Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 - 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër më 4 shkurt 1927, i biri i Llukos (vëlla i Ilias, më pas Irine Banushit) dhe Maries, fëmija i parë i këtij çifti.[1] Kur mbushi moshën e shkollës, në shtator të 1934, Tanoja u regjistrua në shkollën fillore mashkullore te Dugajt e reja. Mësues i klasës së parë ishte Rrok Zojzi. Në klasën e dytë shkolla u transferua në Fushë Çelë.[2]

Më 1939-40 Banushi ndoqi Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku gëlonin ndjesitë kundër pushtuesit dhe më 22 shkurt 1942 mori pjesë në demonstratën e parë, ku u vra edhe Vaso Kadia. Kishte nisur të ushtronte kitarrën dhe merrej me mësimin e këngëve patriotike dhe partizane, kur mblidheshin me shoqëri në bahçet e njëri-tjetrit dhe kryesisht në kopshtin e shtëpisë të Tonin Milotit. Së bashku me shokët e tij Emil Miloti, Vasil Pistoli, Hilë Shahini dhe Gjosho Çarkaxhia, dhe grupe të tjera dhanë më 23 tetor 1943 një shfaqe në Gruemirë, ku e kishte organizuar batalioni "Perlat Rexhepi".[3]

Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën "Dje dhe sot" të shkruar nga prof. Filip Ndocaj. Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë "Vllaznia" si "Klasa e shtatë" dhe "Jak, o Jak", ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqe variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën "Armiku i Popullit" i Ibsenit. Po atë vit interpretoi në komedinë "Pashuku" të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit "Vasil Shanto" dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore).[4] Pas mbarimit të shkollës së mesme qershorin e 1946, Banushi filloi punë si korrespondent i Radio-Shkodrës dhe po ashtu ishte edhe korrespodent i ATSH-së për Shkodrën. Duke qenë nga aktivistët më të mirë të artit amator të periudhës, në fillim të janarit të 1947 u pranua anëtar partie dhe pas pak kohe u thirr të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija.[5] Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën "Zëri i Popullit". Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë "Herojtë e Vigut", ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve "Vasil Shanto" dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.

Pas një debati me sekretarin e parë, për dënim e çuan me punë si elektriçist në fabrikën e fermentimit të duhanit dhe e përjashtuan nga partia. Organizoi grupin artistik të estradës së Fermentimit, me të cilin organizoi edhe një turne në fshatrat e Postrribës dhe të Buzëujit. Nuk kaloi shumë dhe e thirrën në Tiranë, ku i kthyen teserën e partisë. Më 1954 Andrea Skanjeti ndërmori të kultivonte gjininë e estradës dhe kërkoi Banushin si konsulent në hartimin e libretit. Atë vit, grupi amator i Shtëpisë së Kulturës shfaqi premierën e parë me titull "Estrada në penxhere", muzikë të përgatitur nga Tonin Harapi e Deto Haxhi dhe drejtues orkestre Zef Lekaj.[6]

Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit "Migjeni" të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist.[7] Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin "Reparti i operacionit të zemrës", ku Tanoja ishte edhe inspektor skene. Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë "Po ta këndoj kangën me saze", sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar "Pastro kopshtin, bahçevan!".[8] Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin "Naim Frashëri" të klasit I.[9]

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.[10]

Ndërroi jetë më 7 gusht 1993 pak pas mesnatës i sëmurë prej 6 vitesh nga ceroza.[11]

Nderime

Redakto

Më 5 mars 1975 iu akordua titulli "Artist i Popullit i Republikës Popullore të Shqipërisë" në Pallatin e Kulturës në Tiranë.[12]

Referime

Redakto
  1. ^ Alibali, Isa (2007). Me Tano Banushin dhe humorin e tij: jeta dhe veprimtaria artistike. Tiranë: Pegi. fq. 18. ISBN 978-99943-40-86-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Alibali 2007, p. 20.
  3. ^ Alibali 2007, pp. 31-32.
  4. ^ Alibali 2007, pp. 33-34.
  5. ^ Alibali 2007, pp. 49-51.
  6. ^ Alibali 2007, pp. 54, 56-57.
  7. ^ Alibali 2007, pp. 63-64.
  8. ^ Alibali 2007, pp. 67, 74-75.
  9. ^ Alibali 2007, pp. 89, 143.
  10. ^ Alibali 2007, pp. 160, 163, 191.
  11. ^ Alibali 2007, p. 195.
  12. ^ Alibali 2007, p. 128.