Ulsi Manja
Ulsi Manja lindi më 5 Tetor 1973, në Dohoshist, Dibër. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në vitet 1992 - 1996 u diplomua me titullin "Jurist" në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit të Tiranës. Mban titullin Avokat dhe “Doktor Shkencash” në fushën e të Drejtës Penale që nga viti 2018. Karriera e tij profesionale është mjaft e pasur në fushën e të drejtës. Nga viti 1996 deri në vitin 2013 punoi në detyra të ndryshme si: ndihmës gjyqtar, prokuror, drejtues prokurorie dhe avokat në disa rrethe të Shqipërisë si: Dibër, Shkodër, Mirditë, Lezhë dhe Tiranë. Gjatë periudhës 1999 - 2009 ka kryer trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit si në Poloni, Danimarkë, Itali dhe Gjermani, konkretisht në fushën e sundimit të ligjit, hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimit dhe kontrollit të sistemit të prokurorisë, trajtimit të dënuarve në sistemin e vuajtjes së dënimit etj. Gjatë viteve 2003 - 2013 punoi si pedagog i jashtëm i të Drejtës Penale dhe Procedurës Penale fillimisht në Universitetin “Luigj Gurakuqi", në Shkodër e më pas në dy institucione të arsimit të lartë jopublik në Tiranë.
Ulsi Manja | |
---|---|
Të dhëna vetjake | |
U lind më | Dohoshisht, Qarku i Dibrës, Republika Popullore e Shqipërisë | 5 tetor 1973
Partia politike | Partia Socialiste e Shqipërisë |
Nënshkrimi | |
Është deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë në dy legjislatura 2013-2017 dhe 2017 e në vazhdim. Prej vitit 2017 kryen detyrën e Kryetarit të Komisionit Parlamentar ¨Për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut¨, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shquhet për rolin dhe kontributin e rëndësishëm në ngritjen dhe konsolidimin e arkitekturës së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, jo vetëm si pjesë e grupit të ekspertëve për drejtësinë penale dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, por edhe si Kryetar i Komisionit të Ligjeve duke përmbyllur paketën e dytë ligjore të kësaj reforme të rëndësishme dhe procedurën e emërimeve në organet e reja të drejtësisë.
Është autor i disa shkrimeve në fushën e së drejtës të botuara në revista të ndryshme shkencore. Në fushën e publicistikës ka intervista, shkrime, fjalime dhe qëndrime të mbajtura në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 2 shtatori 2021 mban postin e Ministrit te Drejtësisë.