Amantia
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Amantia rrënojat e një qyteti antik është një monument kulture që ndodhet në qarkun e Vlorës, Shqipëri [1].
Qyteti Ilir Amantia | |
---|---|
Vendndodhja | Vlorë, Qarku i Vlorës, Shqipëri |
Koordinatat | 40°13′25″N 19°24′57″E / 40.2237°N 19.4159°E |
Organi drejtues | DRKK Vlorë |
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Kriteret | I |
Nr. i referencës | VL082 |
Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e IV para erës sonë .Amantia u themelua në fund të shekullit V para erës sonë Ajo ndodhet në një kodër ne zonen e Labëris dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para erës sonë qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.Në vitin 268 para erës sonë , qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.
Pozita gjeografike
RedaktoSapo hyn në luginën e Shushicës, në juglindje të Vlorës, midis kodrave që shtrihen në këmbët e malit të Kudhësit, të tërheq vëmendjen, një majë shkëmbore e vetmuar, e cila ngrihet lartë si një kon i madh. Një majë tjetër shkëmbore, shihet edhe nga lindja, duke ardhur nga Tepelena. Të dy majat shkëmbore formojnë një kreshtë, e cila zgjatet gati 1 km. me drejtim verilindje-jugperëndim. Kuota më e lartë e saj është 613 m. mbi nivelin e detit dhe ndodhet në skajin verilindor. Mbi këtë kreshtë dhe përreth saj, janë të shpërndara shtëpitë e fshatit Ploçë. Në këtë kreshtë dhe poshtë saj, ruhen rrënoja të ndryshme të një vendbanimi të lashtë, ai i Amantisë.
Amantia u zhvillua si qytet në kodrën e lartë dhe në tarracat e saj. Në kohët e lashta pllaja e sipërme e kodrës ishte e rrethuar me mure fortifikimi. Qyteti u zhvillua jashtë këtyre mureve, përreth Akropolit.
Kjo ka bërë që Amantia të mos kish pamjen e qyteteve të tjera ilire. Godinat dhe banesat e tjera u ngritën në sheshet dhe tarracat e mëdha të sajuara , të zgjeruara dhe të forcuara me mure, në anët e ndryshme të kodrës.
Ajo lidhet me luginat e lumenjve Vjosa dhe Shushica dhe me rrugët e lashta , që kalonin nëpër to. Ky pozicion bëri që Amantia të shëndërrohej në një nyje të rëndësishme në marrëdhëniet tregtare midis bregdetit jugor të Ilirisë dhe krahinave të brendshme.
Në shek.IV p.e.s. Amantia filloj të zhvillohej si një qendër e rëndësishme skllavopronare, duke marrë në shek.III-II p.e.s. pamjen e një qyteti të vërtetë antik. Ajo mbeti si e tillë deri në fund të shek. I p.e.s. Në kohën perandorake, Amantia e humbet rëndësinë e saj të dikushme. Në fund të antikiteti përmendet si një qendër peshkopate, por në mesjetë ishte zhdukur si qytet.
Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantisë filluan në shek. XIX. Që në gjurmimie e para ajo u lokalizua në rrënojat e fshatit Nivicë të Kurveleshit nga Pukvili. Ka pasur dhe lokalizime të tjera(Vajza). Por më vonë do të mbizotëronte mendimi se Amantia duhet kërkuar në Ploçë dhe jo gjetiu. Nga kërkimet dhe gërmimet sistematike u zbulua se Amantia, ka qenë një qendër e rëndësishme e kësaj krahine të Ilirisë së Jugut dhe se për një kohë të gjatë ka pasur një jetë ekonomike dhe shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale dhe shpirtërore të përparuar.
