Çesk Zadeja
Çesk Zadeja (Shkodër, 8 qershor 1927 - Romë, 15 gusht 1997) ka qenë kompozitor shqiptar.
Biografia
RedaktoU lind më 8 qershor 1927 në Shkodër, i biri i terziut Rrok Zadeja, nip i Dom Ndre Zadejës dhe vëlla i Tonin Zadejës. Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës. Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova. Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.
Pas çlirimit të vendit, në vitet 1946-1947 punon në Radio Shkodra si përgjegjës i departamentit muzikor, kurse pas dy viteve shërben në ushtrinë e atëhershme deri në vitin 1951. Në vitet 1949-1951 kryen shërbimin ushtarak si dirigjent në Ansamblin Artistik të Ushtrisë. Çeskun e dërgojnë në Moskë për studime muzikore, në degën e kompozimit në Konservatorin Pjetër Iljiç Çajkovskij të Moskës, në klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M.I.Cukalli, Bogatyrieff dhe Tchullaki. Me të kryer studimet, si student i dalluar kthehet në Shqipëri dhe në vitet 1957-1962 emërohet dhe punon si udhëheqës artistik në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, i cili sapo ishte formuar, dhe ku Çesk Zadeja zhvilloi një veprimtari të dendur si krijues dhe organizator i jetës edhe ashtu të vobektë muzikore. Është njëri prej formuesve të shumë institucioneve muzikore, si dhe drejtues i tyre, siç janë: Konservatori (sot Akademia e Arteve) ku punon si pedagog plot tri vite-1962-1965, e më pas emërohet si udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit deri në vitin 1966.
Në vitet 1966-1972 është kryetar i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) dhe në vitin 1972 është kompozitor në profesion të lirë. Sërish udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit në vitet 1973-1979, kurse në vitin 1979 del në profesion të lirë, duke krijuar si i tillë deri në vitin 1990, për t’u kthyer në vitet 1993-1994 pedagog në Akademinë e Arteve, ku jep kompozicion dhe muzikologji. Profesor Zadeja është kompozitor që përfaqëson në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese, emblemë e vërtetë kombëtare, i cili kalon në mit, sepse potenciali i tij krijues e bën këtë personalitet të shquar dhe doyen të muzikës bashkëkohore shqiptare, i cili kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve tanë të shkolluar, duke i vënë bazat muzikës klasike, që merr përmasa të gjera si nga aspekti i trajtimit të materies muzikore e formës, ashtu edhe nga aspekti i melodisë, ritmit dhe stilit. Si pedagog ka dhënë vite të tëra kontribut të jashtëzakonshëm dhe shumë të çmuar.
Shumë kompozitorë që janë bartës të veprimtarive muzikore sot në Shqipëri, janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Zadeja. Ata sot zhvillojnë veprimtari të shumta dhe shumë programe të shkollave muzikore shqiptare janë të punuara, të redaktuara dhe të mbikëqyrura prej tij. Nëse shohim listën e të diplomuarve, do të vërejmë se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Zadeja, dhe disa prej tyre nuk janë më gjallë. Por kontributi i tyre ka qenë i madh, siç janë, bie fjala, Tonin Harapi, Kujtim Laro; kurse sot krijojnë Thoma Gaqi, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Kozma Lara, Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Ali Spahiu, Arian Avrazi, Ferikal Daja, Vangjo Nova, Fatos Qerimaj, Ihsan Shehu dhe dhjetëra të tjerë, krijues që luajnë një rol të rëndësishëm në jetën muzikore sot në Shqipëri.
Ndikimi i krijimtarisë së Zadesë ishte i madh te një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit në tërësinë e saj ka qenë mbizotëruese, superiore dhe udhërrëfyese për brezat, të cilat i ka mësuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. Vizitat e shpeshta të kompozitorëve tanë dhe anasjelltas na sillnin informacione të shumta për krijimtarinë muzikore, jo vetëm të Zadesë, por edhe të shumë krijuesve të tjerë, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë.
Veprat
Redakto- 1. “Suita e Veriut”,
- 2. “Suitë korale”,
- 3. “Skica simfonike”,
- 4. “Poema vokale”,
- 5. “Romanca”,
- 6. “Simfoni”,
- 7. “Rapsodi për violinë”
- 8. "Hej ju male"
- 9. "Suita"
10.Kur me zbret nga Voskopoja 11. Nen nje rrase atje mbi krua
Lidhje të jashtme
Redakto- Çesk Zadeja dokument në internet nga Eno Koço - prill 2007