Teatri Kombëtar i Kosovës
Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) është institucioni kryesor i artit skenik në Kosovë i themeluar në vitin 1945 në qytetin e Prizrenit në Kosovë - tani i vendosur në kryeqytetin Prishtinë. Është renditur si institucioni më i lartë i vendit. Teatri Kombëtar është teatri i vetëm publik në Kosovë dhe prandaj është i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky teatër ka shfaqur më shumë se 400 premiera të cilat janë shikuar nga më shumë se 3 milione shikues.[1]
Shkurtesa | TKK |
---|---|
Formuar më | 1946 |
Lloji | Teatër kombëtar |
Selia | Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu |
Vendndodhja | Prishtinë, Kosovë |
Faqja në internet | teatrikombetar |
Themelimi
Redakto- Artikulli kryesor: Historiku i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Sipas hulumtimeve të Dr. Qemajl Sokolit, zanafilla e Teatrit Kombëtar të Kosovës lidhet me 'Teatrin Populluer Krahinuer' (Teatri Popullor i Kosovës) i cili është themeluar më 7 tetor të vitit 1945 në Prizren, dhe ky ishte teatri i parë profesional në Kosovë që ishte vendosur në qendrën sportive Partizani. Ky objekt ka pasur një skenë shumë të vogël dhe nuk permbushte kërkesat elemtare për veprimtarinë teatrore e kinematografike..
Themeluesit e teatrit të parë profesional në Kosovë ishin anëtarët e grupit endacak: Pavle Vugrinac, Milan dhe Ceca Petrovic, etj., te cilët mblodhën aktorë te rinjë të talentuar me dëshirë për të punuar ndër ta edhe Kristë Brerishën dhe Hydo Leskovcaliun. Ndërkaq, për drejtor të teatrit është emëruar Shefqet Musliu.
Themelet e shfaqjeve të ndryshme teatrale të sistematizuara dhe të regjistruara pranë enteve zyrtare gjenden në Prizren ku në vitin 1945 teatri lokal u ngritë në nivel rajonal e më vonë në teatër popullor në nivel krahinorë. Ky ishte institucioni i parë profesional në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Me transferimin e administratës në Prishtinë në vjeshtën e vitit 1946, edhe ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës.
Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë.
Ndërkaq,në vitet ’70, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste.
Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish Jugosllavisë janë përcjellë nga mbi 3.200.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet e shumta të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave. Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të ndryshme artistike. Kështu, p.sh., në vitin 1968, Muharrem Qena është nderuar me Çmimin e Regjisë më të Mirë në Festivalin e Dramës Jugosllave “Sterijino Pozorje” per regjine e shfaqjes Erveheja te Ahmet Qirezit. Krahas shfaqjeve në gjuhën shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presion të rëndë politik nga sistemi dhe regjimi komunist jugosllav.
Në vitin 1990, regjimi serb i Sllobodan Milosheviqit, e ka vënë këtë teatër nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët shqiptarë dhe duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike të këtij teatri. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës aktive paqësore kundër regjimit totalitar serb, nëpër shtëpitë – shkolla u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e ansamblit profesionist të këtij teatri. Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës.
Gjatë 10 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe, si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Në vitet e fundit shihen përpjekje që ky teatrër të ngritet në nivel internacional në të cilin do të luhen shfaqje në disa gjuhë.[2]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Ministry of Culture, Youth and Sport - Republic of Kosovo
- ^ "Evolucion Academy - Teatri Kombetar". Arkivuar nga origjinali më 2014-03-09. Marrë më 2014-03-02.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtme
Redakto- Faqja zyrtare e TKK-së Arkivuar 2 gusht 2022 tek Wayback Machine
- Amza zyrtare