Sadik Kaceli

artist shqiptar
(Përcjellë nga Sadik Kaçeli)

Sadik Kaceli (Tiranë, 14 mars 1914 - 24 dhjetor 2000) ka qenë arsimtar dhe piktor shqiptar, i nderuar me titullin "Artist i Merituar".Qe autori i kartëmonedhës se pare shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit kombëtar shqiptar.

Sadik Kaceli
Lindi1912
Vdiq2000
TitulliSadik Kaceli, 1912-2000

Ka qenë piktor realist, nuk u përshtat kurrë me realizmin socialist dhe prandaj u mënjanua nga diktatura. Mbahet mend për portretet dhe peisazhet.[1]

Biografia

Redakto

U lind më 1914 në gjirin e një familjeje qytetare zanatlinjsh tiranas, i biri i Osman Kacelit dhe Zyhrasë nga familja e Saldajve.[2] I ngelur jetim herët, i ati ndërroi jetë nga një e ftohur që kishte marrë në mbrojtjen e Shkodrës.[3] Ekonominë e shtëpisë e mbarështuan të vëllezërit, Ismaili (vd. 1932), Aliu, Ramazani dhe Jonuz Kaceli, i të cilëve ishte më i vogli.[4] Në pazarin e vjetër të Tiranë, pas sahatit pranë xhamisë së Et'hem Beut kishin dyqanin e kartolerisë në godinën e ngritur në vitet '30 së bashku me Gjon Lacën, që nga një anë kishte të shkruar "Vllazën Kaceli".[5]

Më 1929 nisi arsimin e mesëm në shkollën vokacionale amerikane.[1] Në vitet 1932-1936 ndoqi "Shkollën e Vizatimit", ku kishte mësues Andrea Kushin, Mario Ridolan dhe Abdurrahim Buzën. Më 1934 u zgjodh ndër nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe sëbashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje.[6]

Më 12 prill 1936 pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, piktori i moshuar e orientoi tek një shkollë private e drejtuar nga miku i tij André Lhote.[6] Kaceli shkoi në Paris me mbështetjen e familjes, por nuk shkoi tek akademia e Lhote, por u regjistrua në “Ecole Superieure des Beaux Arts” në Paris.[3]

U kthye në Tiranë më 1941,[7] me disa metodika për mësimdhënien dhe pasi u hap Liceu Artistik "Jordan Misja", dha mësim aty deri në pension.[3]

Piktura

Redakto

Autor i stemës së Republikës, një nga themeluesit e Galerisë së Arteve, me studime të kryera jashtë vendit, Sadik Kaceli është një nga piktorët më të njohur të familjes Kaceli. Por në faza rudimentare artistët e parë të pikturës në këtë familje kanë qenë dekoruesit e mureve të banesave, apo ata që pikturonin arkat e sëndukët në të shkuarën. Ndërkaq edhe vetë Buroni ka ndjekur udhën e të atit dhe merret me pikturë vazhdimisht. Autor i një sërë ekspozitash kombëtare jashtë vendit para ‘90, ai vazhdon të merret me pikturë dhe të çelë ekspozita ndonëse më rrallë. Ndër pinjollët e tjerë të familjes Gëzim Kaceli është gjithashtu Artist i Popullit dhe figurë e njohur e koreografisë shqiptare, profesionin e të cilit e ka trashëguar i biri, Renis Kaceli i cili është pedagog koreografie në Itali ndërsa e motra studion po aty për kanto. Te katërt fëmijët e Sadikut: Ermali, Buroni, Heroina e Lumnika jane marre me art ne një mase a tjetër qofte kjo ne drejtim te artit figurativ apo letërsi. Omeri, një tjetër pinjoll i familjes ka përfunduar shkëlqyeshëm për pikturë në Artet e Bukura në Tiranë. Ndërsa Buroni preferon peizazhin, Sadiku, i ati ka preferuar edhe portretin. Në studion e tij të vjetër të cilën e gjetëm në rikonstruksion gjenden veç pikturave me temë nga dasmat tiranase edhe portrete të mrekullueshme pleqsh me mustaqe dhe qeleshe si edhe ndonjë skulpturë e vogël në mur ashtu si edhe një autoportret i piktorit.

Referime

Redakto
  1. ^ a b Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Rowman & Littlefield. fq. 219–220. ISBN 9780810861886.
  2. ^ Butka, Uran (2004). Bombë në ambasadën sovjetike. Tiranë: Booktique.al.
  3. ^ a b c Buron Kaceli (8 shkurt 2021). "Familja Kaceli, një institucion arti më vete". Gazeta shqiptare. Intervistuar nga Fatmir Terziu.
  4. ^ Marsida T. Najdeni (10 shkurt 2020). "Familja tironase Kaceli". radiandradi.com.
  5. ^ Eli Xoxa, Kaceli : 1914 - 2000 : monografi / red. Arben Xoxa. - Tiranë : Botimet Enciklopedike, 2008. - 138 f : me il ; 28 cm
  6. ^ a b Julia Vrapi (16 tetor 2014). ""Sadik Kaceli- Retrospektivë", GKA ekspozon krijimtarinë 70 vjeçare të artistit". Sot. Arkivuar nga origjinali më 17 prill 2021. Marrë më 9 shkurt 2021.
  7. ^ Dhurata Hamzai (31 janar 2019). "I biri, Buroni: një rrëfim për veprat e panjohura të Sadik Kacelit". shqiptarja.com (Intervistë).