Petraq Xhaçka ka lindur në Tiranë më 14 prill 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme. Është i biri i Vasil Xhaçkës, themelues i letërsisë shqiptare për fëmijë. Studimet e larta i kreu në Institutin e Naftës "Gubkin" të Moskës, në vitin 1959 dhe i përfundoi ato me diplomë të shkëlqyer.

Gjatë periudhës 1960 deri në vitin 1983, Petraq Xhacka ka pasur drejtim teknik, kryesisht në shërbimin gjeologjik të naftës e të gazit. Për këtë rol të rëndësishëm, është nderuar dy herë me çmimin e Republikës dhe me shumë Urdhra dhe Medalje të Larta

Ka botuar dy libra, tekste të Universitetit për fushën e gjeologjisë dhe të naftës. Ka qenë përfaqësues shkencor në delegacione, simpoziume e kongrese ndërkombëtare për naftën si në Kinë, Francë, Greqi, Jugosllavi, Itali, Irak etj.

Dënohet me burgim në vitin 1986 "si sabotator" në sektorin e naftës. Në vitin 1992, Gjykata e Lartë e rishikoi procesin dhe ju dha pafajësia e plotë.