Burimet e shkruara për Amantinë dhe amantët
RedaktoBurimet e shkruara për Amantinë dhe amantët janë të kufizuara e të fragmentuara. Sipas autorëve të lashtë antikë, Amantia i përkiste Ilirisë dhe amantët ishin ilirë. Pas vitit 148 e. S Amantia bënte pjesë në provincën e Maqedonisë. Në një ndarje tjetër të provincave të perandorisë romake në Ballkan, në shek. II e. s. Amantia i takon provincës së Epirit të Ri. Ngjarje historike nuk ka. Na kumtohet se Amantia u bashkua me Cezarin në luftën kundër Pompeut, ose shumë shekuj më vonë, nën muret e saj të rindërtuara nga Justiniani, ushtria bizantine luftoi kundër saraçenëve. Kuptohet se të gjitha këto janë shumë pak për një qytet si Amantia, i cili pati një jetë gati njëmijëvjeçare. Duhet pasur parasysh lidhja amantë-abantë dhe njohja e amantëve si epirotë. Në shek.IV p.e.s. Amantia njihet si një qytet ilir. Por krahas qytetit Amantia kishte dhe një krahinë të quajtur Amantia, e cila zgjatej deri në bregdet.
Sipas P. Skylaksit, amantët janë ilirë nga bulinët dhe Amantia nuk është një qytet grek ; qytetet greke janë Apolonia e Epidamni. Plini, i ka quajtur barbarë amantët bashkë me bylinët. Për S. Bizantinin Amantia ka qenë krahinë e Ilirisë. Deri diku dhe të qartë janë kufijtë e territorit të banuar nga amantët. Në malet Keranune ata kufizoheshin me kaonet. Fqinjët juglindorë të tyre ishin atintanët , kurse në lindje kishin bylinët. Në disa njoftime, të dy qytetet Bylisi dhe Amantia, përmenden gjithmonë bashkë, që lë të kuptohet për lidhje të të ngushta midis tyre, pa përjashtuar dhe origjinën e përbashkët. Tekstit të P. Skylaksit, ju bënë disa korrigjime. Kështu titulli “ilirët” u zëvendësua me titullin “taulantët”. Duke pranuar titullin “taulantët” pranohet mendimi se Amantia si krahinë e si qytet, në atë kohë ndodhej nën varësinë e shtetit ilir.
Ngjarje të tilla si kalimi i Apollonis e Dyrrahut, nën varësinë e shtetit ilir dhe vënia e Pirros me forcën e armëve në fronin e mbretërisë molose nga mbreti Glaukia, e përforcon këtë mendim. Me dobësimin e shtetit ilir , dhe me fuqizimin e shtetit të Epirit, në kohën e sundimit të Pirros, Amantia hyri në përbërjen e shtetit epirot. Për dy shekuj burimet për Amantinë heshtin. Ka shumë të ngjarë që, pas vitit 168 p.e.s., Amantia të jetë bërë e pavarur duke filluar dhe prerjen e monedhave me emrin e banorve të saj. Amantia mbeti e pavarur edhe më vonë. Këtë e vërteton dhe fakti, që Amantia është në listën delfike të theorodokëve, të datuar në vitet 220-189 p.e.s.
Në shek. II. p .e.s. Amantia, në qoftë se nuk kishte ruajtur pavarësinë e plotë, gëzonte së paku një autonomi të brendshme, të cilën e vazhdoi ta ketë dhe në shek. I p.e.s.; sikurse vrehet nga prerjet monetare të kësaj kohe. Kjo pozitë e privilegjuar e Amantisë tregon se ky qytet, sikurse Bylisi dhe Apollonia, mbajti anën e Romës, gjatë luftërave kundër shtetit ilir she atij maqedon. Ka edhe një mundësi tjetër, amantët bënin pjesë në një bashkësi (koinon) fisesh e qytetesh të kësaj treve, në krye të së cilit qenë bylinët, ndoshta për një kohë dhe atintanët.
Në disa burime të shkruara të autorëve antikë, në lidhje me qytetet e Ilirisë Jugore , janë ruajtur legjenda të udhëtimeve të gregërve, të cilat amantët i bëjnë abantë, bylinët i bëjnë myrmidonë dhe orikët , kolkë. Identifikimi i amantëve me abantet nuk është e lehtë. Lykofroni, në poemën e tij Aleksandra, e ka sjell Eleferonin, kryetarin legjendar të abantëve, në tokat e amantisë, por pa i identifikuar abantët me amantët.
