Perandorët romakë me prejardhje ilire
Perandorët romakë me prejardhje ilire
RedaktoPërreth 3 shekuj (251–565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë. Ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajtën larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan. Trajan Decius: Në bazë të të dhënave historike, perandori i parë ilir ishte Trajan Decius. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249–251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus. Të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve. Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listën e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre Hostiliani Hostiliani (230–251) ishte një perandor romak në vitin 251 dhe i dyti me origjinë ilire. Hostiliani lindi në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri, djali i perandorit të ardhshëm Decius dhe bashkëshortes Herennia Cupressenia Etruscilla. Ishte vëllai më i vogël i perandorit Herennius Etruscus. Për të ndjekur gjurmët e të atit drejt fronit, Hostiliani mori trajnimet e duhura që një princ duhet të merrte, por gjithnjë qëndroi nën hijen e vëllait të tij Herennius, që gëzonte privilegjin e të qenit trashëgimtar. Klaudi i II-të Klaudi i II-të nga Iliria hipi në fron në vitin 268 në fillim e kishte nisur karrierën si ushtar i thjeshtë e më pas u bë komandanti i një ushtrie të vendosur në Pavia. Pasi u bë perandor, Klaudi u shqua në luftimet me gotët, të cilët i shpartalloi në Nish. Nga trimëria që tregoi në këtë luftë ai u quajt Klaud Gotiku. Mbretërimi i tij zgjati dy vjet derisa vdiq në tokën ilire. Aureliani, “Shpëtimtari i Ilirisë” Pas vdekjes së Quintillus në fronin perandorak hipi Aureliani, i cili kishte lindur në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme), që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte “Shpëtimtari i Ilirisë”. Probi, Perandor tjetër ilir ishte Probi, i cili gjithashtu kishte lindur në Sirmium të Panonisë. Në moshën 44-vjeçare ai u bë perandor dhe mbretëroi për rreth gjashtë vjet. Probi u shqua në luftë kundër fiseve gjermane, franke e vandale duke i detyruar ata të largoheshin nga kufijtë e perandorisë. Në një ditë vere të vitit 282, ndërsa po drejtonte punimet për tharjen e kënetave në Sirmium, ushtarët u rebeluan, flakën lopatat dhe rrokën armët duke e vrarë perandorin. Diokleciani, dëshmitari suprem i madhështisë. Në vitin 285 fronin e perandorisë romake do ta zinte Diokeliciani (284-305) i cili e kishte origjinën nga fisi ilir i Diokles. Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245. Vdiq po aty më 3 dhjetor 313. Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Konstandini i Madh, perandori që ndryshoi historinë Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë. I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën. Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306). [1]
Lista me emrat e Perandorëve romakë me prejardhje nga Iliria
Redakto- Decius – 249-251
- Hostilianus – 251
- Claudius II “Gothicus” 268-270
- Quintillus – 270
- Aurelian – 270-275
- Probus – 276-282
- Diokleciani – 284-305
- Maximianus “Herculius” – 286-305
- Galeriusi – 305-311
- Konstandini I – 306-337
- Maximinus Daia – 308-313
- Jovian – 363-364
- Valentinianus I – 364-375
- Valens – 364-378
- Gratian – 375-383
- Valentinianus II – 375-392
- Marcianus – 450-457
- Anastasius I – 491-518
- Justin I – 518-527
- Justinian I – 527-56
Të veçantat e Perandorit Justinian
RedaktoJustiniani dallohet për dijet e thella, vullnetin e jashtëzakonshëm për punë dhe kulturën e nevojshme për ripërtëritjen e idesë perandorake romake. Duke marrë arsimim të plotë, Ai mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë.U përgatit shumë gjatë për në fron, më me kujdes se të gjithë sunduesit e tjerë të Perandorisë Bizantine.Ishte Perandori i fundit që bëri përpjekje për t’i bashkuar pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë.
Justiniani dhe ilirët
Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen. Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës perandorake dhe u përpoq që Iliria të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera. Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi,ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve.
Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit. [2]
Referimet :
Redakto- ^ "Perandorët romakë me prejardhje nga Iliria/ Kush ishin perandorët ilirë që drejtuan botën". Bota Sot (në anglisht). Marrë më 2021-06-09.
- ^ "Perandorët ilirë të Bizantit". Telegrafi (në anglishte amerikane). 2019-01-07. Marrë më 2021-06-09.