Riza Runa
Riza Runa (13 mars 1881 – 13 korrik 1946) ishte një patriot, luftëtar dhe veprimtar anti-osman në krahinën e Kurveleshit, në Shqipërinë jugperëndimore. Lindur në fshatin Nivicë të Kurveleshit më 13 mars 1881, Riza Runa i mori mësimet e para në vendlindje, në gjuhën turke, me mësues Hoxhë Kadriun.
Në vitin 1911, Riza Runa ishte një ndër organizatorët kryesorë të lëvizjes patriotike në krahinën e Kurveleshit dhe më gjerë.[1] Me fillimin e Luftës Ballkanike, ai u mobilizua si oficer rezervist në ushtrinë osmane dhe krahas vullnetarëve të tjere luftoi për mbrojtjen e Çamërisë. Nën udhëzimet e Ismail Qemalit, ishte një ndër aktorët kryesorë në ngritjen e flamurit kombëtar në Delvinë e Sarandë së bashku me Namik Delvinën, Mehmet Ali Pashanë, etj. Më 28 nëntor 1912, së bashku me patriotin tjetër Shuko Dalipi ngriti flamurin kombëtar në Nivicë.
Në maj të 1913-ës, pas pushtimit të Kurveleshit nga forcat greke, Riza Runa bashkë me banorë të tjerë të krahinës largohen për t’i vajtur në ndihmë qeverisë së Princ Vidit, e cila rrezikohej nga rebelët e Haxi Qamilit. Në këtë kohë, Riza Runa caktohet si armëtar besnik (adjutant) i Princ Vidit me propozim të kolonelit hollandez Tomson.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Rizai u gjend pranë familjes mbretërore të Vidit në Gjermani. Pas kthimit në Shqipëri dhe vendimit të Kongresit të Lushnjes për largimin me forcë të trupave italiane nga trojet shqiptare, Riza Runa bëhet komandant i përgjithshëm i çetës së Kurveleshit në Luftën e Vlorës më 1920,[2] e njëkohësisht anëtar i Komitetit të shpëtimit Kombëtar.
Gjatë viteve 1921 – 1932, Riza Runa mbajti detyra të ndryshme në administratën e shtetit të ri shqiptar si, Nënprefekt i Kurveleshit (1920-1922), Krahinor i fshatit Mesaplik të Vlorës (1922 – 1924), Krahinor i Libofshës (1924 – 1925), Krahinor i Poliçanit (1925 – 1927). Më 20 gusht 1927 u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Kurveleshit. Më 13 shtator 1932, Riza Runa lirohet nga detyra e tij si nëpunës i administratës së shtetit shqiptar, për të mos mbajtur më kurrë asnjë funksion shtetëror. U nda nga jeta në Tiranë më 13 korrik 1945, në moshën 65 vjeçare.
Ky artikull është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
- ^ "Per kryengritjen anti-osmane, 1911". Revista "Liria Shqiptare" (Nr. 15). 6 gusht 1911.
{{cite journal}}
:|issue=
ka tekst shtesë (Ndihmë!) - ^ Sheu, Daut. Lufta e Vlores. Shqiperi. fq. 61.