S. Bizantini është përpjekur të shpjegojë lidhjen amantë – abantë dhe Amantia- Abantia duke shpjeguar se shkronja b është kthyer në m nga “barbarët”. Ky kthim bëri që Kalimaku, në veprën e tij , të përdorë emrin Amantia në vend të Abantia. Më poshtë ai thotë se Amantia është krahinë e ilirëve, por banorët e saj i quan abantë. Një version tjetër të legjendës na e jep dhe Pausania, në veprën e tij “Përshkrimi i Helladës”. Ai tregon se në Olymbia, në vendin e quajtur Hipodam, gjendej një monument skulptural kushtuar Zeusit nga apolloniatët. Ky monument ishte ngritur nga këta të fundit pas fitores kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Në këtë mbishkrim amantët quhen abantë, sipas pretendimit se e kishin origjinën që nga koha e luftës së Trojës.
Monumentet arkeologjike
RedaktoGërmimet që janë kryer kanë mundur të sjellin në dritë të dhëna historike mbi ekzistecën e Amantisë. Cikli i shekujve ruante një qytetërim të tërë të mbetur tashmë me rrënoja , brenda së cilës mbeteshin gjurmët e akropolit, stadiumit, tempullit dhe mureve mbështetëse. Monumentet si vepra të mëdha arkitekturore shprehin rëndësi dhe njëkohësisht mbeten dëshmi e ekzistecës së një qytetërimi të rëndësishëm në Ilirinë Jugore.
Akropoli
RedaktoAmantia ka pasur të fortifikuar vetëm akropolin , majën e kodrës. S. Anamali jep një të dhënë: “ Pllaja e sipërme shkëmbore në pjerrësi të ndryshme të faqeve të saj i ka detyruar ndërtuesit të përshtatin muret , teknikën e ndërtimit dhe drejtimet e tyre në përputhje me vendin.” Kjo do të thotë se muri qarkon sipas relievit të kodrës. Mbetet për t’u vlerësuar teknika e ndërtimit të tij. Është punuar shkëmbi duke synuar vendosjen e blloqeve, duke realizuar lidhjen me faqet anësore dhe duke krijuar një faqe të jashtme, të drejtë e vertikale. Gurët që kanë qenë pjesë përbërse e murit janë gëdhendur në përmasa dhe forma të ndryshme ( paralelopipedi, polidonale apo trapezoidale). Qëllimi i zbardhur i blloqeve të latuar ka qenë muri i fortë dhe i mirë. Kur muri vendosej në tokë përdoreshin blloqe paralelopipedi me fugatura horizontale, vertikale me faqe të drejtë. Ndërsa kur muri vendosej në shkëmb, forma e blloqeve ishte poligonale.Pavarësisht nga trajta e blloqeve, muri ka qenë ngritur në një kohë dhe të ndërtuar me të njëjtën teknik. Ajo që të bën më shumë përshtypje është përdorimi i një teknike të lartë dhe përpunimi me kujdes i blloqeve. Në akropoli e Amantisë janë me interes dhe portat të cilat, në pjesën e sipërme mbylleshin me një hark të rremë.
Kur u ngrit akropoli ? Nga gjetjet arkeologjike, nga të dhënat dhe nga teknika e ndërtimit të mureve mendohet se i përkasin gjysmës së parë të shekullit IV p.e.s. Kjo është një kohë kur Iliria e Jugut u përfshi nga një lulëzim ekonomik. E vështirë është përcaktohet se sa kohë i shërbeu akropoli qytetit dhe se cilës i përkasin disa restaurime të vogla.
Ka shumë të ngjarë që akropoli i Amantias pas luftërave të Çezarit me Pompeun, nuk u përdor më për mbrojtje. Muret e akropolit dhe pse jo në gjendje të mirë përbëjnë një kompleks fortifikimi, me interes për njohjen dhe studimin artit të fortifikimit të qyteteve të Ilirisë Jugore.
