Pishina e Gërmisë e njohur edhe si Liqeni i Gërmisë është një pishinë e tipit të hapur me ujë të freskët (të embël) që ndodhet në pjesën periferike të kryeqytetit të Kosovës, në një distancë prej afër 5 km nga qendra e Prishtinës. Operator i pishinës është ndërmarrja publike lokale e objekteve sportive dhe rekreative të kryeqytetit, Sport Marketing. Pishina e Gërmisë është pishina më e madhe e këtij lloji jo vetëm në Ballkan por edhe në të gjithë Evropën Juglindore dhe diku e treta në Evropë për nga sipërfaqja në metra katrorë.(m2) [1] [2]

Pishina e Gërmisë

Vështrim

Redakto

Pishina e Gërmisë është ndërtuar në vitin 1987 dhe ndodhet në kuadër të Parkut të Gërmisë përkatësisht Maleve të Gërmisë, në Rajonin e Prishtinës. Kapaciteti ujor i pishinës në vitin 2001 ka qenë 30 000 litra ujë të freskët (të ëmbël).[3] Vetëm pishina ka një sipërfaqe prej 12 000 metrash katrorë (rreth 20 000 m3 ujë) ndërsa pishina së bashku më objektet përcjellëse dhe fushat ndihmëse, zë rreth 2 hektarë e 30 ari. [4] Lartësia mbidetare e pishinës është 663 metra, thellësia maksimale në pishinë sillet rreth 1.90 - 2 metra ndërsa kapaciteti i përgjithshëm është diku mes 4 000 [5] - 4 500 vizitorë. [6]

Krahas pishinës në afërsi direkte ndodhet edhe amfiteatri pastaj dy restorante, terrenet rekreative e sportive (fusha e basketbollit, volejbollit dhe tenisit), banjot publike, këndi i lojërave për fëmijë si dhe Parku i Gërmisë. [7] Gjatë verës, pishina që ndryshe quhet edhe Liqeni i Gërmisë dhe hapësirat përreth tij që i takojnë Parkut të Gërmisë bëhet një vendtakim për familjet dhe të rinjtë, ndërsa gjatë gjithë vitit ata luajnë lojëra të ndryshme sportive ose pushojnë këtu, dhe zona e pastruar është e përshtatshme për vrapim pastaj shëtitjen e qenëve dhe maceve nëpër pyll apo aktivitete të tjera rekreative.

Në hapësirat përreth ekzistojnë kushte ideale që të ndërtohen edhe objekte tjera përcjellëse si p.sh. një pishinë e mbyllur dhe/ose një pistë patinazhi për sportet dimëore në akull, pastaj një pishinë veçmas për fëmijë, etj.

Pishina më e madhe në Evropë konsiderohet Pishina Ostrava-Poruba në Çeki me një kapacitet prej 42 000 metër katrorë. Pas saj renditet e dyta Pishina Weyermannshaus që ndodhet në qytetin e Bernës në Zvicër me 16 000 metra katrorë.

Galeria

Redakto

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Pishina më e madhe në Evropë është Pishina Ostrava-Poruba që ndodhet në Çeki dhe ka një sipërfaqe prej 42 000 metrash katrorë.
  2. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 504. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ UNMIK Press Release (2001) Germia Swimming Pool to open on Sunday. UNMIK/PR/612, 13 July 2001 https://unmik.unmissions.org/612-germia-swimming-pool-open-sunday
  4. ^ https://telegrafi.com/ja-ndryshimet-qe-jane-bere-ne-pishinen-e-germise-foto/
  5. ^ https://infokomuna.com/m/sq/lajme/frekuentimi-i-pishines-germia-video
  6. ^ https://telegrafi.com/ja-ndryshimet-qe-jane-bere-ne-pishinen-e-germise-foto/
  7. ^ https://kallxo.com/komuna/pishina-e-germise-hap-dyert-me-29-qershor/
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Pishina e Gërmisë.

Lidhje të jashtme

Redakto