thaçi, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Ramë Buja, Lahi Ibrahimaj Fatmir Limaj etj. Në përbërje të drejtorisë politike qenë: Adem Demaçi, Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Jakup Krasniqi, Ramë Buja etj. Karakteristikat kryesore të UÇK-së ishte Lufta e drejt dhe përcaktimi për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheut.Aktet e saj të heroizmit përbëjnë pika kulmore nga më të lartat që njeh historia jonë kombëtare e kohës më të re.[4][5]
Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në pajtim me marrëveshjet e dala nga bisedimet e Rambujesë mes delegacionit kosovar dhe përfaqësuesve të OKB-së, UÇK-ja u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Vlerësimet ndërkombëtare Redakto
Shiko edhe Redakto
Lidhje të jashtme Redakto
- Thyrja e Kufiri Arkivuar 4 qershor 2011 tek Wayback Machine Film dokumentar i RTK-së
- UÇK gjatë ushtrimeve Arkivuar 4 qershor 2011 tek Wayback Machine
- Dokumentar nga lufta dhe pas luftës Arkivuar 4 qershor 2011 tek Wayback Machine
Referime Redakto
- ^ http://www.shiluck.org/ushtria-clirimtare-e-kosoves-3/%7C[lidhje e vdekur] Ushtria Çlirimtare e Kosovës
- ^ http://www.shiluck.org/ushtria-clirimtare-e-kosoves-3/ Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine | Ushtria Çlirimtare e Kosovës
- ^ "Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Epoka e Re". Marrë më 2023-09-16.
- ^ [1][lidhje e vdekur]
- ^ "Forca politike dhe ushtarake e armatosur dhe e organizuar e popullit shqiptar të Kosovës, për çlirim nga pushtuesi serb. Zanafillën e ka në Lëvizjen politike ilegale, pas Luftës së Dytë Botërore, kulmi i se cilës u arrit me demonstratat e vitit 1981, kur studentët, rinia dhe populli i Kosovës, shprehu vendosmërinë për çlirimin e Kosovës". Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 24 shtator 2019.