Viktor Volaj (Shirokë, Shkodër, 6 dhjetor 1910 - 5 nëntor 1995) qe frat françeskan, profesor dhe filolog shqiptar.

Át Viktor Volaj

Leu më 6 dhjetor 1910 në lokalitetin e Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës, Kola, i biri i Lazrit dhe i Antonetës[1].

Më 10.09.1925 hyni në seminarin françeskan. Në vitet 1928-1929 kreu noviciatin në Troshan, ndërsa Kushtet e përjetshme në Rregullin Françeskan i muer në vjetin 1932. Vijoi studimet në Romë, e në Pescia n'Italí. Shugurohet meshtar më 1936[2]. Tue fillue prej vjetit 1937 e deri në vjetin 1946 kje profesor i gjuhëve klasike, greqisht e latinisht në “Liceum Illyricum” Në vjetin 1941 sekretar e Provincës kur Provincial ishte At Anton Harapi, ku kreu dhe detyrën e definitorit. Më 1941 botoi "Njohuni mbi kulturën klasike të rromakvet"[2]. Kuvendet françeskane u mbyllen në dhjetor të vjetit 1946 me urdhën që dy freten të mos jetojnë bashkë. Tue qenë se ishte njohës i thellë i gjuhë shqipe në vjetin 1946 u thirr në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarve për punë gjuhësore. Komentoi vepren "Lahuta e Malcís" kur nisi me ndejtë përkrah Fishtës rreth 1937, e e kreu më 1942. Vdekja e poetit ndodhi pikërisht kur Volaj po rendte nga Troshani për në Shkodër m'e takue. Në janarin e 1941, me ribotimin e "Mrizit të Zanave" ai vazhdoi bashkëpunimin e tij me Fishtën e ndjerë, tue ndjekë po ato kritere drejtëshkrimore të trembëdhjetë kangëve të "Lahutës...". Ashtë fjala për zhdukjen e disa trajtave nëndialektore të Zadrimës "joshna"-"jena", si dhe shmangien e atyne të sinkopueme tek "Mrizi...". Me trashigiminë që mbante me vedi: kopjet e botimit të dytë e të tretë të "Mrizit..." që i kishte korrigjue me doren e vet' poeti, vazhdonte bashkëpunimin me tê. Fishtologu komunikonte shpesh me Atë Pashk Bardhin, për detaje të ndryshme në veprën e Poetit Kombëtar. Në botimin e katërt të "Mrizit..." heq melodramat "Shqyptarja e qytetnueme" dhe vjershën "Nevoja e mësimit", si të reja futë dy poezi: "A. Anton Zannoni S.J.", "Atdheut" si dhe tri me motive fetare "Gurrave të Jordanit", "Meshtari i Malcís", "Për paqe t'Europës". E shkruen:

«Në zgjedhjen e poezive të naltpërmenduna, posë të tjerash pata parasysh edhe metrin e ndryshëm

Volaj e ka fjalën për strofat alkaike e safike, vargjet gjashtë e tetë rrokëshe, ritmet daktilike e jambike. Këtë veprim e quan edhe plotësim të thelbësores së librit tue ruejt mozaikun e përmbajtjes.

«Nji gjykim kritik mbi hartin lirik të Fishtës, qi s'merr parasysh poezitë e tija me argument fetar, kishte me kenë jo vetëm i mangët por fare i gabuem

Volaj e ka fjalën për opusin letrar t'Atë Gjergj Fishtës simbas devizës "Për Fé e Atme"[2]. Prej vjetit 1949 e deri në vjetin 1954 internohet në Tepelenë, Lundërz dhe Kamzë. Mbas internimi kthehet me vijue pune e tij baritore ku shërbeu si famullitar në Tiranë dhe në Bizë 1954-1967. Gjatë kësaj përiudhe sikurse u pa u muer intensivisht me studime gjuhësore e historike. Mbasi u mbyllen Kishat e deri në vitin 1990 qëndroi pranë të afërmve të vetë nën vëzhgimin e frikëshem dhe tmerrues të shtetit komunist. Vitet e fundit i kaloi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ndërroi jetë me 05 nandor 1995. Shkrimet e pabotueme të At Viktor Volaj, ruhen në Arkivin e Bibliotekes Françeskane At Gjergj Fishta – Shkodër[3].[4]

Referime

Redakto
  1. ^ Kurti D., Provinça Françeskane Shqiptare, Shkodër: Botime Françeskane, 2003, fq. 139. ISBN 99927-789-1-1. Në regjistrin e fretënve radhitur në këtë vepër: Victor (P) Nicolaus Volaj, f. Lazari et Antoniae, n. Shirokae d. Scodrensis 6 Dec. 1910[...] Emri i pagëzimit i fratit i përkthyer pas normës duhet të ishte Nikollë, por forma e zgjedhur për artikullin është forma lokale.
  2. ^ a b c Alfred Çapaliku: Një komentues për Fishtën. Shkëputun nga "Zëri i dritës" 24/10/2011
  3. ^ "Kosova.Albemigrant". Arkivuar nga origjinali më 10 shtator 2011. Marrë më 29 tetor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "Veprimtaria e tij shkencore". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 29 nëntor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)