Stadiumi
RedaktoMatanë bregoreve, në “gropë e Kovaçit”, lindi stadiumi antik me 300 vende. StadiumI është monumenti më i ruajtur i ndodhur rreth 150 m. jashtë mureve të rrethuese, në lindje të qytetit. Një pjesë e tij u zbulua në 1949 gjatë një ekspedite arkeologjike. Gjatë eksplorimit u panë disa gurë të ngulur në tokë e të vendosur në trajtë shkalle. Ajo që të bie në sy është pozicionimi i stadiumit. Kjo tregon shfrytëzimin me mjeshtëri të amantëve të pozitës malore të qytetit. Kodra dhe sheshi i përgjigjeshin mjaft mirë kërkesës së ndërtuesve. Shkallët e gurta, në formë patkoi të zgjatur, ndiqnin një pistë 12,50 m të gjerë, të ruajtur rreth 55 m. Në njërin krah, kishte të mbështetur në faqen e kodrës 17 shkallë, kurse në krahun tjetër, të ngritur mbi një mbushje dheu kishte vetëm 8 shkallë.
Shkallët, me gjerësi 0,60 m dhe me lartësi 0,30 m shërbenin për uljen e spektatorit. Ne faqet të ndenjësve kanë qenë gdhendur emra si Iparhos, Apollonos, Sokrates etj. Ndërtimi i stadiumit i takon mesit të shek. III p.e.s.
Tempulli
RedaktoNë anën jugore të qytetit, rreth 200 m jashtë mureve rrethuese është zbuluar bazamenti i një tempulli antik. Ai ka qenë një peripter i rendit dorik, me përmasa 12,5 m dhe 6,75 m. Tempulli ka qenë i vogël i rrethuar me shtylla.
Materialet e gjetura, nuk ndihmojnë për të përcaktuar kohën kur u ngrit tempulli, as hyjninë, të cilit ai i shërbeu. Arkeologët mendojnë se tempulli u ngrit aty nga shek. III p.e.s., dhe ka vazhduar të përdorej edhe në shekujt I të e. sonë. Gjatë antikitetit të vonë, pranë rrënojave të tempullit, ka qenë ngritur me materialet e tij një bazilikë paleokristiane.
Muret mbështetëse
RedaktoAmantia tregon për një traditë të mirë të ndërtimit të godinave në tarraca. Për shkak të pozitës, amantët, zgjeruan shpatet e kodrës dhe i mbështetën në mure. Mure të tillë mbështetës ka në vendin e quajtur “Lëmi i Peçit” ku janë zbuluar rreënojat e një tempulli dhe të një kishe. Muret mbështetës në “Lëmin e Peçit” dhe në anën veriore të akropolit janë forcuar dhe me kontraforca. Midis mureve mbështetës, dallon muri i madh në faqen veriore të akropolit. Ky mur nuk lidhej me akropolin, por i shërbeu atij.
Në gjendjen e sotme, muri i madh me kontraforte, shihet në një gjatësi rreth 41 m krahu perëndimor i tij, i gjatë 9 m, nuk ka kontraforte ; ai është 2 m i gjerë dhe i ndërtuar nga blloqe gëlqerore paralelepipedi të puthitur mirë.
Në sipërfaqe, duke filluar nga skaji perëndimor ky mur vjen i shkallëzuar. Kontrafortet dalin në gjithë pjesën tjetër të murit, që zgjatet nga lindja. Muri i madh me kontraforte nuk është ruajtur i plotë.
Ky mur është një nga ndërtime e bukura të Amantias dhe dëshmon për aftësitë e mjeshtërve ndërtues vendas. Një mur i dytë mbështetës është ndërtuar nën murin e madh me kontraforte. Ky mur i ngritur 6,10 m ka pasur si qëllim forcimin e shpatit të kodrës.
