Adem Jashari

komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1955–1998)

Adem Jashari (28 Nëntor 19557 Mars 1998) ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të PoshtëmDrenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Adem Jashari
Lindur më28 Nëntor 1955
Prekaz, rajoni i Drenicës, Komuna e Skënderajit, Kosovë
Vdekur më7 Mars 1998
Prekaz, Komuna e Skënderajit, Kosovë
Në aleancë me
Vite shërbimi1990 – 1998
GradaKomandant
Betejat/luftratLufta e Kosovës
ÇmimetMedalja Luftëtar i Lirisë Adem Jashari

Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore–ushtarake serbe, të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikat në historinë e luftërave. Ai njihet si "Kryekomandanti Legjendar i UÇK-së". Urdhëri "Hero i Kosovës" iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës. Për nder të tij u krijua "Brigada 111" ose "Brigada Adem Jashari"

Jeta dhe Vepra Patriotike Redakto

Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skënderajit. Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo–sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me Ramiz Alinë, për t'u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë serbë dhe duke plagosur dy të tjerë. Familjen Jashari e luftuan forcat serbo–jugosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Serbo–Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharëve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbo–jugosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Adem Jashari sëbashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe. Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë serbe më 22 janar të vitit 1998. Sulmi u përballua përsëri me sukses.

Sulmi mbi Prekaz Redakto

Sulmi i parë ndaj Familjes Jashari Redakto

Më 30 dhjetor 1991, forca të mëdha policore serbe, të mbështetura edhe nga forcat ushtarake jugosllave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz. Sigurimi Shtetëror Serb ishte në dijeni për arritjen e këtyre luftëtarëve në Prekaz. Në Kullë ndodheshin: Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin dhe Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit Jashari, Fadil Kodra e me trima të tjerë të Kodrajve e të Lushtakëve të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15:00 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, në mesin e tyre edhe daja i Adem Jasharit, Osman Geci, nga Llausha. Meqenëse bërthamës çlirimtare, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, po i arrinin përforcime nga të gjitha anët, forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Ato e kishin kuptuar se luftëtarët e lirisë po i mbanin armët për të luftuar kundër tyre. Prej 30 dhjetorit të vitit 1991, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e ndërprenë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, deri në çlirimin e Kosovës. Ai edhe ishte i zgjedhuri i trimave dhe asnjë nga shokët nuk e kishte vënë në dyshim asnjëherë pozitën e tij të prijësit. Adem Jashari tashmë ishte bërë komandant legjitim i formacioneve ushtarake çlirimtare, që më vonë do të quhen UÇK-ja. Ai ishte në dijeni paraprakisht për të gjitha aksionet që ishin kryer kundër forcave serbe në Kosovë, që prej vitit 1991 deri më 1998. Në shumicën e këtyre aksioneve ai kishte marrë pjesë edhe vetë. Gjatë periudhës së viteve 1991-1994, vetëm në Skënderaj e në Drenas, në këto aksione janë vrarë dhjetëra policë. Ndërsa më 23 mars të vitit 1993, me urdhërin e komandantit Adem Jashari, në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, është sulmuar automjeti i policisë serbe, me ç’rast janë vrarë 5 dhe janë plagosur 6 policë serbë. Këtë aksion e kishin kryer Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Rafet Rama. Gjatë viteve të veprimtarisë ilegale guerile, Adem Jashari ka koordinuar pothuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Në vjeshtë të vitit 1994, Shërbimi Sekret Serb zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi. Në procesin gjyqësorë të organizuar kundër tij, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi prej 6 deri në 20 vjet burg: Adem Jasharin, Besim Ramën, Ilaz Kodrën, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, ldriz Asllanin, Ali Jonuzin dhe Jakup Nurën. Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg në mungesë. Për aktivitetin luftarak, qëllimin e Adem Jasharit dhe të bërthamës së tij çlirimtare, e dinin edhe politikanët pacifistë shqipfolës, të cilët këto zhvillime i përcillnin me skepticizëm dhe mosbesim. Kishte edhe raste kur aktiviteti i tij interpretohej me dubioza të liga dhe me kualifikime antikombëtare. Prania e grupeve të armatosura ilegale në Kosovë, në gjysmën e dytë të viteve 90-ta, shkaktoi konfuzione të caktuara në rrjedhat politike. Të gjithë kryetarët e partive politike pacifiste, pa dallim, u distancuan nga aktiviteti ushtarak i këtyre grupeve çlirimtare të udhëhequra nga Adem Jashari dhe konfirmuan para faktorit ndërkombëtar, si alternativë të vetme, lëvizjen pacifiste.

Përleshja e parë frontale në Rrezallë të Re Redakto

Më 25 nëntor 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtut Klisyra, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vendbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhë nga ato islamike. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetmë për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.

Rrethimi i Tretë i Kullës së Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 Mars 1998 Redakto

 
Kulla dhe shtëpia e Adem Jasharit, të shkatërruara gjatë Sulmit në Prekaz

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Serbe dhe forcat policore serbe. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë.

Forcat Serbe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata "Amnesty International", në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare.

Nga ana tjetër televizioni serb "B-92" lajmëroi për 62 policë serbë të vrarë në Prekaz.

Pas mbarimit të Luftës Redakto

 
Memoriali "Adem Jashari" në Prekaz, Kosovë

Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry", duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit.

Shih edhe Redakto

Literatura Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto