Shteti i Arianitëve

This is the stable version, checked on 27 shtator 2023. 1 pending change awaits review.

Shteti i Arianitëve me zotërimet e tyre shtrihej përgjatë luginës së Shkumbinit dhe Rrugës Mbretërore (Via Egnatia) dhe në lindje arrinte së paku deri në afërsi të Manastirit dhe Follorinës. Duke qenë se arianitët ishin një familje e vjetër fisnike, nën zotërimin e tyre, për një kohë mund të kenë qenë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të Shtetit të Arianitëve kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë.[1] [2] [3] [4]

Stema e familjes Arianiti
Zotërimet e familjeve fisnike mesjetare shqiptare Topia, Arianiti dhe Gropa (fundi i shekullit XIV)
Principata e Muzakajve dhe Shteti i Arianitëve (shekulli XV)
Epitafi i Gllavenicës

Historiku

Redakto

Në burimet historike emri i familjes fisnike të Arianitëve haset për herë të parë në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018) perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini, përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit, Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që u njiheshin privilegjet e mëparshme, është shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.

Për këto figura me mbiemrin Arianiti nuk mund të krijohet një lidhje e sigurt dhe të pohohet se domosdo ata i përkisnin të njëjtit trung familjar. Sidoqoftë, nëpërmjet tyre del qartë së Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër e Shqipërisë Qendrore, nga më të njohurat dhe me ndikim të veçantë në jetën politike të vendit. Rol pozitiv në këtë drejtim kishte zotërimi e kontrolli prej Arianitëve i segmenteve të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) nëpër të cilën lëviznin karvane të shumta për tregtimin e drithit, të kripës e të mallrave të tjera. Për zotërimin e kësaj rruge tregtare shumë të rëndësishme, Arianitët duhet të kenë bashkëpunuar me Pavël Kurtikun, zotërimet e të cilit gjendeshin në krahinat përgjatë rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, si dhe me Andre Gropën, sundimtarin e qytetit të Ohrit. Pozicioni mbizotërues i kështjellës së Ohrit, mbi tërë rajonin e një liqeni shumë të pasur me peshk të cilësisë së lartë, kishte bërë që zotërimi i tij të ishte në qendër të aksioneve politike e ushtarake të zotërve të rajoneve pranë tij.

Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata, prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore dhe filluan të ndiqnin një politikë më aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive osmane.

Krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet në burimet historike edhe me emra të tjerë familjarë, si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika, si dhe me disa tituj fisnikërie. Titujt ishin të trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet krushqore që kishin krijuar Arianitët me familjet e tjera fisnike, duke përfshirë edhe atë perandorake të Bizantit, siç e tregon mbiemri Komneni. Si familje sundimtare Arianitët kishin edhe simbolet e veta. Shqiponja dykrenare ishte në stemën e tyre. Në një dokument të kohës tregohet se Gjergj Arianiti kishte porositur në Raguzë që të thurej flamuri i tij.

Pema gjenealogjike e Arianitëve nuk mund të ndërtohet saktësisht, që nga periudhat më të hershme, kur ata përmenden për herë të parë. Sipas autorëve të vjetër shqiptarë, Marin Barlecit e Gjon Muzakës, i ati i Gjergj Arianitit ka qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia, zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.

Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut, Mamicën. Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.

Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare të Arianitëve emër e peshë të veçantë në jetën politike të Shqipërisë.

Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që, më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina (ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit. Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin dhe Arianitin) dhe një vajzë.

Zotërimet e Arianitëve, ashtu si dhe ato të fisnikëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhave të ndryshme kanë njohur zgjerime e ngushtime. Pavarësisht nga këto, duke zotëruar segmente të rëndësishme të Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe të degëzimeve të ndryshme të saj, Arianitët kanë gëzuar një pozitë të veçantë në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e lidhjet që mund të krijoheshin midis rajoneve të ndryshme të vendit dhe forcave politike të tyre. Dëshmi e kësaj janë edhe lidhjet e shumta martesore të Arianitëve me zotërit e tjerë të viseve shqiptare, që ishin kufitare me ato të Arianitëve, si Muzakajt e Kastriotët, apo edhe më të largëta si Dukagjinët e deri me despotin serb, Stefan Brankoviçin, kur ky, pas pushtimit të Despotatit të Rashës prej osmanëve, u vendos në vitin 1459 në Krujë, ku qëndroi për disa vjet pranë Skënderbeut dhe u martua me një vajzë të Gjergj Arianitit.