Nekropoli
RedaktoVarreza e qytetit ka qenë shtrirë kryesisht në anën perëndimore, në rrugën kryesore që vinte nga gjiri i Vlorës. Varret më të hershme kanë formën e një arke të krijuar me pllaka të mëdha guri të latuar dhe datojnë në çerekun e parë të shek.IV p.e.s. Shekullit të IV-III i takojnë një numër i madh varresh monumentale nëntokësore me dy dhoma të mbuluar në qendër. Më rrallë gjendet edhe tipi i dytë i varreve, vetëm me një ambient.
K. Paçi gjatë vizitës së tij hasi në një varrë monumental me dy ambiente. Të dy ambientet janë ndërtuar me blloqe gëlqerore dhe të mbuluar me qemerë. Një varr tjetër monumental na kumtohet nga S. Anamali. Ai ka formë katërkëndëshe, vetëm me një kthinë të mbuluar me qemer. Në sondazhin e vitit 1950 u zbuluan katër varre[2].
Numizmatika
RedaktoPas themelimit Amantia filloi gradualisht të rritej e të zhvillohej si një qendër e rëndësishme skllavopronare. Pamjen e plotë të një qyteti të zhvilluar antik e mori në shek.III-II p.e.s dhe vazhdoi të mbatej e tillë deri në fund të shek.I e.s. gjatë kësaj periudhe, Amantia njeh një zhvillim të shpejt të forcave prodhuese, i cili dëshmohet, nga të dhënat letrare,mbishkrimore e arkeologjike dhe nga aktiviteti i gjerë në fushën e prerjes së monedhave. Nga gërmimet arkeologjike është grumbulluar një material i pasur numizmatik. Si qytetet dhe krahinat e tjera ilire dhe Amantia preu monedhen e vet me legjendën AMANTON.
Tipi i pare i monedhes ka në faqe kokën e Athinasë me përkrenare korintike, kurse në shpinë një kukuvajkë e rrethuar nga një kurorë me gjethe dafine. Legjenda vendoset lart dhe poshtë simbolit të shpinës e ndar në dy pjesë AMAN-TON. Në tipin e dytë është përdorur figura e Zeusit dhe simbol shpine rrufeja me një kurorë dushku. Legjenda është e vendosur lart e poshtë rrufes, AMAN-TON. Sot kemi 89 copë monedha të këtij tipi. Tipi i tretë Është vendosur koka e Zeusit dhe të Diones dhe në shpinë një gjarpër i cili rreth një kurorë dafine, dhe legjendën. Ky tip paraqitet në 7 variante dhe sot kemi 50 copë. Tipi i katërt-Në faqe është vendosur Artemisa me flokë të ngritura dhe të lidhura prapa. Në shpinë është vendosur flakësja me një kurorë dafine, ku në anën e majtë dhe të djathët është vendosur legjenda e ndarë në katër pjesë, AM-AN-TO-N. kurse ne tipin e pestë kemi në faqe kokat e Dioskureve, kurse në shpinë është vendosur një yll me tetë rreze. Lartë e poshtë kërij të fundit është gdhendur legjenda AMAN-TON. Tipi i gjashtë-Ka në faqe si simbol kokën e Artemisës dhe emri i prytanit, ndërsa në shpinë obelisku, në anët e të cilit është gdhendur legjenda AMAN-TON. E veçanta e këtij tipi është shoqërimi i Artemisës me obeliskun e Apollonit. Kulti i Apollonit nuk ka qenë kurrë i përhapur në Amantia. Ai ka qenë dhe mbeti hyu kryesor i kolonisë helene, Apollonisë. Ky vendim duhet të ketë lindur si pasojë e drejtimit të ri ekonomik që ndoqi Amantia mbas ndodhive në Epir të vitit 168 p.e.s. ai ndjehu nevojën që të lidhej ekonomikisht dhe politikisht me Apollonin. Si datë për fillimin e prerjes së monedhave merret viti 230 p.e.s dhe si periudh përfundimi merret viti 168p.e.s.Por nga një studim më i thellë i bërë nga H.Ceka, si periudhë fillimi merrë vitin 260 p.e.s dhe si periudh përfundimi nuk merr vitin 168. Sipas këtij të fundit, prej 268p.e.s. deri në pushtimin e Epirit nga Roma, Amantia gëzoi një periudh autonomi të plotë ekonomike dhe politike. Madje në këtë periudh nxjerr dhe dy tipe të reja monedhash. Monedhat e Amantias ishin shumë të ngjashme me ato të Lidhjes Epirote.
