Selahudin Shkoza
Selaudin Shkoza[1] (Shkozë, 1867 - Tiranë, 1930) ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane dhe më pas i shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjes u bë ministër gjithashtu. Është ideatori dhe organizatori reformues i mirëfilltë i Ushtrisë Kombëtare gjatë kohës që ishte ministër i Luftës.
Biografia
RedaktoU lind në Shkozë, afër Zhurit, në një familje lumjane, stërgjyshi i vet Islam Aga, kishte rënë herët në Prizren në pazarin e të cilit qe zejtar dhe u njoh me mbiemrin Shkoza. Selahudinit iu dha mundësia të edukohet me traditat e brezave, si dhe të marrë shkollimin e parë.[2] Ishte një nxënës i shkëlqyer, me temperament dhe i zgjuar. Për këtë shkak kryen Gjimnazin Ushtarak të Manastirit, më 1886, pastaj Akademinë e Artilerisë në Stamboll. Më pas, për disa vite, vazhdon shkollimin ushtarak për shtabe e kalorësi, po në kryeqytetin osman. Kështu, në përfundim u diplomua si akademik për Këmbësori, Artileri dhe Kalorësi. Në ndihmë të aftësimit profesional të tij, është dhe fakti i zotërimit perfekt të disa gjuhëve të huaja, si turqisht, arabisht, frëngjisht, gjermanisht etj.
Karriera
RedaktoSelahudin Shkoza, si ushtarak madhor, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, shërbeu fillimisht në Shtabin e Përgjithshëm, në Divizionin e Izmirit, përkatësisht Komandant i Divizionit Izmir-Ajvallëk. Ka shërbyer gjithashtu dhe në Dibër, Maqedoni, në Janinë, Prevezë, si dhe me detyra të larta në Selanik e Stamboll. Me ngjarjet e Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, si kryengritës, Selahudini largohet nga ushtria dhe inkuadrohet në lëvizjen përparimtare, me bindje se me fitoren e rendit të ri do të gjente më mirë veten e tij dhe do të jepte më shumë në dobi të çështjes kombëtare. Kjo kohë, sipas dokumenteve zyrtare, është ndër periudhat më aktive të tij, në shërbim të kombit shqiptar. “…Në vjeshtë të vitit 1908, Selahudin Beu mori pjesë në Kongresin e Manastirit, përkrah figurave të shquara kombëtare, si At Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda etj., të cilët venduan Alfabetin e Gjuhës Shqipe, si akti më madhor i bashkimit dhe unitetit kombëtar shqiptar. Po atë vit, për vendosmërinë dhe përgatitjen e tij intelektuale, Selaudini zgjidhet Nënkryetar i Klubit të Bashkimit që u formua në Manastir”.[3]
Në detyrën e Ministrit të Luftës
RedaktoI ftuar të drejtojë qeverinë shqiptare, në janar 1921, ai pranoi detyrën e Ministrit të Luftës, në përbërje të qeverisë së Iljas bej Vrionit. Vlerësimi zyrtar i kohës është se nga burra shteti si Shkoza e ka zanafillën baza e një ushtrie të rregullt. “Ky qe një fat i posaçëm që menjëherë, në fillim, një burrë aq i vlefshëm si Selahudin Shkoza mori përsipër Ministrinë e Luftës. Ai krijoi themelet e ushtrisë së atëhershme.[4]