Rexhë Meta Ulaj (Vuthaj, 1906 - Tiranë, 1985) i njohur edhe si Rexhë Metë Vuthaj, qe intelektual dhe patriot shqiptar.

Leu në Vuthaj më 1906, i vëllazërisë Ulaj të këtij fshati. Më 1913, babai i Rexhës, Metë Fazlia, bashkë me vëllezër e të tjerë, për të shpëtuar familjen nga gjenocidi që iu bëhej shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga forcat malazeze në krye me Avro Cemin (Cemoviq) detyrohet t’i lëshojë Vuthajt dhe të strehohet përkohësisht në Krasniqe, ku qëndron disa muaj dhe prapë kthehet në Vuthaj. Por, në vitin 1919, përsëriten vuajtjet e mëparshme, lufta dhe pasiguria, kështu që Meta me djalin Rexhën dhe dy vajzat Gjykën dhe Zojën ikin në Shkodër.

Meta shëndetlig vdes në Shkodër, si edhe gruaja e tij më përpara, dhe fëmijët - Rexha dhe dy vajzat Gjyka dhe Zoja, mbesin jetima, pa nënë dhe pa babë - në jetimoren e Shkodrës, në mëshirën e Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Rexha aty, në jetimore, nisi hapat e parë të shkollimit, ku ishte nxënësi më i mirë, por edhe në përvetësimin e gjuhës angleze, për çka dallohej shumë nga moshatarët e vet dhe shpesh i shoqëronte ekspeditat anglo-amerikane nëpër terrenet dhe viset e Shqipërisë Veriore. Njëra nga ato ekspedita ishte edhe ajo që udhëhiqej nga amerikanja Roza, e cila pas një shoqërimit që i bëri Rexha dhe duke parë talentin e madh të tij ia siguroi bursën dhe e regjistroi në shkollën teknike ”Harry Fultz” në Tiranë. Mis Roza nuk u ndal vetëm me aq, ajo Rexhës ia siguroi prapë edhe bursën edhe dokumentet tjera dhe e dërgoi për të studiuar në Angli, në Universitetin e Oksford, në Fakultetin e Financave, të cilin e kreu me sukses, duke mbrojtur edhe temën e doktoraturës në lëmin e ekonomisë financiare, më 1937. Për suksesin e Rexhë Metë Ulaj në këtë universitet dëshmon edhe emri i tij i shënuar në Librin e Artë të Universitetit të Oksford.

Më 1938, Rexhë Metë Ulaj fillon punën - drejtor i Drejtoratit të Financave të Shqipërisë. Në vitin 1940 internohet në Itali, ku qëndron deri në kapitullimin e Italisë, 1943. Rexha, posa kthehet në Shqipëri, merr pjesë në Mbledhjen Themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit si delegat i Maleve të Kosovës, siç quhej Plava e Gucia me rrethinë asokohe. Ka punuar në hartimin e Statutit dhe të Programit të kësaj organizate.

Rexha, intelektual dhe patriot i dëshmuar dhe i zëshëm për bashkimin e tokave shqiptare arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri menjëherë mbas luftës dhe dënohet me vdekje - dënim ky që pas intervenimit të disa personalitete të larta anglo-amerikane, rishqyrtohet dhe Rexhë Metë Ulajt i shndërrohet me 27 vjet burg, duke e ”nderuar” me qëndrim në Burgun e Burrelit. Gjatë mbajtjes së burgut, familja e Rexhës (gruaja Pertefi, djali Fitimi dhe vajza Bora) përjetuan vuajtje të mëdha.

Vdiq afër Tiranës, më 1985, dhe u varros në Shkodër[1].

Burime

Redakto
  1. ^ Shatri M., Përpjekjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave jetike të kombit shqiptar, ballikombëtar.info, 29 janar 2016.