Gjetjet arkeologjike dhe kulti
RedaktoGjetjet më të hershme nga Amantia, qeramike dhe figurina prej bronzi, i takojnë shek. VI p.e.s. dhe lidhet me një vendbanim protourban. kurse gjetjet prej qeramike u përkasin dy grupe: gjetjet enë të vogla me vernik të zi dhe enë të ndryshme. Gjetje të tjera konsiderohen tjegullat, te cilat janë përpunuar dhe i përkasin punishteve të qyteteve të Ilirisë së Jugut. Në varre janë gjetur dy gjipëra bronzi, fibula e varëse.
Gjithashtu janë gjetur dhe figura prej bronzi të punishteve vendas : tri figura femrash, tri figura që perfaqësojnë një luftëtar , tri figura meshkujsh të zhveshur dhe tri të veshur.
Mbi organizimin shtetëror të Amantias nuk kemi shumë të dhëna përveç katër mbishkrime. Në këto të fundit përmendet prytani, këshilli, sekretar i këshillit dhe këshilltarët. Magjistari më i lartë i qytet-shtetit ka qenë prytani dhe organi legjislativ ka qenë bulea ose këshilli që kishte dhe sekretarin. Përsa i përket kultit, perëdia për amantët ishte Hyji ose Zeusi, i cili është i shprehur dhe në prerjet e monedhave. Në këtë qytet ilir ka qenë I njohur dhe kulti i Afërditës. Një pllakë e vogël gurive e zbuluar në Amantia i kushtohet Afërtitës. Mendohet se dhe tempulli i kushtohet kësaj të fundit. Si edhe në gjetjet në skulptur paraqitet Pan-Silvani. Ky na paraqitet me tre nimfa. Në gjetjet e relieveve shikohen perëndi ilire. Perëndit, sipas amantëve janë mbrojtëse të barinjve, pyjeve dhe kullotave. Njer varr monumental antik u gjet ne Amantia ne Qershor 2021 pas 2 muaj ekskavime.
Shih edhe
RedaktoLiteraturë
Redakto- Luigi Ugolini: L' Acropoli di Amantia. Rom 1935.
- Neritan Ceka: Ilirët. Tirana 2000. ISBN 99927-0-098-X
- J. Wilkes: The Illyrians. Oxford 1992. S. 129-136.
- V. Bereti: Le site antique de Treport, port des villes des Amantins. In: Pierre Cabanes (Hrsg.): L’Illyrie méridionale et l’Épire dans l’Antiquité III. Actes du colloque international de Chantilly (16-19 Octobre 1996). Paris 1999.
- S. Anamali: Amantia, “Iliria” 1972.
- H. Ceka:Probleme të numizmatikës ilire, Tiranë, 1965.
- N. Ceka:Udhëtimet në kështjellat ilire, Migjeni, Tiranë, 2008.
- Sh. Gjongecaj: Prerjet monetare të Amentisë, “Iliria” VII-VIII, Tiranë, 1977-1978.
- P.Skylaksi, Periplus 27 ,” Ilirër dhe Iliria te autorët antikë”, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
- Ptolemeu, Geographia III, 23, “Iliret dhe Iliria te autorët antikë”, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
- Straboni, Georgraphia VII 321, “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
Referime
Redakto- ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I VLORËS (PDF). Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 5 korrik 2018. Marrë më 15 korrik 2017.
- ^ S. Anamali , Amantia, “Iliria” 2, 1972