Remzi Nesimi (1933-2018) ishte profesor universitar, studiues i gjuhës shqipe dhe autor tekstesh shkollore nga Maqedonia. U nda nga jeta më 3 shkurt 2018.

Biografia

Redakto

U lind në Odër, Tetovë, ku ndoqi edhe mësimet e para, pas gjimnazit studimet universitare dhe pasuniversitare i kreu në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, doktoroi në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve, fillimisht ishte lektor dhe redaktor në Redaksinë e botimeve në Prishtinë, pastaj në Redaksinë e "Flakës së vëllazërimit" në Shkup. Nga viti 1962 filloi veprimtarinë arsimore: lektor i gjuhës shqipe në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, njëmbëdhjetë vjet profesor i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike të Shkupit dhe njëzetepesë vjet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik të Shkupit. Mbajti mësim edhe në Universitetin e Tetovës.[1] Ishte pjesmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972.[2]

Remzi Nesimi ishte pedagog i shquar i gjuhës shqipe, i afërt dhe shumë i dashur. Ishte shembëlltyrë që edukon dhe frymëzon gjeneratat e reja në mjedisin shoqëror ku jetoi dhe veproi.[1]

Krahas veprimtarisë studimore e shkencore nga fusha e gjuhës shqipe (drejtshkrim, gramatikë, dialektologji, etj.), disa prej të cilave janë prezantuar edhe në përmbledhjen "Çështje gjuhësore", botuar në Shkup në vitin 1998, Remzi Nesimi është autor ose bashkëautor i dymbëdhjetë teksteve shkollore, kryesisht gramatika për shkollat tetëvjeçare, dy tekste (morfologjia dhe sintaksa e gjuhës shqipe) për shkollat e mesme dhe një tekst universitar, "Libri i gjuhës shqipe për të huajt", botuar në Prishtinë, Shkup dhe Beograd. U mor gjithashtu edhe me përkthime. Veç tjerash, Prof. Remzi Nesimi ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Arsimtarëve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Maqedonisë.[1]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Koliqi, Hajrullah (2002). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Prishtinë: Libri shkollor. fq. 503-504. ISBN 9951-07-084-1.
  2. ^ Ministri Ademi nderon me Mirënjohje pedagogun Remzi Nesimin, 17/11/2015[lidhje e vdekur] http://www.tetovasot.com 17.05.2016.