Për rëndësinë politike dhe ekonomike të shtetit të Gjergj Arianitit dëshmon më së miri martesa e dytë e tij me vajzën e guvernatorit të qytetit të Leçes në Italinë e Jugut, që ishte porti më jugor i krahinës së Puljes dhe, në rrugë detare, më i afërti me bregdetin shqiptar. Interesat ekonomikë në Shqipëri e kanë shtyrë guvernatorin e Leçes të martonte vajzën larg vendit të tij e përtej detit Adriatik, së pari në Korfuz, dhe, pasi mbeti e ve, me Gjergj Arianitin në Shqipëri, që ka qenë eksportuese e rëndësishme drithërash. Shtrirja lindore e shtetit të Gjergj Arianitit ka qenë e thellë. Ajo i ka përfshirë, ose së paku ka qenë kufitare me fushat e Manastirit e të Follorinës, që ishin rajone të prodhimit të bollshëm të drithërave, ku çmimi i shitjes së tij ka qenë më i ulëti se në rajonet e tjera të prodhimit të tij në Shqipëri dhe shumë më i ulët se çmimi i shitjes në Itali. Gjithashtu nën zotërimin e Arianitëve ka qenë, në mos tërësisht, pjesërisht, rajoni i liqenit të Ohrit, prej të cilit siguroheshin të ardhura shumë të mëdha nga peshkimi dhe nga eksportimi i gjerë i peshkut të thatë të cilësisë së lartë, artikull ushqimor ky që ishte shumë i parapëlqyer nga banorët e rajoneve të tjera.

Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Këto synime të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e “Arbërisë së Arianitit”, emërtim i përdorur krahas “Arbërisë së Skënderbeut”.

Shih edhe

Redakto

Literatura

Redakto
  • Frashëri, Kristo (1964). The history of Albania: a brief survey. Shqipëria: Tirana. OCLC 230172517. Marrë më 23 janar 2012.
  • Anamali, Skënder (2002). Historia e popullit shqiptar në katër vëllime. Vëll. I. Botimet Toena. OCLC 52411919.
  • Harris, Jonathan (2013), 'Despots, emperors and Balkan identity in exile’, Sixteenth Century Journal 44, pp. 643–61
  • Shuteriqi, Dhimitër (2012). Zana Prela (red.). Aranitët: Historia- Gjenealogjia -Zotërimet. Toena. ISBN 978-99943-1-729-5.
  • Schramm, Gottfried (1994). Anfänge des albanischen Christentums: die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen (në gjermanisht). Rombach. ISBN 9783793090830. Marrë më 30 gusht 2012. Ja, schon früher war einer arbanitischen Familie offenbar der Aufstieg in die Reichsaristokratie gelungen, wenn mit Recht aus dem Namen der Familie der Arianitai auf albanischen Ursprung geschlossen wurde. Der Patrikios David Arianites sah sich ...
  • Polemis, Demetrios I. (1968). The Doukai: A Contribution to Byzantine Prosopography (në anglisht). London, United Kingdom: The Athlone Press. fq. 103.
  • Elsie, Robert; Mathie-Heck, Janice (2005). The highland lute: (Lahuta e Malcís): the Albanian national epic (në anglisht). Centre for Albanian Studies (London, England): I.B.Tauris. ISBN 978-1-84511-118-2. Marrë më 9 dhjetor 2010.

Referime

Redakto
  1. ^ Schramm, Gottfried (1994). Anfänge des albanischen Christentums: die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen. Rombach. ISBN 9783793090830. Ja, schon früher war einer arbanitischen Familie offenbar der Aufstieg in die Reichsaristokratie gelungen, wenn mit Recht aus dem Namen der Familie der Arianitai auf albanischen Ursprung geschlossen wurde. Der Patrikios David Arianites sah sich ... {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Polemis, Demetrios I. (1968). The Doukai: A Contribution to Byzantine Prosopography. London, United Kingdom: The Athlone Press. fq. 103. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Shuteriqi, Dhimitër (2012). Zana Prela (red.). Aranitët: Historia - Gjenealogjia - Zotërimet. Toena. fq. 20–9, 50–1. ISBN 978-99943-1-729-5. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. fq. 154. ISBN 978-9928-168-12-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)